1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Obama hap debatin për trashëgiminë e tij politike

Në fjalimin e tij më të fundit për gjendjen e kombit, Presidenti i SHBA Obama do të skicojë para së gjithash amanetin e tij politik. Të paktën një temë të nxehtë aktuale ai do ta prekë në fjalën e tij.

Vetëm pak presidentë të SHBA kanë shansin të kalojnë dy periudha të plota në post në Shtëpinë e Bardhë. Kjo sjell shansin, që viti i fundit në post të nisë me fjalimin tradicional për gjendjen e kombit para dy dhomave të Kongresit dhe të bëjnë me këtë me ndërgjegje një bilanc. Në 50 vitet e fundit, këtë arritën ta bëjnë vetëm Ronald Reagan, Bill Clinton dhe George W. Bush dhe tani Barack Obama. Dhe njësoj si paraardhësit e tij, edhe Presidenti Obama do ta shfrytëzojë fjalimin e tij për gjendjen e kombit kryesisht për të bërë publicitet për vendin e tij në histori.

Në fjalimin e tij Obama pritet t'u paraqesë bashkëkombasve të tij edhe sa e vështirë ka qenë situata në krye të periudhës kur ai erdhi në post dhe sa më e mirë është bërë ajo nën drejtimin e tij. Dhe me të vërtetë, pas shtatë vitesh në post, Obama pa dyshim mund të flasë për suksese të tij. "Ai e nxori SHBA-në nga një recesion i thellë, miratoi një reformë shëndetësore, reformoi Wall Street-in", thekson Ivan Morgan, profesor për studimet e SHBA në University College London. Në politikën e jashtme ai mund të përmendë marrëveshjen atomike me Iranin, fundin e periudhës së akullt me Kubën dhe Paktin e klimës në Paris.

Siguri e brendshme dhe e jashtme

Por për t'u paraqitur edhe në vitin e fundit të Presidencës së tij si president aktiv, që vepron, Barack Obama do t'i kushtojë vëmendje të paktën një teme politike aktuale të agjendës së tij: sigurinë e brendshme dhe të jashtme të SHBA.

"Ai mund të thotë se ka dy probleme, që kërcënojnë sigurinë e SHBA, thotë Ivan Morgan. "Në SHBA është lehtësia e sigurimit të një arme për njerëz, të cilët nuk duhet ta zotëronin atë. Dhe së jashtmi, është kërcënimi prej Shtetit Islamik."

Të paktën përsa i përket aspektit të parë - ashpërsimit të ligjeve për armët ai me siguri do të ndalet më gjatë në fjalën e tij, duke e bërë kërkesë kryesore në vitin e tij të fundit në post. Më parë, ai e tematizoi këtë temë me një fjalim emocional në një takim Town-Hall-Meeting me CNN dhe me një artikull në New York Times.

Ura për Klintonin

Lufta kundër National Rifle Associatio (NRA) i garanton Obamas në vitin e fundit në post edhe më tej vëmendjen e qytetarëve të tij dhe të medieve. Sepse në asnjë temë tjetër vendi nuk është kaq i përçarë sa kur bëhet fjalë për armët.

Dhe së fundi Obama ndërton me këtë edhe një urë të rëndësishme tematike për pasardhësen e tij të mundshme në post, Hillary Clinton. Ajo e lëvdoi iniciativën e tij dhe theksoi se Presidenti i ardhshëm duhet ta vazhdojë këtë rrugë dhe të mos e mbyllë më atë.