1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Obama mbërrin në Pragë për nënshkrimin e marrëveshjes amerikano-ruse të çarmatimit

Atje ku Presidenti i SHBA-së Obama i deklaroi botës vizionin e tij për një botë pa armë atomike, do të nënshkruhet marrëveshja START e Obamës dhe e homologut të tij rus Medvedev, në Pragë.

default

Obama mbërrin në Pragë për nënshkrimin e marrëveshjes me Medvedevin

Presidentët e SHBA-së dhe të Rusisë ranë dakord për marrëveshjen e re të çarmatimit në një telefonatë në fund të marsit. Numri i kokave nukleare bie nga 2200 në 1550. Numri i sistemeve gjysmohet në 800.

Marrëveshje historike

Obama e cilësoi marrëveshjen amerikano-ruse si marrëveshjen më të rëndësishme të çarmatimit që prej dy dhjetëvjeçarësh.

USA / Obama / Washington

„Ne thellojmë përpjekjet tona globale, për të ndaluar përhapjen e këtyre armëve. Ne u japim zemër kombeve të tjera që të marrin përgjegjësinë në këtë fushë."

Presidenti Obama është i interesuar në rradhë të parë për proliferacionin (mospërhapjen) mendon Wayne Merry i American Foreign Council në Uashington.

“Kjo administratë është më shumë e interesuar për temën e mospërhapjes së armëve se sa për kontrollimin e armëve ruse."

Irani të ndërpresë ndërtimin e armëve atomike

Amerikanët arritën në fakt një marrëveshje çarmatimi me Rusinë, por në të vertetë qëllimin e kanë tek Irani. Teheranit duhet t'i vështirësohet prodhimi i armëve të veta. Fillimisht Amerika dhe Rusia dalin përpara me shembullin e tyre të mirë dhe çarmatosen. Pastaj Uashingtoni organizon dhe merr pjesë në muajt e ardhshëm në një sërë konferencash ndërkombëtare për temën e sigurisë të materialit bërthamor, thotë Wayne Merry:

"Me këtë marrëveshje Obama do të arrijë dy gjëra: Nga njëra anë ai dëshiron një fillim të ri në marrëdhëniet me Moskën. Nga ana tjetër së bashku me shtetet e tjera, që marrin pjesë në konferencën e sigurisë bërthamore në prill, apo në konferencën e mospërhapjes së armëve atomike në maj, do të bëjë presion tek Këshilli i Sigurimit të OKB-së. Ky duhet të vendosë sanksione kundër Iranit, me qëllim që ky të ndërpresë ndërtimin e armëve atomike."

Dossier Iran Atomprogramm Teil 1

Teknik iranian në impiantin bërthamor në Isfahan

Marrëveshja ka një kohëzgjatje prej 10 vjetësh dhe do të nënshkruhet me 8 prill në Pragë. Ajo zëvendëson marrëveshjen START 2, e cila përfundoi dhjetorin e kaluar. Marrëveshja do të jetë e vlefshme vetëm atëherë, kur të ratifikohet edhe në SHBA nga senati. Kjo mund të jetë e vështirë për shkaqe të brendshme politike. Me qëllim që të arrihen dy të tretat në senat, edhe deputetët republikanë duhet të mbështesin Obamën. Atyre presidenti iu drejtua në fund të marsit me këto fjalë.

„Një traditë e gjatë dëshmon se të dyja partitë ndjejnë përgjegjësi për çështjet e çarmatimit. Ato shohin domosdoshmërinë e sigurimit dhe reduktimit të këtyre armëve."

Meqenëse Rusia dhe SHBA që prej dekadash e reduktojnë arsenalin e tyre bërthamor, shumë senatorë pyesin veten, se përse nevojitet një marrëveshje e re me Moskën? Wayne Merry thotë:

“Senatorët duan të dinë, se çfarë ndërmerr Moska kundër Iranit. Ata janë më pak të interesuar për atë, se çfarë bën Moska me armët e saj atomike."

Megjithë marrëveshjen mosbesimi ndërmjet SHBA dhe Rusisë vazhdon të jetë i madh. Në shkurt, sipas gazetës New York Times, Obama duhet ta ketë kërcënuar Presidentin rus me ndërprerjen e bisedimeve.

“Çfarëdo që të ndërmarrë SHBA në fushën strategjike, Moska e lidh me vetveten. Kjo ndodh edhe në rastin, kur SHBA e ka me Kinën, apo Korenë e Veriut. Çfarëdo që të bëjnë amerikanët, rusët besojnë, se e kanë me ta."

APEC Obama und Medvedev Flash-Galerie

Obama me Medvedevin

Negociatat kishin ngecur në çështjen, se si duhet verifikuar ajo për të cilën është rënë dakort. Ndërkohë të dyja palët u morën vesh, që të integrohet plotësisht regjimi i deritanishëm i verifikimit dhe inspektimit.

Në SHBA gjeneralët janë përkrahësit më të mëdhenj të marrëveshjes. Ata e dinë se në konfliktet e armatosura si në Iran dhe Afganistan armët atomike janë të pavlefshme.

“Marina amerikane do më pak armë atomike, sepse mbajtja e raketave ballistike në nëndetëse kushton shumë para dhe shkon në dëm të ekipazhit."

Marrëveshja do t'i ndihmojë Uashingtonin dhe Moskën, që të kursejnë shumë para.

Autor: Miodrag Soric/Angjelina Verbica

Redaktoi:

DW.COM

  • Data 08.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Mpje
  • Data 08.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Mpje