1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Obama i kërkon presidentit egjiptian të veprojë

Presidenti i Egjiptit Mursi duhet të reagojë. Këtë e kërkon jo vetëm opozita në Kajro, por tani edhe presidenti i SHBA-së Barack Obama. Mursi ka refuzuar ndërkaq ultimatumin e ushtrisë.

Barack Obama ka telefonuar me homologun egjiptian Mohammed Mursi lidhur me ngjarjet e fundit në Egjipt, ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë në Uashington. Presidenti amerikan i ka bërë thirrje Mursit të dialogojë me opozitën. "Presidenti Obama i inkurajoi të ndërmarrë hapa për të reaguar ndaj shqetësimeve të tyre", bëri të ditur një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë. Obama ka theksuar se kriza aktuale mund të zgjidhet vetëm me një proces politik.

Gjatë natës së të hënës (1.7.) Mursi refuzoi deklaratën e udhëheqjes së ushtrisë, e cila u ka dhënë partive politike një ultimatum 48-orësh për t'u marrë vesh. Zyra e Mursit bëri të ditur se kjo deklaratë nuk është diskutuar më parë me presidentin. Veç kësaj ushtria rrezikon ta shtojë konfuzionin në situatën aktuale, njoftoi më tej zyra presidenciale në Kajro.

Shansi i fundit?

Ushtria ka paralajmëruar se do të ndërhyjë

Ushtria ka paralajmëruar se do të ndërhyjë

Ministri i Mbrojtjes gjeneral Abdel Fattah al-Sisi kishte folur më parë për një "shans të fundit". "Nëse kërkesat e njerëzve në Egjipt nuk do të plotësoshen brenda afatit të vënë, ushtria, në bazë të përgjegjësisë së saj kombëtare dhe historike, do të njoftojë një plan për të ardhmen dhe do të ndërmarrë një sërë masash, që do të zbatohen me pjesëmarrjen e të gjitha grupeve politike." Ushtria përgënjeshtroi megjithatë se bëhet fjalë për një kërcënim për puç. Ministria e Brendshme deklaroi se mbështet plotësisht forcat e armatosura. E shqetësuar për sigurinë kombëtare, policia shpreh solidaritet të plotë me deklaratën e forcave të armatosura, njoftoi gazeta "Al-Ahram" në internet.

Shkëmbim zjarri në Suez

Opozita nuk do t'i ndalojë protestat deri në dorëheqjen e Mursit

Opozita nuk do t'i ndalojë protestat deri në dorëheqjen e Mursit

Presidenti Mursi, sipas informacioneve të medieve lokale, u takua të hënën në mbrëmje (1.7.) me al-Sisin dhe kryeministrin Hisham Kandil. Demonstrimet e dhjetëra mijëra kundërshtarvë dhe përkrahësve të Mursit vazhduan në Kajro deri në orët e para të mëngjesit të së martës (2.7.). Dëshmitarë në vendngjarje treguan se në qytetin Suez ka pasur shkëmbime zjarri mes përkrahësve dhe kundërshtarëve të Mursit. Partia salafiste Nu bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme dhe ngritjen e një qeverie teknike, njofton Al Xhazira.

Edhe lëvizja e protestës Tamarud (rebelimi) i vuri një ultimatum presidentit Mursi: ai duhet të japë dorëheqjen deri në orën 16 të së martës (2.7.) ndryshe do të ndërmarrin aksione të tjera. Tamarud i akuzon islamistës se nuk interesohen për zgjidhjen e problemeve ekonomike dhe sociale dhe po kryejnë një islamizim të fshehtë të vendit. Përkrahësit e Mursi e shohin krizën si një luftë ideologjike, për ose kundër fesë islame. Opozita ka njoftuar se do ta vazhdojë protestën deri sa Mursi të japë dorëheqjen.