1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Obama kërkon në Berlin partneritet me Evropën

Para 200 mijë vetëve pranë Shtyllës së Fitores, kandidati demokrat për president të SHBA pranoi se veprimet e SHBA nuk janë përputhur përherë me "synimet e mira" e kërkoi bashkëpunim në epokën globale.

Obama duke folur para Shtyllës së Fitores në Berlin

Obama duke folur para Shtyllës së Fitores në Berlin

Obama: 'Muret midis aleatëve të vjetër në të dyja anët e Atlantikut nuk mund të qendrojnë...'

Kandidati i demokratëve amerikanë për president të SHBA, Barak Obama bëri thirrje në Berlin për një fillim të ri në marrëdhëniet transatlantike. Para më shumë se 200 mijë spektatorëve që brohorisnin pranë Shtyllës së Fitores ai kërkoi nga amerikanët dhe evropianët që t'i lënë pas vetes konfliktet e tyre dhe t'i luftojnë së bashku problemet globale si ndryshimi i klimës dhe terrorizmi.

"Po, ka patur dallime në qëndrime midis Amerikës dhe Evropës. Pa dyshim, dallime do të ketë edhe në të ardhmen, por barra e qytetarisë globale vazhdon të na lidhë me njëri-tjetrin. Një ndryshim udhëheqjeje në Uashington nuk do ta lehtësojë këtë barrë, në këtë shekull të ri, prej amerikanëve dhe evropianëve njësoj do të kërkohet të bëjnë më shumë, jo më pak... Muret midis aleatëve të vjetër në të dyja anët e Atlantikut nuk mund të qëndrojnë... "

Në distancim nga doktrina e mbylljes, e ricikluar prej disa dekadash në politikën e SHBA "Amerika first", ('Amerika në radhë të parë'), kandidati për president të ri të SHBA e vuri theksin te bashkëpunimi. Këtë ai e quajti të nevojshëm edhe për të ndarë barrën e luftës kundër terrorizmit. Barak Obama e shpalli të padëshirueshme kthimin nga Amerika dhe Evropa të vështrimit vetëm tek vetvetja:..

Obama in Berlin - Rede Siegessäule

"Ja pse Amerika nuk mund të mbyllet te vetja, ja pse Evropa nuk mund të mbyllet te vetja. Amerika nuk ka partner më të mirë se Evropa."

Obama: '...Vendi im nuk është perfekt...Ne kemi pjesën tonë në gabimet që janë bërë...'

Në mënyrë autokritike Obama pranoi gabime në politikën amerikane brenda dhe jashtë vendit.

"E di, që vendi im nuk është perfekt...Ne kemi pjesën tonë në gabimet që janë bërë dhe ka pasur kohë, kur veprimet tona përreth botës nuk u janë përgjigjur synimeve tona më të mira. Por unë e di edhe se sa e dua unë Amerikën", tha kandidati për president të SHBA.

Obama e quajti "të vërtetë" rrezikun që vjen nga terrorizmi dhe tha se ka ardhur koha për ta mundur terrorizmin si dhe për të "tharë kënetën e ekstremizmit, që e ushqen atë". Ai tha se Amerika nuk mund ta çojë e vetme në sukses "misionin e parë të NATO-s në botën e jashtme". Por kandidati për president të SHBA nuk bëri thirrje konkrete për shtimin e trupave gjermane në Afganistan, siç bën qeveria aktuale amerikane.

Në fjalimin e tij, që u ndërpre nga thirrje entuziaste prej fushatës elektorale të Obamas, si "Yes, we can " ("Po, ne jemi në gjendje"), Obama preku edhe temën e mbrojtjes së klimës.

"Ne duhet të garantojmë që të gjitha kombet e botës, duke përfshirë edhe kombin tim ta reduktojnë gazin e efektit serë me atë seriozitet që e bën edhe vendi juaj", tha ndër të tjera Obama.

'Popuj të botës, hidhni sytë nga Berlini...'

Obama in Berlin - Rede

Më pas senatori 46-vjeçar u ndal në simbolikën e Berlinit, të një qyteti "ku u rrëzua një mur, u bashkua një kontinent dhe ku rrjedha e historisë vërtetoi se asnjë sfidë nuk është e pamundshme për një botë, e cila qëndron e bashkuar", siç u shpreh ai. Ai kujtoi blloka-dën ekonomike të Berlinit në luftën e ftohtë, e cila u thye me një urë ajrore nga amerikanët. Në mbështetje të thirrjes gjatë bllokadës të ish- kryetarit të bashkisë së Berlinit, Ernst Rojter (Reuter), që bota t'i kthente sytë nga Berlini, edhe Obama thirri në fjalimin e transmetuar live edhe në SHBA: "Popuj të botës, hidhni sytë nga Berlini..."

Ky ishte fjalimi i vetëm publik i Obamas, gjatë udhëtimit të tij njëjavor në botë, i cili do ta çojë në vazhdim në Paris dhe në Londër. Konkurenti i tij republikan për president të SHBA, Xhon Mekkejn, i ngacmuar nga fjalimi i Obamas në Berlin vizitoi në shtetin amerikan Ohajo një restorant gjerman. Gazetarëve në Kolumbus ai u tha se "me shumë dëshirë do të kishte mbajtur një fjalim në Gjermani. Por ai preferonte ta bënte këtë "si president i SHBA dhe jo si kandidat për president."

  • Data 24.07.2008
  • Autor Auron Dodi
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/EjGX
  • Data 24.07.2008
  • Autor Auron Dodi
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/EjGX