1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

'Nuk kemi kohë të presim'- Kërkohet trajtimi i së kaluarës në Ballkan.

Një grup shoqatash serbe kërkojnë më shumë mbeshtetje nga Bashkimi Evropian për trajtimin e së kaluarës së viteve 90-të në ish-Jugosllavi. Në krye të tyre është aktivistja e njohur serbe Natasha Kandiç.

Mbajtësit e Çmimit për Evropën të Fondacionit Schwartzkopf:Terselic, Kandiç, Tokaca

Mbajtësit e Çmimit për Evropën të Fondacionit Schwartzkopf:Terselic, Kandiç, Tokaca

Kur kalon nëpër qytetet e Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës, të bien në sy monumentet e shumta që të kujtojnë luftën. Ato glorifikojnë heronjtë dhe nderojnë viktimat, por vetëm viktimat e etnive vendore. Një kulturë të kujtuari të luftës kjo, e trashëguar që nga koha e Jugosllavisë së Titos.

" Për të marrë vesh se çfarë ka ndodhur në të vërtetë gjatë Luftës së Dytë Botërore duhet të pyesësh gjyshen dhe gjyshin", ankohet 30-vjeçarja Maja Stojanoviç. Në Beograd ajo është drejtuese e "Nismës së të rinjve për të drejtat e njeriut" dhe zbardhjen e kaluarës, në punën e saj ajo i kushton një vëmendje të veçantë trajtimit të së kaluarës. Stojanoviçi thotë se ka ardhur koha që brezi i ri t'i shtrojë pyetjet brezit të vjetër se si ishte e mundur që u zhvilluan luftrat e 90-ës.

" Nuk besoj se brezi i atëhershëm është fajtor, por unë mendoj se ai mban përgjegjësi për atë çka ka ndodhur. Ata vetë janë pjesë e asaj shoqërie, që nuk bëri asgjë për të penguar luftën, që nuk foli për respektin ndaj tjetrit, që nuk doli kundër dhunës. Unë mendoj se edhe unë mbaj përgjegjësi që ajo çka ndodhi të mos përsëritet", thotë Stojanoviç.

Kjo kërkesë e të rinjve serbë të kujton Gjermaninë e viteve 60-të, ku të rinjtë gjermanë të asaj kohe i vunë para përgjegjësisë prindërit e tyre që të thyenin heshtjen dhe të nxirrnin në shesh të vërtetën e nazizmit dhe të pranonin përgjegjësinë për krimet e kryera kundër hebrejve. Do të kalonin edhe gati 20 vjet deri kur në opinionin gjerman të flitej hapur dhe pa doreza për të kaluarën. Por aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiç, kërkon përshpejtim të debatit.

Më shumë mbështetje nga BE-ja që mediet të përfshihen në procesin e trajtimit të së kaluarës


" Ne në Ballkan nuk kemi kohë. Tek ne ka krime çdo 50 vjet. 20 vjet i kemi humbur, nuk kemi më kohë të presim", thotë aktivistja e vjetër serbe, e cila ishte ajo që nëpërmjet publikimit të një videoje për Srebrenicën e detyroi presidentin Tadiç, që të shprehte keqardhje për fajin e grupeve paramilitare serbe në masakrën e Srebrenicës. Kandiçi thotë se mediet nuk janë të interesuara për përpunimin e së kaluarës, prandaj ajo kërkon më shumë mbështetje nga BE-ja dhe Gjermania në mënyrë që edhe mediet të përfshihen në procesin e trajtimit të së kaluarës.

Shembulli i trajtimit të së kaluarës nga ana e Gjermanisë është pikërisht ai që Kandiç dhe Stojanov do të donin ta zbatonin edhe në Serbi, prandaj krahas nxitjes së dialogut ndërmjet etnive të ndryshme, ato kërkojnë që sa më shumë të rinj të vijnë në Gjermani dhe të shikojnë se si përkujtohen viktimat e Holokaustit. Aktivistet serbe kërkojnë që Serbia të jetë e para me zbardhjen e së kaluarës, sepse por ato nuk janë të kënaqura as me mënyrën se si popujt e tjerë në Ballkan kujtojnë luftën:

"Në Ballkan, çdo shoqëri ka vështrimin e saj ndaj asaj që ka ndodhur. Për shembull, në Kroaci viktimat janë kroate, shumica e serbëve janë detyruar të largohen nga Kroacia, sepse aty nuk ka viktima serbe. Në Serbi nuk ka monumente, sepse sipas tyre krimet nuk kanë ndodhur në territorin e Serbisë, edhe në Kosovë mungojnë monumentet për viktimat joshqiptare", thotë Kandiç.

Agron Bajrami, kryeredaktor i kohës ditore, është i vetëdijshëm për këtë problem, por ia lë një pjesë të përgjegjësisë edhe bashkësisë ndërkombëtare, konkretisht EULEX-it që nuk po e bën punën e duhur për të ndëshkuar krimet e luftës:

" Nuk ekziston një drejtësi, e cila do të mund të ishte bazë e mirë për një të ardhme harmonike në rajon. Shumë gjëra duhet të sqarohen, të cilat mbeten të pathëna e që ne ndoshta, secili për vete, i dimë, por ato nuk janë të formuluara në mënyrë institucionale. E kam fjalën për krimet e shumta, që kanë ndodhur në Kosovë gjatë luftës dhe të cilat kanë gjetur pak adresim nga ana e drejtësisë kosovare, por edhe ndërkombëtare", konkludon ai.

Autor: Anila Shuka/Berlin

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 04.12.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KqNo
  • Data 04.12.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KqNo