1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Obama Terrorbekämpfung Bilanz

19 Janar 2010

Mbyllja e kampit në Guantanamo dhe largimi nga praktikat e dyshimta të erës së Bushit në kuadër të luftimit të terrorizmit ishin premtimet kryesore të Barack Obamës, kur mori postin e presidentit amerikan

https://p.dw.com/p/LaTy

Shpresat qenë të mëdha. Kështu në shumë pjesë të botës shpresohej që Presidenti Obama, të rikthente shumë shpejt në luftën kundër terrorizmit Shtetet e Bashkuara të Amerikës në rrugën e virtytshme të shtetit ligjor. Shumëkush shpresonte që ai tu jepte fund torturave dhe kampeve të errëta dhe të gjitha praktikave, që diskretituan jo vetëm paraardhësin e tij George W. Bush, por krejt Amerikën.

Obama e dinte se çfarë pritej prej tij dhe menjëherë paralajmëroi mbylljen e kampit të të burgosurve në Guantanamo. Tani kur ka kaluar një vit, Guantanamo ekziston ende dhe edhe në fusha të tjera të luftës kundër terrorizmit i katapultuari në karrierë në Shtëpinë e Bardhë ka rënë poshtë në tokën e mundësive reale.

Pikërisht në ditën e krishtlindjeve një nigerian, i cili siç duket kishte lidhje me Al Kaidën, përpak sa nuk arriti të aktivizonte një lëndë plasëse në një avion pasagjerësh amerikan, edhe pse shërbimet e fshehta amerikane kishin të dhëna mbi aktivitetet e tij. Jemeni sa vjen e kthehet në një kamp pritjeje për terroristët islamistë të përndjekur dhe siç duket, atje kanë përfunduar edhe ish të burgosur të Guantanamos.

Tani administrata e Presidentit Obama po përpiqet ta zhvendosë kampin e Guantanamos nga Kuba në Tomson, në shtetin Ilionis. Por nëse edhe atje do të mbahen të burgosur pa ngritjen e aktakuzave para gjykatave të zakonshme, atëherë kjo do të përbënte sërish një njollë në sundimin e ligjit. Përveç kësaj Obama nuk ka arritur ende të shpërbëjë tribunalet e diskutueshme ushtarake.

Obama duhet të lavdërohet për publikimin e disa dekreteve të fshehta të miratuara nga paraardhësi i tij Bush, në kuadër të luftës antiterror. Në këtë mes Presidenti Obama është përkujdesur për transparencën urgjentisht të nevojshme. Ndërsa fakti që askush nga sektori i shërbimeve të fshehta, apo qeveria e Bushit nuk ka dhënë llogari juridike për veprimet kundër të drejtave të njeriut është një çështje tjetër.

Pozitivisht duhet vlerësuar edhe mbyllja e kampit të fshehtë të CIA-s dhe transferimi i të dyshuarve kryesorë për atentatet e 11 shtatorit 2001, në burgjet amerikane. Në luftën kundër terrorizmit Obama ka trashëguar shumë probleme nga qeveria e Bushit. Presidenti amerikan në kapërcimin e kësaj sfide të rëndë ka bërë vetëm një fillim - asgjë më shumë. Shumë mbetet për t'u bërë dhe aleatët e tij duhet ta mbështesin atë jo vetëm me fjalë paralajmëruese, por edhe me ndihma konstruktive si përshembull duke pranuar të burgosurit e padënuar të kampit Guantanamo.

Autor : Daniel Scheschkewitz

Redaktoi : Aida Cama