1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Obama ashpërson tonet: Europa të zgjidhë problemet me borxhin

Në një kohë që ekonomitë europiane dhe amerikane janë në një gjendje të nderë, presidenti i SHBA, Barack Obama, ka paralajmëruar rrezikimin e mëtejshëm, nëse liderët europianë nuk punojnë për të zgjidhur krizën.

Obama kritik ndaj evropianëve

Obama kritik ndaj evropianëve

Në një fjalim të ashpër kritik dhe mjaft të rrallë kundër aleatëve transatlantikë presidenti amerikan Barack Obama ka kërkuar nga liderët europianë, që të zhvillojnë një “politikë më efektive dhe të koordinuar” për të zgjidhur problemet me borxhet.

"Aktualisht ju keni një monedhë të përbashkët, por ju nuk keni një program të përbashkët politikash ekonomike dhe kjo ka krijuar vështirësi”, tha Obama për vendet e Eurozonës. "Është mjaft e vështirë të koordinohesh, kur ke kaq shumë vende me politikanë të ndryshëm dhe situata të ndryshme ekonomike. Kursi i përbashkët është vështirë të arrihet”, tha Obama.

Geithner planifikon një takim me ministrat e Financave të Eurozonës

Geithner planifikon një takim me ministrat e Financave të Eurozonës

Duke folur përpara një grupi gazetarësh hispanikë në Shtëpinë e Bardhë, Obama tha se Greqia është “problemi evident më i madh” dhe se qeveria atje po ndërmerrte hapa për të ngadalësuar krizën, por jo për ta zgjidhur.

"Problemi më i madh është ajo çfarë po ndodh në tregjet italiane dhe ato spanjolle”, shtoi Obama duke nënvizuar se Uashingtoni është shumë i angazhuar që të zgjidhë krizën në Eurozonë. Sekretari amerikan i Thesarit, Timothy Geithner, po planifikon ndërkohë këtë fundjavë një takim me ministrat e Financave të Eurozonës. Geithner u rikthye në SHBA pas një takimi në Marsejë, në Francë, ku kërkoi nga shtetet e forta ekonomikisht në BE të ndihmojnë ato më të dobëtit, si Greqia.

Papandreou në një konferencë në Selanik, me 11.09 2011.

Papandreou në një konferencë në Selanik, me 11.09 2011.

Takimi i Geithner në fundjavë do të jetë i pari në histori për një Sekretar Amerikan të thesarit në mbledhjen e Eurozonës dhe kjo vërteton shqetësimin, që SHBA ka për eksportimin e krizës.

Athina e kapur “mat”

Greqia ndërkohë ka rinisur bisedimet me huadhënësit ndërkombëtarë për të marrë këstin tjetër të kredisë 8 miliardë Euro, në mënyrë që të shmangë një tjetër “black out” ekonomik. Bisedimet ishin pezulluar, për shkak se mjaft kritikë thanë se Greqia nuk po merrte masat e nevojshme për të ristrukturuar ekonominë dhe për të reduktuar defiçitin publik në këmbim të parave, që do marrë nga BE. Athina zyrtare ka aprovuar një taksë të re për pasuritë e paluajtshme, në përpjekjet për t'i dhënë frymëmarrje buxhetit.

Autor: Aurel Boriçi (Reuters, AP, dpa)

Redaktoi: Angjelina Verbica