1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Numri i viktimave nga minat antiperson është në rënie

10 vjet më parë, më 2 dhjetor 1997, 121 shtete nënshkruan në Otavë të Kanadës një konventë ndërkombëtare për ndalimin e minave anti-njeri. Kjo konventë po përdoret si shembull edhe për lloje të tjera armësh

default

Largim i minave në Etiopi

Me Konventën e Otavës u arrit për herë të parë në histori ndalimi i përdorimit të armëve si pasojë e trysnisë së opinionit publik. Ishte hera e parë që në hartimin e një marrëveshjeje ndërkombëtare merrnin pjesë edhe organizatat joqeveritare: "Konventa e Otavës e vitit 1997, e cila ndalon prodhimin, deponimin dhe tregtinë e minave antinjeri, është një nga instrumentat më të suksesshëm për kontrollimin e armatimit në botë," vlerëson Gernot Erler, ministër i shtetit për punë të jashtme, me rastin e dhejtëvjetorit të nënshkrimit të saj.

Ndërkohë numri i vendeve që e kanë ratifikuar marrëveshjen ka arritur në 156. Por për fat të keq, vendet më të rëndësishme, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kina dhe Rusia, nuk janë të treguar të gatshme të përfshihen në të. Por, edhe pa pjesëmarrjen e këtyre shteteve, Konventa e Otavës ka treguar që tani rezultate pozitive.

Një nga indikatorët kryesorë është fakti, që numri i viktimave është në rënie. Aktualisht janë mbi 5000 njerëz që humbin jetën ose pjesë të trupit si pasojë e minave, shumë syresh janë fëmijë, siç ka konstatuar Bianca Jagger, presidente e "Këshillit për të Ardhmen e Botës" (Worldfuture Council), e që në vitin 2004 u nderua me çmimin alternativ Nobel të paqes. "Kam 25 vjet që po udhëtoj nëpër zona lufte, përfshirë edhe vendin tim Nikaraguan. Kam qenë në Salvador, Guatemale, Bosnjë, Kosovë, Irak, Afganistan dhe vende të tjera dhe kam qenë dëshmitare e luftërave e tmerreve të tyre. Në se ka diçka që kam mësuar nga përvoja ime, është që viktimat e vërteta të luftës janë persona civilë dhe shumë shpesh fëmijë", rrëfen ajo.

Deri në vitet 90-të minat antinjeri përdoreshin edhe nga ushtritë e vendeve demokratike. Fakti, që atëherë në vende si Afganistani, Kamboxha, Angola dhe Mozambiku vriteshin ose gjymtoheshin mijëra njerëz nga minat antinjeri, pothuajse nuk i binte në sy askujt në vendet perëndimore. Kthesa vetëdijësuese filloi në shumë vende demokratike, kur në vitin 1991 fondacioni amerikan i veteranëve të Vietnamit (Vietnam Veterans of Amerika Foundation) së bashku me organizatën joqeveritare gjermane ‚medico international' filluan një fushatë kundër minave antinjeri. Deri në vitin 1997 kësaj lëvizjeje iu bashkangjitën gjithsej 1.000 organizata joqeveritare, duke ushtruar kështu presion në shumë vende. Si përfundim rezultati ishte fillimi i negociatave të para jashtë strukturave shtetërore për ndalimin e minave antinjeri.

Gjermania e shpalli në vitin 1996 ndalimin e minave antiperson duke i dhënë kështu një dinamikë të veçantë të gjithë procesit në shkallë ndërkombëtare. Që atëherë ajo e ka mbështetur vazhdimisht shtrirjen e mëtejshme të marrëveshjes dhe është financuesi më i madh i iniciativës, siç bëri të ditur ministri i shtetit Gernot Erler. Mbi 150 milionë Euro ka vënë në dispozicion deri tani qeveria gjermane për pastrimin e minave dhe mjeteve të tjera ushtarake antinjeri.

Drejtori i „Medico International“, Thomas Gebauer, është i mendimit se marrëveshja e Otavës dhe pasojat e saj kanë mundësuar që rregulla të tilla ndërkombëtarë të zgjerohen edhe në ato kontekste dhune, të cilat nuk përfshihen në të drejtën ndërkombëtare. Pasi minat antinjeri nuk përdoren vetëm nga ushtritë e rregullta. Fushata zvicerane GENEVA CALL u ofron për shembull edhe organizatave joshtetërore, si grupeve të rebelëve, ushtrive çlirimtare apo qeverive faktike një mundësi që të përfshihen në marrëveshje. Ky është një rast unik, pasi rregullore të tilla ndërkombëtare zakonisht mund të nënshkruhen vetëm nga shtetet. Qeveria e kantonit zviceran të Gjenevës është treguar e gatshme që të dokumentojë deklaratat e këtyre aktorëve joshtetërorë: "Ndërkohë janë 31 grupe të armatosura nga e gjithë bota, si për shembull Birmania, Burundi, India, Iraku dhe Filipinet, Somalia, Sudani, Turqia, Sahara Perëndimore etj, që e kanë shfrytëzuar këtë mundësi", raporton Gebauer.

Procesi i Otavës është kthyer tashmë në një shembull edhe për llojet e tjera të armëve, thotë Gernot Erler. Aktualisht po zhvillohen negociata për ndalimin e bombave me municion shpërndarëse: "Qeveria gjermane po anagzhohet prej shumë kohësh për ta rregulluar përdorimin e tyre," deklaron Erler. Një marrëveshje për fillimin e negociatave ndërkombëtare për këtë çështje u nënshkrua më datën 13 nëntor të këtij viti në Gjenevë. Dhe ky është një hap shumë i rëndësishëm, vlerëson ministri i shtetit.