1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Obama kërkon sanksione të reja të Perëndimit ndaj Rusisë

Kriza e Ukrainës po përshkallëzohet. Kievi akuzon Rusinë për nxitje trazirash. NATO publikon fotografi të trupave ruse në zonën kufitare. Obama kërkon sanksione të reja.

Presidenti i SHBA-së, Barack Obama po i përgatit partnerët perëndimorë për sanksione të reja kundër Rusisë. Gjatë një telefonate me kancelaren Angela Merkel Obama, sipas të dhënave nga Shtëpia e Bardhë, theksoi, se SHBA, BE-ja dhe partnerë të tjerë globalë duhet të jenë të përgatitur, që t'i kundërvihen me masa suplementare ndëshkuese përshkallëzimit të mëtejshëm nga qeveria në Moskë.

Obama dhe Merkel folën për një gjendje shqetësuese në lindje të Ukrainës. Pushtimi i godinave të administratës në lindje dhe në jug të Ukrainës është një "fushatë e orkestruar e nxitjes dhe sabotazhit", përmes së cilës synohet destabilizimi i shtetit të Ukrainës, deklaroi zyra presidenciale. Sipas këtij njoftimi, kjo ndodh "me sa duket me mbështetjen e Moskës". Ndërkohë ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov i deklaroi agjencisë ruse të lajmeve Itar-Tass, se kriza mund të zgjidhet vetëm, nëse do të ndalen përpjekjet për legjitimimin e qeverisë ukrainase të tranzicionit.

Obama dhe Merkel kërkojnë tërheqjen e trupave

Trupa ruse në kufirin ukrainas, pamje satelitore të NATO-s. 10.4.2014

Trupa ruse në kufirin ukrainas, pamje satelitore të NATO-s. 10.4.2014

Qeveria në Kiev u pati vendosur afat deri të premten në mëngjes aktivistëve pro-rusë në Luhansk, Donjeck dhe Çarkov që të lirojnë godinat e pushtuara të administratës duke u premtuar atyre, se nuk do t'i ndjekë penalisht. Demonstruesit ndërkaq i kanë përforcuar barrikadat e tyre. Ato kërkojnë një referendum për më shumë pavarësi nga qeveria qendrore, ose për bashkim me Rusinë.

Në lindje të Ukrainës vazhdojnë trazirat

Obama dhe Merkel sërish i bënë thirrje Rusisë, që të tërheqë trupat nga zona kufitare me Ukrainën. NATO të enjten (10.04.2014) publikoi fotografime nga sateliti mbi përqendrimin masiv të trupave. Sipas NATO-s në më shumë se 100 pozicione janë dislokuar artileri, automjete të blinduara, helikopterë, njësi speciale, avionë luftarakë si dhe njësitë përkatëse të logjistikës.

NATO i hodhi poshtë akuzat e Rusisë, sipas së cilës bëhet fjalë për fotografi të vjetra nga viti 2013. Fotografimet janë marrë gjatë periudhës fundi i marsit dhe fillimi i prillit. Nuk ka të dhëna për aksione ushtarake të Moskës në rajon në periudhën mes 2013 dhe fillimit të 2014, tha një zëdhënës në kuartierin qendror të NATO-s në Mons të Belgjikës.

Energjia nuk është mjet për realizimin e qëllimeve politike

Një zëdhënës qeveritar në Berlin deklaroi, se në bisedën mes kancelares Merkel dhe presidentit të SHBA-së Obama është folur edhe për takimin katërsh të planifikuar për të enjten e ardhshme (17.04.2014) mes ministrave të jashtëm të Rusisë, Ukrainës, SHBA-së dhe së ngarkuarës së BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë Catherine Ashton. Moska do të arrijë, që në takim të jenë edhe përfaqësues të rajoneve nga lindja dhe jugu i Ukrainës. Deri tani qeveria e Ukrainës nuk e ka pranuar këtë kërkesë.

Ministria e Jashtme e SHBA-së e paralajmëroi Rusinë sërish, që të mos e përdorë energjinë si mjet presioni. Presidenti i Rusisë Vladimir Putin të enjten kërcënoi, se do t'i ndërpresë furnizimet me gaz në Ukrainë për shkak të mosshlyerjes së detyrimeve. Në letrat drejtuar 18 shteteve të BE-së ai shkruan, se kjo do të influenconte ndjeshëm transferimin e gazit për në BE. Uashingtoni është duke bashkëpunuar me Kievin për të siguruar financimin e vendit.