1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Nuk rikthehet besimi tek presidenti Wulff - Sondazhe dhe opinione qytetare

Presidenti gjerman Christian Wulff po kritikohet ashpër. Në një intervistë televizive ai u përpoq të rifitojë besimin e humbur tek qytetarët. Por reagimet në internet tregojnë qartë, se ai nuk ia doli të bindë gjermanët.

Christian Wulff në intervistë

Christian Wulff në intervistë

Mbështetja për presidentin gjerman kishte rënë që para intervistës të Christian Wulffit për televizionin publik gjerman, ARD. Në një sondazh të televizionit publik "Trende në Gjermani" të televizionit ARD, dukej qartë që mbështetja për Wulffin përgjatë javës vinte gjithnjë e më shumë në rënie. Nëse të hënën vetëm çdo i treti kërkonte dorëheqjen e presidentit, pak orë para intervistës, çdo i dyti anketues kërkonte dorëheqjen e tij. Të mërkurën presidenti gjerman shkoi në ofensivë duke shkuar në studio t'i përgjigjej pyetjeve të gazetarëve. A mundet ai ta rikthejë besimin e njerëzve si tek Christian Wulff si president ashtu dhe tek posti i presidentit?

Temë sunduese në mediat gjermane

Temë sunduese në mediat gjermane

Dalja në ekran e presidentit gjerman ka sunduar mediat gjermane të enjten (05.01). Një vështrim nëpër forumet e internetit dhe blogje të krijon përshtypjen: Kjo intervistë nuk e ka edhe efektin që pritej. Megjithëse fjalët e fundit të intervistës së presidentit gjerman, tingëllojnë besimplote. "Unë jam përballë sfidave të rënda tani, por e dimë që nuk iu duhet ikur sfidave por duhet të përballesh me to, duhet të kalosh përmes këtyre provave."

Gjithnjë e më pak përkrahës

Në faqen e facebookut të presidentit gjerman, Christian Wulff deri të enjten kishin hyrë reagime nga më të ndryshmet, të cilat janë kritike në shumicën e tyre. Një përkrahësi të Wulffit i qëndrojnë përballë nëntë kritikë. Përkrahësit e presidentit ose nuk e kanë ngritur zërin, ose nuk ka më shumë syresh. Shumë gjermanë në Facebook nuk e preferojnë më presidentin e tyre dhe japin pretencën me fjalinë: "Nuk më pëlqen më!"

Edhe formulimet në Facebook janë nga më të ndryshmet. Aty gjen nga fjali si "Kush gënjen njëherë, atij nuk i besohet më! (Albrecht Koch) deri tek "Përshëndetje zoti Wulff, nëse keni karakter, jepni dorëheqjen."(Achim Roeser) Ndërsa një përdoruese tjetër e internetit shkruan se Christian Wulff ka qenë zgjedhje e kancelares Merkel. "Ajo (Angela Merkel) e ka zgjedhur atë, nuk duhet që të mbajë edhe ajo pasojat e zgjedhjes së saj?"(Faude Jola) Edhe në twitter ka pasur shumë reagime, shumica jo pozitive. Ndërsa në komunitetin e blogjeve intervista e presidentit Wulff shihet me më shumë reflektim dhe më thellë. Por edhe këtu sundojnë opinionet se Christian Wulff nuk ia doli të bindte njerëzit.

Studioja televizive

Studioja televizive

Dëmtim i postit të presidentit

Gazeta gjermane "Kölner Wochenspiegel" në faqen e saj të internetit kërkonte opinionin e përdoruesve në një sondazh me pyetjen: "Po tani, zoti president?". Përdoruesit mund të jepnin mendimin pro ose jo dorëheqjes së presidentit. Në orën 17:00 të enjten 58,4% e përdoruesve kishin klikuar fjalinë "Ai ka gënjyer dhe duhet të largohet".

Megjithëse sondazhet e internetit nuk janë tërësisht përfaqësuese, sepse ka edhe njerëz që nuk e përdorin atë dhe ata mbeten jashtë këtij vlerësimi, ato japin një lloj trendi lidhur me çështjen. Vetëm 10,7% e përdoruesve në sondazhin e përmendur e shohin presidentin si viktimë. Ata shohin pas debatit për aferën e kredisë së presidentit një fushatë përndjekëse të mediave. Këtë dyshim e ka hedhur edhe studiuesi i mediave Lutz Hachmeister në një njoftim të agjencisë, epd:" Afera Wulff është definitivisht një luftë e shpallur e klasës së gazetarëve kundër klasës së politikanëve."

Ndërsa politikanja socialdemokrate, Andrea Nahles mendon se i gjithë ky debat në fund të fundit ka dëmtuar postin e presidentit. "Christian Wulff ka mbrudhur postin e presidentit, kjo nuk është gjë e mirë. Pyes veten se si do të arrijë ai të rivendosë autoritetin normal."

Autor: Dirk Kaufmann / Ensminger / Arapi

Redaktoi: Esat Ahmeti

DW.COM