1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

NZZ: Gjermania rol drejtues në krizën në Ukrainë

Komentatorët perëndimorë kërkojnë një gjuhë të qartë sanksionesh të ashpra ndaj Moskës dhe vlerësojnë rolin e veçantë të Gjermanisë në konfliktin e Ukrainës.

Në sfondin e zhvillimeve të ditëve të fundit në Ukrainë komentatorët e mediave perëndimore kërkojnë një gjuhë të qartë sanksionesh të ashpra ndaj Moskës. Po ashtu ato nxjerrin në pah edhe rolin e veçantë të Gjermanisë në konfliktin e Ukrainës.

Gazeta «Neue Zürcher Zeitung am Sonntag» komenton në numrin e saj të së dielës rolin e Gjermanisë në krizën në Ukrainë:

«Në krizën në Ukrainë Gjermania ka edhe një herë rol drejtues ndërkombëtar dhe po e luan mirë atë. Berlini drejton aleancën perëndimore kundër dëshirave ekspansioniste të presidentit rus Vladimir Putin. Kjo aleancë e përbërë nga fajkoj në Uashington dhe njerëz që e kuptojnë Putinin në Evropë arriti, që falë presionit të përbashkët ndaj Moskës, të liroheshin vëzhguesit e OSBE-së që mbaheshin peng. Por e gjitha kjo nuk mjafton për ta ndalur përshkallëzimin e dhunës në Ukrainë. Qeveria ukrainase u shpreh dje për herë të parë për "luftë". Në rast se Perëndimi mund ta ndalojë këtë, atëhere kjo arrihet me saksione të ashpra ekonomike kundër të gjithë atyre që vazhdojnë të luajnë me mendjelehtësi me zjarrin. Sanksione më të forta ndaj Moskës do t'i dhëmbin shumë këtij vendi. Dhe meqenëse Berlini drejton aleancën kundër Putinit, masa të tilla nga Berlini do të kishin një efekt të veçantë sinjalizues.

Gazeta konservatore britanike «The Sunday Times» e komenton me këto fjalë strategjinë e Perëndimit ndaj Rusisë në konfliktin e Ukranës:

«Edhe në rast se presidenti Putin është i gatshëm ta ndajë Ukrainën me dhunë, gënjeshtra dhe manovra subversive, Perëndimi mund t'i shkaktojë Rusisë dëme të rënda ekonomike. Në tremujorin e parë të këtij viti largimi i kapitalit nga Rusia u vlerësua në shumën 60 miliardë dollarë dhe rubla si dhe bursa e Moskës kanë pësuar humbje. Por ekziston rreziku që kriza të përshkallëzohet dhe t'i kapërcejë kufijtë e një lufte të thjeshtë për pushtet mes shteteve. Perëndimi duhet të heqë patjetër dorë nga qëndrimi i tij deri tani i shkujdesur dhe të zhvillojë një politikë të qartë për t'u përballur me agresionin."