1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Obama dhe Kastro: në fundjavë përballë

Afrimi i lidhur me shumë shpresa i dy armiqve të betuar Kubë dhe SHBA ka nisur. Normalizimi i marrëdhënieve duhet të kalojë edhe disa pengesa. Më e qartë kjo është në temën e të drejtave të njeriut.

Që prej deklaratës historike të qeverive në Havanë dhe në Uashington, për t'i rivendosur marrëdhëniet diplomatike të ndërprera më 1961, shifrat e turistëve në Kubë janë shtuar dukshëm.

Për shumë qytetarë të SHBA Kuba ishte për një kohë të gjatë "ishull i ndaluar". Udhëtime për atje vërtet që edhe tani nuk janë të mundura pa pengesë, por kufizimet janë zbutur. Shumë vetë duan të shfrytëzojnë ndoshta shansin e fundit, për ta përjetuar ende Kubën "e vjetër", përpara se atje të hapen filialet e McDonalds e të ngjashme, që do t'i ndryshojnë pamjen vendit, dhe kur atje të zhduken nga qarkullimi automjetet amerikane të epokës së Ajzenhauerit.

Në një kohë që turistët e shohin Kubën me vështrim thuajse romantik, shumë kubanë mezi i presin ndryshimet: restaurim i godinave të vjetra, më shumë ekonomi private, më shumë mundësi udhëtimi, internet më i shpejtë, të ardhura më të larta - shpresat janë të shumëllojshme.

Edhe degët e ndryshme të ekonomisë së SHBA janë në pozicion pritjeje. Prej pak kohësh kryhen sërish fluturime direkte midis New York-ut dhe Havanës. Edhe shumë sipërmarrje tragetesh po nisin punën. Koncerne si Netflix, Google ose Apple kanë sinjalizuar hyrjen në tregun kuban.

Atmosfera është euforike, para një fillimi të ri.

Afrim me hapa të vegjël

Kaq shpejt, sa ç'shpresohet prej shumë vetëve, afrimi megjithatë nuk ecën. Një shembull për këtë është dialogu për të drejtat e njeriut. Ai konsiderohet si një nga kapitujt më delikatë dhe ka qenë veçanërisht në fokus të opinionit publik. Në 31 mars u zhvillua një takim i parë në Uashington. Në të u bënë të qarta edhe ndryshimet e mendimeve. SHBA kërkojnë nga Kuba para së gjithash përmirësime në lirinë e mendimit dhe të mbledhjes.

Kurse Kuba flet për koncepte të ndryshme të demokracisë dhe të të drejtave të njeriut. Havana bëri të ditur se do të flasë edhe për shkeljet e të drejtave të njeriut në SHBA- si p.sh. ato në burgun e Bagdadit, Abu Graib dhe në qytetin e vogël Ferguson, ku një i ri me ngjyrë u vra nga një polic, si dhe në fqinjësinë më të afërt: në bazën ushtarake të Guantanamos. Kubanët tërheqin vëmendjen për arritjet e tyre në fushën sociale, si në shërbimin shëndetësor falas dhe në arsim.

Një temë tjetër me natyrë shpërthyese është Venezuela. Presidenti i SHBA, Barack Obama e shpalli më 9 mars me dekret, aleaten më të ngushtë të Kubës, si rrezik për sigurinë kombëtare të SHBA. Ai vendosi edhe masa ndëshkimore kundër funksionarëve venezuelianë.

Raundet e para të bisedimeve në janar dhe në shkurt u karakterizuan se kaluan në frymën e "një dialogu pozitiv dhe konstruktiv". Por pas dekadash të tëra mosbesimi dhe përballë shumë çështjeve të hapura nuk do të ketë zgjidhje të shpejta.

Prandaj, në fillim në negociata do të diskutohen çështje, në të cilat mund të arrihet më shpejt dakordim. Këtu bën pjesë zgjerimi i bashkëpunimit në sigurinë e transportit ajror dhe në luftimin e epidemive, lufta kundër terrorizmit dhe tregtisë së drogës, telekomunikacioni dhe çështje të tjera.

"Në publik nuk do të dallohen shumë ndryshime, derisa të kemi hapur ambasadat", deklaroi kryenegociatorja e SHBA, Roberta S. Jacobson. Ky i fundit është objektivi i parë: rivendosja në të gjitha format të marrëdhënieve diplomatike me ndihmën e ambasadave në kryeqytete.

Përsa i përket kërkesës së Kubës, që SHBA ta heqin nga lista e shteteve që mbështesin terrorizmin, SHBA bëri të ditur se verifikimi i kësaj kërkese është tashmë në një fazë "të avancuar".

Shumëçka flet se do të ndodhë një afrim në hapa të vegjël, të kujdesshëm.

Në fundjavën e ardhshme në Panama do të ulen në të njëjtën tryezë përballë njëri-tjetrit Obama dhe Castro. Një shenjë shpresëdhënëse - jo vetëm për Kubën dhe SHBA, por për gjithë Amerikën.