1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Obama kundër trashëgimisë së Bushit për ambjentin

Presidenti amerikan Obama dëshiron të përmirësojë rolin e SHBA në mbrojtjen e klimës globale. Në fund të marsit ai paralajmëroi se do të kontribuojë për suksesin e Konferencës së OKB për Klimën në Kopenhagë.

Presidenti Obama në kopertinën e revistës Klima

Presidenti amerikan Barack Obama e ka shumë për zemër mbrojtjen e klimës. Kur qeverinë e drejtonte paraardhësi i tij George Bush, 'ndryshimi i klimës' ishte ende një fjalë e huaj. Tani Obama flet për këtë çështje me emër dhe kjo do të thotë një ndryshim drastik i kursit amerikan. Menjëherë, qysh në ditët e para pas ardhjes në post Obama filloi me ndryshimin e këtij kursi, sqaron Arne Jungjohann, eksperte e ambientit në Fondacionin Heinrich-Böll në Uashington:

"Obama ka bërë një fillim të shkëlqyeshëm, tek i cili shumë as që kanë besuar. Ai ka bërë atë që mund të bënte në 100 ditët e para të qeverisjes, para së gjithash në fushën ku mund të veprojë ekzekutivi, si për shembull ka emëruar një personel shumë kompetent në qeveri, ka dhënë dritën të gjelbër për shtetet federale që të aplikojnë standardet ambicioze si në rrafshin federal..."

Kjo ishte goditja e parë: me një urdhëresë administrative, presidenti Obama ngarkoi Zyrën Federale të Mjedisit që të konfirmojë një urdhër ndalimi. Ai parashikonte që shtetet federale të mos kenë të drejtë t'i përcaktojnë vetë vlerat maksimale për gazrat emisione të automjeteve. Qeveria e Bushit kishte frenuar para së gjithash inisiativat e guvernatorit të Kalifornisë, Arnold Schwarzenegger, i cili kërkonte të përcaktonte vlera më të rrepta se ato të përcaktuara nga Uashingtoni. Anullimi i këtij urdhëri ndalimi, nga presidenti Obama është një hap i madh, mendon ekspertja e mjedisit Jungjohann:

"Obama pak pasi u zgjodh pati sinjalizuar se Kalifornia do të pajiset me lejen për të vendosur standarde më të rrepta. Në rastin aktual përveç Kalifornisë janë edhe 12 shtete të tjera federale që do të ndjekin këtë shembull, gjë që do të thotë se bëhet fjalë për gjysmën e tregut të automobilëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës".

Prodhimi i makinave dhe kamionëve që shpenzojnë pak karburant është një prej hapave më të rëndësishëm për të dalë nga rrethi vicioz i varësisë nga nafta e huaj, mendon Obama. Me tone të tilla patriotike presidenti provon t'i afrojë pranë vetes edhe kritikët e politikës së tij të mjedisit: pavarësi energjitike dhe vende të reja pune - sa më pak lëndë djegëse fosile e sa më shumë energji të ripërtërishme.

"Nga buxheti im ndahen çdo vit 15 miliardë dollarë për zgjerimin e përdorimit të energjisë së pastër, si asaj të erës dhe asaj solare, gjeotermikës dhe teknologjive të pastëra për qymyrin".

Synimi i Obamës: dyfishimi i energjisë së ripërtërishme brenda tre viteve të ardhshme dhe në këtë kuadër krijimi i rreth 460 mijë vendeve të reja të punës. Më pak se tre përqind e energjisë në SHVA aktualisht është energji alternative.

Sidoqoftë, amerikanët siç duket janë të kënaqur me fillimet në politikën e re ambientaliste. Sipas një ankete të zhvilluar nga Instituti Gallup, 79 përqind e të anketuarve mendojnë se presidenca e Obamës do të jetë në të mirë të ambientit.

Autor: Antje Passenheim/ Esat Ahmeti

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 27.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Hf46
  • Data 27.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Hf46