1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Obama mbështet Netanjahun për Rripin e Gazës

Një armëpushim i afërt nuk ka gjasa të vendoset midis Izraelit dhe Rripit të Gazës. Presidenti i SHBA, Barack Obama ia lë qeverisë në Jeruzalem të vendosë nëse do të nisë ofensivë me trupa tokësore.

Izraeli nuk do ta përfundojë operacionin ushtarak, për aq kohë sa militantët palestinezë të mos ndalojnë krejtësisht goditjen me raketa nga Rripi i Gazës. Për këtë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahju nuk la asnjë dyshim, kur bëri para kabinetit të tij në Jeruzalem një deklaratë të shkurtër publike. Hamasët dhe grupimet e tjera ekstremiste "duhet të paguajnë një çmim të lartë" për sulmet me raketa ndaj Izraelit. Kryeministri Netanjahu:

"Operacioni ushtarak në Rripin e Gazës po vazhdon. Ne jemi të përgatitur që ta zgjerojmë. Unë e çmoj rekrutimin e shpejtë dhe impresionues të rezervistëve, që kanë ardhur nga të gjitha pjesët e vendit. Ata kanë ardhur prej kudo, për t'u përballur me një detyrë. Rezervistët janë të gatshëm për çdo detyrë."

Netanjahu tha më tej edhe që e kishte falenderuar në telefon presidentin e SHBA, Obama për mbështetjen, para së gjithash për njësitë e mbrojtjes raketore, të financuara kryesisht nga Uashingtoni, të së ashtuquajturës "Kupola e hekurt". Obama dhe Netanjahu diskutojnë aktualisht ditë për ditë në telefon me njëri-tjetrin, për të gjetur një rrugëdalje nga kriza, u bë e ditur nga Shtëpia e Bardhë.

Kapet një raketë mbi Tel Aviv

Sulme izraelite në Gaza

Sulme izraelite në Gaza

Të dielën (18.11.), rreth orës 10.30 në Tel Aviv u dëgjuan sërish sirenat e alarmit. Pak pas kësaj, sistemi i mbrojtjes raketore i një njësie të "Kupolës së hekurt", i vendosur të shtunën para Tel Avivit, kapi një raketë. Nga pjesët e rrëzuara të predhës, në Holon, në jug të Tel Avivit u godit një makinë, po persona nuk u plagosën.

Krahu ushtarak i Hamasit deklaroi pas kësaj në një deklaratë me shkrim se për herë të parë qe përdorur një rakete Kassam e tipit M-75, me teknologji armatimi të përmirësuar, për të goditur Herzliyan - 15 km në veri të Tel Avivit. Më parë, në Ashkelon, Ashdod si dhe në qytete të tjera në jug të vendit patën rënë disa raketa, të cilat goditën ndër të tjera një shtëpi banimi. Dy vetë qenë plagosur.

Forcat e armatosura izraelite goditën gjatë paradites pa pushim objekte në Rripin e Gazës. 13 vetë qenë vrarë që prej së shtunës natën, midis tyre dy fëmijë, bëjnë të ditur agjencitë e lajmeve, të cilat i referohen të dhënave të ministrisë së Shëndetësisë në Qytetin e Gazës. Natën dhe në mëngjes, aviacioni izraelit goditi dy godina të medieve, në të cilat i kanë zyrat stacione televizive palestineze, por edhe ndërkombëtare

Një zëdhënës i ushtrisë deklaroi pas kësaj, se mbi ndërtesa qenë vendosur antena, të cilat krahu i armatosur i Hamasve i përdorte për të komunikuar me njësitë.

Anëtarë të kabinetit të qeverisë Netanjahu i hodhën poshtë të dielën paradite njoftimet, në bazë të të cilave negociatat e zhvilluara në Kairo për armëpushim janë para arritjes së suksesit.