1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Nxitje e tregtisë së lirë dhe konkurrencës - Heqja e barrierave doganore në kuadër të CEFTA-s

Vendimi për heqjen e tarifave doganore për prodhimet bujqësore, që vijnë në Shqiperi nga vendet e Ballkanit Perëndimor, ka krijuar hapësira të reja për tregtinë e lirë.

default

Heqja e plotë e tarifave doganore për produktet bujqësore që hyjnë në tregjet e Shqipërisë nga vendet e rajonit, që aspirojnë integrimin evropian, është pjesë e zbatimit të Marrëveshjeve të Tregëtisë së Lirë me këto vende. Që nga viti 2006 kur Shqipëria nënshkroi këtë Marrveshje, të njohur me inicialet CEFTA, tarifat doganore për produktet bujqësore nga vendet e rajonit kanë ardhur duke u reduktuar deri në heqjen e tyre të plotë në verën e sivjetme. Qëllimi: ecja drejt krijimit të një tregu unik rajonal si paradhomë e tregut të BE, ku Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor aspirojnë të anëtarësohen një ditë.

Roland Laroshi, drejtor për Politikat Bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë.

Roland Laroshi, drejtor për Politikat Bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë.

Roland Laroshi, ekspert, Drejtor për Politikat Bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë, thotë për DW se ky vendim do të rrisë më tepër volumin e import – eksporteve të produkteve bujqësore mes Shqipërisë dhe vendeve të rajonit, që kanë hyrë tanimë në proceset integruese evropiane.

“Eksportet e produkteve bujqësorë nga Shqipëria në tregjet e vendeve të rajonit si Maqedoni, Mali i Zi, Serbi, Kosovë, Bosnjë- Hercegovinë me të cilat Shqipëria ka nënshkruar marrëveshjet e tregtisë së lirë, janë rritur me 21% në vitin 2010 në krahasim me vitin 2009. Në këtë rritje ka ndikuar edhe ulja e barrierave dhe tarifave doganore dhe heqja dorë nga politikat proteksioniste nga këto vende të rajonit në kuadër të kësaj marrëveshjeje,” thotë Roland Laroshi.

Kjo pasi Shqipëria ka avantazh në prodhimin e perimeve të freskëta, të hershme në krahasim me vendet e rajonit, me të cilat ka nënshkruar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë.

“Tregjet e Ballkanit Perëndimor por edhe ato të Evropës Qendrore dhe Juglindore janë destinacione të njohura tanimë të eksporteve nga Shqipëria të produkteve të hershme, të freskëta bujqësore dhe sidomos të atyre bostanore. Janë krijuar partneritete mes eksportuesve shqiptarë dhe importuesve të këtyre vendeve” - thotë Roland Laroshi.

CEFTA - Nxitje e konkurrencës dhe afrim me standartet e BE-së.

CEFTA - Nxitje e konkurrencës dhe afrim me standartet e BE-së.

Heqja e tarifave doganore dhe aftësia konkurruese

Heqja e tarifave doganore për produktet bujqësore nuk krijon premisa vetëm për rritjen e eksportit të këtyre produkteve nga Shqipëria drejt vendeve të rajonit dhe të importeve nga këto vende. Ky vendim nxjerr në rend të ditës cilësinë dhe standartet e produkteve bujqësore që qarkullojnë në bazë të marrëveshjeve të tregëtisë së lirë. Fiton tregjet rajonale produkti bujqësor me cilësi më të lartë dhe me kosto më të ulët prodhimi. Por si mund të mbeten në tregjet ballkanike produktet bujqësore shqiptare në kushtet e heqjes së tarifave doganore dhe vërshimit në tregjet vendase të prodhiimeve bujqësore maqedonase apo serbe?

“Gjithë sekreti është konkurrenca. Fermerët shqiptarë duhet të jenë gjithmonë konkurrues në tregje” - thotë Roland Laroshi.

Për të arritur këtë qëllim qeveria e Tiranës u jep subvencione 4 vjeçare fermerëve për të aplikuar mekanikën e përparuar dhe inovacionet në fushën e bujqësisë.

Test për integrimin në BE

Zbatimi me sukses i Marrëveshjeve shumëpalëshe të tregëtisë së lirë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor që kanë hyrë në procesin e integrimit europian konsiderohet një test për të matur sesa të të afta janë këto vende për t'iu bashkuar ekonomisë së BE.

“Marrëveshjet e Tregëtisë së Lirë, CEFTA, janë si një lloj ushtrimi, testi parapërgatitor drejt integrimit në BE. Nëse vendet e Ballkanit Perëndimor janë të afta të zhvillojnë tregtinë e lirë në rajon, dinë të krijojnë një treg unik rajonal, mbështetur në ngjashmëritë mes tyre, atëhere janë të afta edhje për të qënë pjesë integrale e tregut të BE. Nga ana është edhe një nxitje për të rritur standartet. P.sh. nëse Maqedonia apo Serbia ka standarte më të larta në cilësinë e produkteve bujqësore edhe vendet e tjera të rajonit janë të detyruara ta arrijnë atë standart. Importet të mësojnë dhe fermeri shqiptar do të thotë: shiko se cfarë standarti ka fermeri maqedonas apo malazes p.sh.,” thotë Z. Laroshi.

Ndërkohë ka edhe një shans tjetër për fermerët e Shqipërisë: statusi i vendit kandidat për anëtarësim. Shqipëria pritet të përsërisë aplikimin për këtë status në shtator. Nëse e fiton atëhëre BE ka programe të fuqishme subvencionimi për fermerët shqiptarë për të arritur standartet europiane të produkteve bujqësore.



Autore: Ani Ruci / Tiranë

Redaktoi: E. Xhani