1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nxitje për të zgjidhur problemin e emrit

18 Nëntor 2009

Nikolla Gruevski dhe Jorgos Papandreu duhet të ulen në të njëjtën tavolinë, sepse kjo është rruga më e sigurt për të zgjidhur kontestin mbi emrin. Kështu ka theksuar kryesuesi i BE, Karl Bildt.

https://p.dw.com/p/KaKM
Milososki dhe Karl Bildt
Milososki dhe Karl BildtFotografi: Dragan Todorovski

Pas mesazheve të djeshme optimiste se kontesti mbi emrin është i zgjidhshëm, ministri i jashtëm suedez Karl Bildt, në një deklaratë për Deutsche Wellen i sugjeron Jorgos Papandreut dhe Nikolla Gruevskit të hyjnë në negociata të drejtpërdrejta për t'i dhënë fund mosmarrëveshjes mbi emrin, e cila 18 vite me rradhë po i vështirëson marrëdhëniet dypalëshe të Greqisë dhe Maqedonisë. "Unë mendoj se është e rëndësishme që dy kryeministrat të bisedojnë drejtpërdrejtë dhe pastaj mbështetjen e nevojshme teknike do ta japë ndërmjetësi i Kombeve të Bashkuara, Metju Nimic. Mbi të gjitha unë mendoj se në thelb duhet të jetë dialogu i drejtpërdrejtë politik midis Shkupit dhe Athinës," thotë Karl Bildt.

Zgjidhja qëndron mbi të gjitha në vullnetin politik

Ministri suedez, i cili kryeson aktualisht Bashkimin Evropian shpreh optimizëm për arritjen e një kompromisi ndërmjet Athinës dhe Shkupit, sepse sipas tij zgjidhja qëndron mbi të gjitha në vullnetin politik: "Unë kam parë se gjërat e mëdha mund të arrihen me vullnet të mirë politik. Unë shoh një mundësi për të zgjidhur problemin, dhe kjo duhet të shfrytëzohet. Kjo është një situatë në të cilën nuk do të ketë humbur në të dy vendet e rajonit dhe sinqerisht shpresoj se liderët politik do ta shfrytëzojnë këtë rast. Shtyra e zgjidhjes së këtij problemi do të jetë në dëm të të dy vendeve, pa dyshim, të dyja palët do të kenë vuajtur nga ajo," thotë Carl Bildt.

Ekzistojnë mundësi reale për zgjidhjen e problemit

Edhe komisioneri për zgjerim i Bashkimit e Evropian Olli Rehn, sheh në këtë periudhë një mundësi të madhe për të rregulluar problemin. "Sipas mendimit tim, kjo është një mundësi reale, e cila duhet tani të shfrytëzohet dhe problemi të dalë nga rendi i ditës." Guximi për zgjidhjen e problemit, sipas Rehn, duhet të kërkohet në rekomandimin e Komisionit, të shpallur më 14 tetor, se Maqedonia është e gatshme të fillojë negociatat e anëtarësimit me BE. "Ne kemi bërë rekomandim serioz. Në këtë kontekst kam thënë se duhet të shihet si një nxitje e fortë për të zgjidhur problemin. Besoj se ky mesazh u prit mirë dhe se përpjekjet vazhdojnë për të gjetur një zgjidhje, " theksoi Komisioneri Olli Rehn.

Rehn dhe Bildt refuzuan mundësinë e ndërmjetësimit të Bashkimit Evropian në bisedimet për emrin.Sipas Rehn kontaktet me udhëheqjen maqedonase zhvillohen në mënyrë permanente.

Referendumet në Evropën Juglindore janë të rrezikshëm

Maqedonia deri më datën 7 dhjetor mund të bëjë një hap të vërtetë drejt procesit euro-atlantik poqe se i jep fund mosmarrëveshjes mbi emrin. Njëra nga pengesat e mundshme është mbajtja e një referendumi nga ana e qeverisë maqedonase në qoftëse arrihet zgjidhje e pranueshme, akt i cili për ministrin Bildt është shumë i rrezikshëm. "Kurrë nuk i mbështes referendumet në Evropën Juglindore. Ata janë të rrezikshëm," tha Karl Bildt.

Presidenca suedeze ka interes të madh për Ballkanin Perëndimor, në veçanti ministri i jashtëm suedez Karl Bildt, i njohur për përvojën e tij të gjerë në rajon. Mbajtja e mbledhjes se Këshillit të Ministrave më datën 7 dhjetor do të jetë ende në duart e suedezëve, nga të cilët Maqedonia mund të presë shumë më tepër se sa nga Spanja dhe Belgjika, të cilat kanë një sërë përparësish të tjera në planet e tyre.

Autor : Tanja Milevska / Qeriman Bekteshi

Redaktoi : Aida Cama