1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Obama dhe Xi takohen për herë të parë në Kaliforni

Presidenti amerikan Barak Obama dhe presidenti kinez Xi Jinping duan të rigjallërojnë marrëdhëniet midis dy vendeve. Në takimin e tyre të parë ata u shprehën për "një fillim të ri".

Presidenti amerikan Barak Obama dhe presidenti kinez Xi Jinping folën për një "model të ri bashkëpunimi". Marrëdhëniet e dy vendeve nuk kanë rëndësi vetëm për SHBA dhe Kinën, por për "të gjithë botën", u shpreh Obama. Xi, i cili është që prej marsit në krye të shtetit kinez, tha se marrëdhëniet dypalëshe ndodhen në një "pikënisje të re historike". Samiti zhvillohet në pronën luksurioze "Sunnylands" rreth 200 kilometër larg Los Angeles, larg protokollit të rreptë të Uashingtonit. Të dyja palët zgjodhën me qëllim këtë ambient jozyrtar, për të diskutuar më në qetësi me njëri-tjetrin, siç theksoi Obama. Kjo vihet re edhe në kodin e veshjes. Si Obama ashtu edhe Xi erdhën të veshur me kostum, por pa kravatë.

Obama pranoi se ka tensione në disa fusha dhe përmendi krahas çështjeve tregtare edhe problemin e sulmeve kibernetike kineze. Ai kërkoi nga miku i tij kinez që të operojnë së bashku kundër krimit kibernetik. Ka shumë rëndësi që në këtë temë të kemi një qëndrim dhe të veprojmë në bazë të të njëjtave parime. Xi nga ana e tij theksoi se vendi i tij është vazhdimisht "pre e sulmeve kibernetike". Qeveria amerikane akuzon udhëheqjen në Pekin, se hakerët kinezë sulmojnë rrjetet kompjuterike të ushtrisë amerikane dhe të firmave amerikane.

"Ka shumë fusha me tensione të pashmangshme midis dy vendeve tona. Por ajo, që unë kam mësuar gjatë katër viteve të fundit, është se të dy, populli amerikan dhe ai kinez duan një marrëdhënie të fortë dhe bashkëpunuese", u shpreh Obama. Ai siguroi se SHBA e përshëndesin "avancimin e vazhdueshëm paqësor të Kinës drejt një fuqie botërore". Obama shtoi, se "është me të vertetë në interesin e Shteteve të Bashkuara, që Kina që përparojë në rrugën e saj drejt suksesit."

Një Kinë e qëndrueshme, me mirëqënie, është në të mirën e gjithë botës. Ai pranoi në këtë kontekst, se është e natyrshme që dy ekonomitë më të mëdha të botës të jenë në konkurrencë dhe kërkoi gjithashtu që kombet t'u përmbahen të njëjtave rregulla. Obama përmendi edhe temën e të drejtave të njeriut. Ai nuk do të heqë dorë së theksuari rëndësinë e kësaj çështjeje, tha presidenti amerikan.

Xi tha se ka një sërë sfidash, të cilat kërkojnë më shumë komunikim dhe bashkëpunim. «Ne duhet të mendojmë, se çfarë lloj marrëdhëniesh duam", tha ai.

Këtë të shtunë Xi dhe Obama do të takohen përsëri. Tema të tjera të bisedimeve do të jenë ndër të tjera programi atomik i Koresë së Veriut dhe konflikti në Siri