1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Afganistan janë vrarë sot katër ushtarë gjermanë

15 Prill 2010

Sulmi kundër trupave gjermane ka ndodhur, në një kohë, kur në Afganistan qëndron për vizitë ministri gjerman i Mbrojtjes zu Guttenberg

https://p.dw.com/p/Mx4p
Një transportues i Bundesverit në AfganistanFotografi: AP

Katër ushtarë gjermanë janë vrarë sot dhe disa të tjerë janë plagosur, si pasojë e një sulmi me raketa në Afganistan. Sulmi ka ndodhur në provincën Beghlan në afërsi të Kundusit. Këto të dhëna të agjencive të lajmeve dhe mediave gjermane i ka konfirmuar ndërkohë edhe Ministria e Jashtme gjermane.

Sulmi ka ndodhur në kohën kur ministri i Mbrotjes Karl-Theodor zu Guttenberg po përgatitej të largohej nga Afganistani, ku ishte për vizitë tek trupat gjermane. Burimet gjermane të informacioneve bëjnë të ditur se ministri zu Guttenberg ka vendosur që për një kohë të vazhdojë qëndrimin atje.

Përgjegjësinë për këtë sulm e kanë marrë talibanët radikalë islamikë. Zëdhënësi i talibanëve Sabiullah Muxhahid deklaroi se ata kanë sulmuar me raketa trupat gjermane. Mirëpo këto të dhëna ende nuk janë konfirmuar prej ndonjë burimi tjetër. Që prej fillimit të misionit në Afganistan trupat gjermane janë sulmuar prej kryengritësve talibanë dhe ekstremistëve disa herë. Deri tani, sipas të dhënave të mediave gjermane, janë vrarë gjatë misionit në Afganistan të paktën 43 persona. Prej tyre gjatë përleshjeve me trupat kryngritëse kanë vdekur 26, njoftojnë agjencitë e lajmeve. Ky është sulmi i dytë me radhë brenda pak kohësh, sepse të premten para Pashkëve në Kundus janë vrarë tre ushtarë gjermanë dhe janë plagosur disa të tjerë. Sulmi i parë ka ndodhur më 6 mars të vitit 2002, ndërsa i fundit sot, kur u qëlluan për vdekje katër ushtarë dhe u plagosën disa të tjerë. Sulmet e fundit në Afganistan kanë bërë që në Gjermani të hapet një debat i gjërë për misionin e ushtarëve në këtë vend dhe përgatitjen e tyre për veprim në kushtet e vështira atje. Edhe vetë qëllimi i vizitës së ministrit Guttenberg në Afganistan ishte përmirësimi i kushteve dhe paisjeve të ushtarëve gjermanë atje.

Autor: Bahri Cani (dpa)

Redaktoi: Angjelina Verbica