1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Obama kryeson me 49,9 % përballë 43,6% të Mekeinit

Kandidati demokrat në zgjedhjet presidenciale në SHBA, Barak Obama e ka thelluar edhe më tej përparësinë në anketime ndaj kundërshtarit të tij republikan Xhon Mekein.

Barack Obama dhe John McCain

Barack Obama dhe John McCain

Vetëm një ditë para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, kandidati demokrat për president, Barak Obama e ka thelluar përparësinë në anketime. Në bazë të një anketimi të përbashkët të gazetës "Uashington Post" dhe të stacionit televiziv ABC, 53% e amerikanëve duan t'ja japin të martën votën për president senatorit me ngjyrë. Vetëm 44 % thanë se duan të mbështesin kandidatin republikan Xhon Mekkein. Më parë, pro Obamas ishin shprehur 52% e votuesve. Faqja e internetit RealClearPolitics llogariti një mesatare të përfundimeve të instituteve më të rëndësishme të anketimit: në bazë të saj, Obama kryeson me 49,9 % përballë 43,6% të Mekkeinit. Por rezultatet e 11 anketimeve janë të ndryshme: disa e shohin Obaman me vetëm tre ose katër pikë përparësi përballë Mekkeinit, kurse të tjera thonë se ai kryeson me 9 deri 11 % të votave.

Obama ka vazhduar megjithë këto rezultate edhe të dielën (02.11) me ritëm të lartë fushatën elektorale. Në një prononcim si i ftuar në programin CNN Comedy Central, Obama u shpreh dje (02.11) edhe njëherë për ripërtëritjen e vendit. Konkretisht ai tha:

"Unë në fakt mendoj se kjo është koha kur duhet të dëshirosh të bëhesh president. Nëse je futur në shërbimin publik me synimin për të ndikuar dhe lënë gjurmë, tani ka ardhur koha kur mund të lësh gjurmë. Ne kemi tendencë të jemi një vend shumë konservator- unë nuk mendoj konservator politikisht në vetvete, por në kuptimin se kur gjërat ecin mirë, ne nuk duam të ndërhyjmë."

Kandidati demokrat për president u ndal pastaj në sfidat me të cilat po ndeshen aktualisht SHBA:

"Dhe pastaj, njëherë në kaq kohë, ti ke përpara vetes këto sfidat dhe problemet e mëdha, dhe ato na japin shansin që të lëvizim me të vërtetë në një drejtim të ri. Unë mendoj se ky është njëri nga këto momentet për gjëra si energjia, shërbimi shëndetësor dhe ekonomia dhe arsimi, kur njerëzit kuptojnë se ajo që kanë qenë duke bërë, nuk ka funksionuar. Dhe kjo do të thotë që njerëzit do të jenë më të hapur për ndryshim."

Obama u kërkoi mbështetësve të tij që të mos gënjëhen nga rezultatet e mira të anketimeve, sepse "gara nuk ka përfunduar". Fitorja varet nga çdo votë, asnjë demokrat nuk duhet të qendrojë në shtëpi të martën, tha ai.

Xhon Mekkeini, i cili u takua të premten në mbrëmje me guvernatorin e Kalifornisë, Arnold Shvarceneger (Schwarzenegger) tha se do të luftojë edhe më tej për çdo votë dhe se nuk do të dorëzohet. Objekti kryesor i sulmit për Mekkeinin janë planet e Obamas që t'i rrisë taksat për të pasurit. "Ai është një rritës taksash dhe shpenzues parash", tha Mekkeini në Ohajo. Njëkohësisht ai përpiqet ta paraqesë si socialist kundërshtarin e tij.

Kampi i Mekkeinit llogarit një fitore të papritur dhe një ndryshim në mendjet e zgjedhësve në minutat e fundit. Menaxheri i fushatës elektorale i Mekkeinit, Rik Davis tha me optimizëm se ka gjasa që ditën e zgjedhjeve të përjetohet "kthimi i madh".

Sipas ekspertëve të zgjedhjesve, pro Obamas duhet të jetë edhe fakti që shumë zgjedhës po i japin që herët votat e tyre. Mbi 16 milionë vetë kanë votuar ditët e shkuara, veçanërisht në shtete vendimtare si Florida dhe Ohajo pati radhë të gjata zgjedhësish. 59% e votuesve të hershëm e kanë dhënë votën për Obaman, rezulton një anketim i televizionit ABC dhe gazetës "Washington Post". Në vitin 2004 Bushi gjithashtu kishte përparësi te votuesit e hershëm.

  • Data 04.11.2008
  • Autor Auron Dodi
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Fml7
  • Data 04.11.2008
  • Autor Auron Dodi
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Fml7