1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Obama garanton solidaritet me vendet e NATO-s

Presidenti amerikan Barack Obama nis një vizitë në Evropë, ku do të dëshmojë solidaritet me vendet partnere në NATO. Fillimisht qëndron në Estoni e pastaj edhe në Britani të Madhe.

Presidenti amerikan Barack Obama niset këtë të martë për në Evropë. Në prag të takimit të NATO-s në Uells ai do të vizitojë të mërkurën Estoninë, ku do të takohet me tre presidentët e vendeve baltike, si dhe me kryeministrin estonez Taavi Rõivas. Qëllimi është që të dëshmojë solidaritetin amerikan me partnerët: Letoninë, Lituaniën dhe Estoninë, por edhe me Poloninë dhe Rumaninë, të cilat prej fillimit të përzierjes së Rusisë në konfliktin e Ukrainës kanë kërkuar një prezencë më të madhe të NATO-s në këtë rajon, sepse kanë frikë për kufijtë e tyre.

Takimi i NATO-s

Pas këtyre takimeve Obama do të shkojë në Njuport në Uells, ku të enjten mbahet takimi i NATO-s dhe ku do të bisedohet në radhë të parë për gjendjen në Ukrainë dhe pasojat e krizës së atjeshme. Në këtë takim do të vendoset për krijimin e një udhëheqësie të trupave për ragime të shpejta NRF, siç u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Anders Fogh Rasmussen. NATO do që të jetë e aftë, që brenda 2-3 ditësh të dërgojë trupa në vendet anëtare, nëse ato cënohen nga Rusia. Ukraina e fajëson Rusinë për mbështetje me armë dhe trupa të seperatistëve prorusë në Lindje të këtij vendi. Moska i ka hedhur poshtë kritikat.

Rusia e "shokuar"

Konflikti i pëgjakshëm po zgjat prej mesit të prillit dhe deri tani vlerësohet se kanë humbur jetën të paktën 2600 njerëz. Kryetari i bashkisë në Kiev, Vitali Kliçko, apeloi tek Qeveria gjermane që ta furnizojë Ukrainën me armë. Udhëheqësia në Kiev ka kërkuar ndihma nga NATO në tre muajt e fundit, por deri tani pa sukses, shkruan ish-kampioni i botës në boks, për gazetën "Bild". Ai shkruan se Ukraina nuk po e mbronë vetëm vendin e vet, por edhe Evropën dhe vlerat e saj.

Moska i ka dënuar fjalët e ministrit ukrainas të Mbrojtjes, Valeri Geletej, i cili flet për "fillimin e një lufte të madhe për mbrojtjen e atdheut" në Ukrainë. Ministria e Jashtme ruse ka kumtuar se Rusia është e shokuar. "Nocioni lufta e madhe për atdhe" përdorej në ish-Bashkimin Sovjetik për Luftën e Dytë Botërore.