1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Obama: "Lufta duhet përfunduar me përgjegjësi"

Një vit pas vrasjes së shefit të Al Kaidës, presidenti amerikan njoftoi fazën përfundimtare të luftës. Obama tha se jemi duke iu afruar synimit për të fituar mbi rrjetin terrorist të Al Kaidës.

Obama dhe Karsai

Obama dhe Karsai

Obama shkoi ditën e martë (01.05.) në Afganistan, nën masa të forta sigurie. Në Kabul ai nënshkroi një marrëveshje partneriteti strategjik me kolegun e tij afganas, Hamid Karzai, marrëveshje e cila përmban rolin e SHBA në Afganistan edhe pas tërheqjes së trupave, të planifikuar për në vitin 2014. "Pas viteve me humbje të mëdha, jemi duke iu afruar synimit për të fituar mbi rrjetin terrorist të Al Kaidës", tha Obama të mërkurën në mëngjes (02.05.) në një fjalim të transmetuar live në televizion.

Gjërat e pazakonshme në Kabul

Barack Obama

Obama: tërheqje e përgjegjshme...

Shumë banorëve të Kabulit nuk do u ketë mbëtur pa e kuptuar se natën e kaluar (02.05.) në kryeqytet kanë ndodhur gjëra të pazakonshme. Helikopterët dëgjoheshin në qiell deri në mesnatë. Në njërin prej tyre ndodhej presidenti amerikan, i cili shkoi në Kabul i mbrojtur nga nata, dhe pas pak kohe u largua sërish prej andej. Për të vizituar ushtarët amerikanë që ndodhen në bazën ajrore të Bagramit, disa minuta fluturimi më tutje. Dhe për të dërguar një mesazh në SHBA nëpërmjet televizionit: "Unë nuk do i lejoja të rrezikoheshin asnjë ditë më shumë, nëse nuk do të ishte e nevojshme për sigurinë tonë kombëtare. Por, ne duhet ta çojmë deri në fund punën që kemi nisur në Afganistan. Duhet t`i japim fund luftës me përgjegjësi të plotë."

Tërheqja e parakoshme rrezikon rezultatet e luftës

sulmet nuk kanë të ndalur

... por sulmet nuk kanë të ndalur

Tërheqje e mëparshme nga Afganistani nuk mend të ketë, sepse kjo do të rrezikonte luftën kundër Al Kaidës, tha Obama. Plani kohor parashikon që deri në fund të vitit 2014 trupat perëndimore të kalojnë përgjegjësinë për sigurinë në duart e afganistanëve. Edhe një herë u bë e qartë se presidenti amerikan duhet të dërgojë vazhdimisht dy mesazhe. Njërin për amerikanët: ne do t'i sjellim trupat në shtëpi. Dhe një për afganët: ne nuk ju lemë në baltë. Ky sinjal duhet dhënë nga një marrëveshje strategjike, të cilin presidenti amerikan dhe ai afgan e nënshkruajtën gjatë natës: "Marrëveshja që ne kemi nënshkruar, dërgon mesazh të qartë për afganët se gjatë kohës që jeni duke u rimëkëmbur nuk jeni vetëm. Ajo krijon bazën për bashkëpunimin tonë për dekada. Dhe përmban pohime të përbashkëta për luftimin e terrorizmit dhe forcimin e institucioneve demokratike."

Në Afganistan nuk do të mbahen baza permanente ushtarake, tha Obama. Dhe patrullimet nuk do të bëhen në male apo në qytete. Kjo është çështje e afganëve.

Përvjetori i vrasjes së bin Ladenit

Përvjetori i vrasjes së Osama bin Ladenit

Al Kaidën duhet luftuar edhe më tej.

Natyrisht Obama nuk la pa kujtuar përvjetorin e rëndësishëm. Nuk është rastësi që presidenti amerikan përfundon në Afganistan një vit pas vrasjes së njeriut më të kërkuar në botë. Në Afganistan, ku Osama bin Laden bëri planet për sulmet e 11 shtatorit: "Një vit më parë, nga një bazë këtu në Afganistan, u nisën trupat tona për të vrarë Osama bin Ladenin. Synimi që ne vumë për të fituar mbi Al Kaidën dhe për t`i hequr shanset organizatës për t'u riformuar, është duke u realizuar," tha Obama.

Është e padiskutueshme që organizata terroriste është dobësuar vërtet në territoret kufitare midis Pakistanit dhe Afganistanit. Por mbi talibanët nuk është arritur sukses: "Ne jemi duke u përpjekur të arrijmë paqe nëpërmjet bisedimeve. Në marrëveshje edhe me qeverinë afgane, administrata ime ka zhvilluar bisedime direkte me talibanët. Ne kemi bërë të qartë se pjesë e planeve të së ardhmes është që talibanët të ndërpresin kontaktet me Al Kaidën, të heqin dorë nga dhuna dhe të respektojnë ligjet afgane."

Edhe në perëndim, është duke u krijuar gjithnjë e më shumë bindja se duke pasur parasysh rezistencën e madhe të talibanëve, paqja në Afganistan nuk mund të vendoset duke hedhur bomba dhe duke qëlluar. Megjithatë zgjidhja nëpërmjet bisedimeve është shumë larg.

Autor: Kai Küstner / Aida Cama

Redaktoi: Bahri Cani