1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Obama duhet të punojë për të siguruar trashëgiminë e tij politike

Fitorja zgjedhore e republikanëve do ta thellojë më tej politikën bllokuese të kësaj partie. Këto dy vitet e fundit të mandatit të tij Obamës i duhet të sigurojë trashëgiminë e tij politike, mendon Michael Knigge.

Atë, që republikanët nuk e arritën në zgjedhjet e mesit të mandatit në vitin 2010 dhe 2012, e arritën tani në përpjekjen e tretë - kontrollin mbi dy dhomat e Kongresit Amerikan. Që në fillim dukej se shenjat ishin të favorshme: Një demokrat në Shtëpinë e Bardhë, popullariteti i të cilit ka rënë tashmë pothuajse në nivelin e George W. Bush. Një kalendar i përshtatshëm zgjedhjesh për republikanët, që parashikonte zgjedhjen e senatorëve në shumë shtete me orientim politik konservator. Dhe tendenca tashmë tradicionale e votuesve për të ndëshkuar partinë e presidentit në zgjedhjet e mesit të mandatit. Të gjitha këto së bashku përbënin një bazë solide për suksesin e madh elektoral të së ashtuquajturës Grand Old Party, (GOP).

Optimistët ndoshta besojnë ende se pushteti i rifituar i republikanëve në Kongres do të bëjë që ata më në fund ta ndryshojnë qendrimin e tyre dhe të bashkëpunojnë me një president "lame duck", në vend që të përpiqen për bllokimin e çdo iniciative të Shtëpisë së Bardhë.

Optimistët theksojnë se historikisht periudhat e ndarjes së pushtetit midis Presidentit dhe Kongresit kanë qenë më produktive, përsa i përket numrit të ligjeve të miratuara. Përveç kësaj republikanët për interesin e tyre duhet t'u tregojnë tani votuesve se GOP nuk është thjesht një parti bllokuese, por mund të bëjë edhe politikë konstruktive.

Nuk ka arsye për optimizëm

Michael Knigge

Michael Knigge

Ky argumentim megjithatë presupozon që deputetët e zgjedhur republikanë të mendojnë dhe të veprojnë në interes të partisë dhe të vendit. Për fat të keq e kaluara ka treguar se nuk është kështu, për shembull me paralizimin e administratës publike të vendit në vitin 2013, ose me bllokadën e vazhdueshme të reformës imigracionit.

Të dy janë shembuj klasikë të politikës republikane të obstruksionit. Në vend që të kujdesen për të përmirësuar jetën e qytetarëve, krahu i Tea Party i çon anëtarët republikanë të Kongresit në një opozitë frontale, që nuk është në pajtim me interesat e të gjithë partisë, por me kërkesat e zhurmshme të disa ekstremistëve rajonalë. Që kjo minon mundësinë e partisë për t'u zgjedhur nga elektorati bazë, si dhe nga votuesit latinë, që po fitojnë rëndësi gjithnjë e më të madhe, pak i preokupton aktivistët e Tea Party në shtetet e jugut dhe kudo tjetër.

Duke pasur parasysh këtë, është gati utopike të pranosh se Kongresi, në të cilin në të ardhmen përfaqësuesit e linjës së fortë do të jenë më shumë dhe jo më pak, do të nisë linjën e kompromisit me presidentin, i cili për shumë republikanë është shumë i padëshiruar. Në vend të kësaj Obama duhet të përgatitet për kohë të vështira në parlament.

Që prej rizgjedhjes së tij Obama e ka kuptuar më në fund se kompromiset me republikanët janë praktikisht të pamundura. Si pasojë që atëherë ai përpiqet të qeverisë duke nxjerrë dekrete presidenciale, që nuk kërkojnë miratimin e kongresit. Tendenca për të qeverisur me dekret ka mundësi të thellohet, por Obama me siguri do të jetë i detyruar të përdorë veton e tij për të ndaluar projektet e republikanëve. Si rezultat klima politike në Shtetet e Bashkuara mund të polarizohet edhe më shumë se ç'është tani.

Për të siguruar trashëgiminë e Obamës

Duke patur parasysh këtë Obama duhet të sigurojë për të ardhmen dy projektet më të rëndësishme të mandatit të tij, në vend që të përplaset me iniciativa të reja. Brenda vendit Obama duhet të sigurojë reformën e tij me të vërtetë historike të kujdesit shëndetësor dhe ta mbrojë atë nga rreziku republikan. Që nga miratimi i reformës ata kanë deklaruar, se do ta anullojnë atë, edhe pse reforma ka ulur në mënyrë të dukshme numrin e amerikanëve pa sigurim shëndetësor.

Në nivel ndërkombëtar Obama duhet të përpiqet të përfundojë sa më parë një marrëveshje bërthamore po historike me Iranin. Por kjo mund të jetë e vështirë. Në fakt Obama mund të heqë sanksionet me dekret për një kohë të kufizuar, por për një marrëveshje të ratifikuar i nevojitet miratimi i Kongresit. Nëse Obama arrin nënshkrimin e një marrëveshjeje paraprake me Teheranin dhe vënien e saj në jetë, për republikanët mund të jetë politikisht e vështirë për ta zhbërë të gjithën.

Kështu në dy vitet e fundit të mandatit të Obamës mund të vulosej fati i të dy sukseseve më të rëndësishme, dhe n këtë mënyrë edhe trashëgimia politike e presidencës së tij. Në vitin 2008 senatori Obama fitoi zgjedhjet presidenciale dhe demokratët Kongresin. Gjashtë vjet më pas presidenti Obama është i detyruar të mbrojë trashëgiminë e tij kundër një Kongresi republikan.

DW.COM