1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Obama dhe Romney përmbyllin fushatën, Amerika hedh votën

Sondazhet tregojnë presidentin Barack Obama dhe sfiduesin e tij, Mitt Romney, në një garë të nxehtë që pritet të vendoset nga shtetet e lëkundura.

Në prag të votimit, përgjatë mbrëmjes të së hënës, presidenti Obama dhe Romney bënë deklaratat e tyre të fundit elektorale për votuesit amerikanë.

"U ktheva dhe një herë në Iowa për të kërkuar votën tuaj. U ktheva sërish për t´ju kërkuar juve që të na ndihmoni të përfundojmë atë që kemi nisur, sepse këtu nisi dhe lëvizja jonë për ndryshim," tha Obama përpara rreth 20 mijë njerëzish në Des Moines.

Barack Obama në Iowa

Barack Obama në Iowa

Romney përmbylli fushatën e tij me një miting të orëve të vona brenda një arene sportive në Manchester, New Hampshire.

"Nesër është një moment për të shikuar drejt së ardhmes dhe përfytyroni se çfarë mund të bëjmë, të lëmë pas krahëve këto katër vite dhe të ndërtojmë një të ardhme të re," tha Romney. "Ejani me mua. Nesër, ne do të nisim një të nesërme të re."

Të paktën 120 milionë amerikanë pritet të votojnë të martën dhe vendimi i tyre do të përcaktojë kursin e vendit për katër vitet e ardhshme. Sondazhet kombëtare tregojnë Obamën dhe Romneyn në të njëjtën situatë, edhe pse Obama ka një avantazh të lehtë në disa shtete të lëkundura, më së shumti në Ohio, që mund t´i japë presidentit aktual 270 votat elektorale që i nevojiten për të fituar.

Shumë shtete kanë prirje për të votuar në të njëjtën mënyrë, por shtetet e lëkundura janë të paparashikueshme sepse ata nuk kanë një drejtim të caktuar dhe mund të ndryshojnë kah në çdo raund votimesh.

Zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara nuk vendosen nga vota popullore por nga secili shtet. Të fitosh votën popullore në një shtet, edhe me një diferencë të vogël, zakonisht i siguron një kandidati të gjitha votat për në Kolegjin Zgjedhor. Një kandidati i duhen 270 nga këto vota për të marrë presidencën, të shpërndara tek shtetet, në bazë të popullsisë së tyre.

Mitt Romney në Manchester, New Hampshire

Mitt Romney në Manchester, New Hampshire

Është planifikuar që Romney të votojë në shtëpi, në Massachusetts, mëngjesin e së martës, para një udhëtimi vendimtar drejt Ohajos dhe Pensilvanisë. Obama, i cili votoi në tetor, do t´a kalojë ditën në shtëpinë e tij në Çikago.

Gara vazhdon

Fletët e para të votimit të këtyre zgjedhjeve u hodhën mëngjesin e së martës në qytetin e vogël të New Hampshire, në Dixville Notch, ku secili nga kandidatët mori nga pesë vota.

Gara e ngushtë presidenciale ngre shqetësime të diskutueshme gjithnjë e në rritje, dhe ngjan me zgjedhjet e vitit 2000 mes republikanit Xhorxh W.Bush dhe demokratit Al Gore, rezultatet e së cilës u vendosën nga Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara. Në të dyja fushtatat janë grumbulluar ekipe ligjore për t´u marrë me probleme të mundshme gjatë votimeve, sfida apo rinumërime.

Multimilioneri Romney, ish-drejtues i një fondi kapital privat, do të ishte presidenti i parë mormon dhe një nga amerikanët më të pasur që do të drejtonte Shtëpinë e Bardhë. Obama, presidenti i parë më ngjyrë, po konkurron për një mandat të dytë.