1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Referendumi i parëndësishëm

16 Shkurt 2012

Intervistë me Johanna Deimel

https://p.dw.com/p/144GP
Johanna Deimel, zëvendëskryetare e Shoqatës për Evropën Juglindore.
Johanna DeimelFotografi: Southeast Europe Association

DW: Zonja Deimel, në veri të Kosovës është mbajtur një referendum i serbëve, ku shumica prej tyre i tha jo shtrirjes së institucioneve kosovare në këtë pjesë të vendit. Ka ky referendum ndonjë pasojë juridike?

Deimel: Jo, ky referendum në asnjë mënyrë nuk mund të ketë ndonjë domethënie juridike. Këtë e kanë thënë të gjithë. Bashkësia ndërkombëtare, Beogradi dhe Prishtina e kanë shpallur menjëherë si jo legal dhe të pavlefshëm. Natyrisht që ky referendum shpreh disponimin e serbëve që jetojnë në këtë pjesë të Kosovës dhe në këtë mënyrë mund të ketë një ndikim indirekt. Por diçka tjetër nuk mund të pritet, sepse edhe pyetja në këtë referendum ka qenë shumë sugjestive. Sipas informacioneve të mia, ka pasur shumë njerëz që nuk kanë dashur dalin në vendvotime, por ka pasur presion që ata të dalin dhe të votojnë.

DW: Qeveria në Beograd dhe presidenti serb Boris Tadiq e kanë shpallur këtë referendum të dëmshëm dhe të panevojshëm. Por ka dhe ekspertë të cilët thonë se rezultatet e këtij referendumi një ditë do të nxirren mbi tavolinë dhe mund të përdoren si argument në kërkesat për ndarjen e Kosovës?

Deimel:  Kjo nuk është asgjë e re sepse Beogradi dhe serbët e veriut të Kosovës kaherë e kanë përdorur këtë argument. Por është interesante që serbët e veriut kësaj radhe kanë votuar në mënyrë demonstrative kundër vullnetit të Beogradit, i cili ka kërkuar prerë që referendumi të mos mbahet. Kjo tregon se mes kryetarëve të bashkive serbe në veri dhe Beogradit ekziston një përçarje shumë e madhe politike. Kjo mund të shihet edhe në kuadër të fushatës për zgjedhjet e ardhshme në Serbi, të cilat duhet të mbahen në maj. Fakt është që mes serbëve të veriut dhe Beogradit është krijuar një humnerë e madhe. Mbetet të shihet se cilat do të jenë rezultatet e zgjedhjeve. Por serbët në veri po luajnë me zjarr, sepse mund të mbeten të izoluar si nga Beogradi ashtu edhe nga institucionet e Kosovës.

DW: Kjo do të thotë se ky referendum mund të shikohet edhe si pjesë e fushatës elektorale për zgjedhjet e ardhshme në Serbi?

Deimel: Referendumi mund të shikohet edhe nga kjo perspektivë, sepse në Serbi ka pasur forca që e kanë mbështetur hapur. Por, natyrisht që këtu luan një rol edhe fakti që Beogradi ende nuk ka hequr dorë në tërësi nga mendimet për ndarjen e Kosovës. Nuk duhet harruar edhe faktin që e gjitha kjo po zhvillohet në prag të vendimit për statusin e kandidatit për anëtarësim të Serbisë në Bashkimin Evropian.

DW: A është e mundur ndarja e Kosovës?

Deimel: Ambicjet për ndarjen e Kosovës ekzistojnë kaherë. Por jam shumë e sigurt që bashkësia ndërkombëtare në asnjë mënyrë nuk do të dakordohet me ndarjen. Që në fillim janë vënë vijat e kuqe - nuk mund dhe nuk do të ketë ndarje të Kosovës.

DW: Zonja Deimel, kohët e fundit në Kosovë ka pasur politikanë dhe akademikë që kanë kërkuar një lloj shkëmbimi të territoreve  - veriu i Kosovës për Luginën e Preshevës. Mendoni se kjo ndoshta është zgjidhja më e mirë?

Deimel: Këto janë gjëra që shpesh futen në lojë. Por më mirë do të ishte që të mendohet se si mund të përmirësohet gjendja ekonomike dhe sociale në të gjithë territorin. Ne të gjithë e dimë se sa më e keqe që është gjendja ekonomike dhe sociale më i madh është rreziku nga radikalizimi i gjendjes. Ndërkohë që njerëzit duan të kenë një perspektivë të qartë. Ne të gjithë po punojmë që Kosova dhe Serbia të kenë një perspektivë evropiane. Ndarje apo shkëmbime territoresh nuk do të ketë.

DW: Kur jemi tek perspektiva e rajonit: Serbia shpreson që në fund të këtij muaji të marr dritën jeshile për statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Mendoni se kjo kërkesë është reale, kur dihet se mes Kosovës dhe Serbisë ende nuk ka kurfarë përparimi në dialog?

Deimel: Këtë nuk mund ta vendos unë. Beogradi duhet të ofrojë garanca dhe të plotësojë kushtet e shtruara nga Berlini. Deri tani ka pasur përpjekje për realizimin e kërkesave, por Berlini është relativisht strikt në kërkesat e tij.

DW: Domethënë Berlini nuk do të heqë dorë nga kërkesat e veta?

Deimel: Mund të jeni të bindur. Berlini ka hedhur në tavolinë kërkesat e tij dhe nuk do të kënaqet vetëm me premtime gojore.

Intervistën e zhvilloi Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama