1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Nuk ka paqe pa Moskën

Plani i paqes i Presidentit të Ukrainës Poroshenko duket se do të dështojë. As separatistët në lindje të vendit dhe as Rusia nuk duan aktualisht një zgjidhje politike, mendon Bernd Johann.

Për të bërë paqe nganjëherë mjafton një hap i parë. Një nga palët në luftë duhet t'i zgjasë dorën tjetrës në mënyrë që të fillojë dialogu. Por për këtë të gjitha palët duhet të jenë të interesuara për një zgjidhje politike. Dhe në lindje të Ukrainës kjo nuk është kështu.

Vetëm Presidenti i ri i Ukrainës Petro Poroshenko është aktualisht gati për një hap të tillë. Ai përjashton vërtet një dialog me separatistët e armatosur por ka shpallur një armëpushim të njëanshëm, i cili duhet t'i japë fund gjakderdhjes në lindje të Ukrainës. Megjithatë ai nuk ka me kë të negociojë një plan paqeje nëse askush nga forcat militante që e kanë zhytur rajonin në luftë, nuk është gati për dialog. Zëdhënës të këtyre grupeve kanë deklaruar se nuk do t'i ulin armët dhe nuk duan të zhvillojnë asnjë dialog. Edhe Rusia e cila prej javësh shprehet në mbështetje të formacioneve të paligjshme në lindje të Ukrainës, e kritikon planin e paqes.

Iniciativa e Poroshenkos pra nuk ka asnjë shans të realizohet. Gjithsesi plani ka disa pika të rëndësishme që mund të çonin drejt paqes. Të gjithë luftëtarët që nuk kanë kryer krime të rënda nuk do të ndiqeshin penalisht. Kjo do të vlente edhe për mercenarët e shumtë nga Rusia, të cilët kanë marrë pjesë në luftime.

Luftëtarët duan destabilizim

Por para së gjithash plani i Poroshenkos ofron një koncept politik për lindjen e Ukrainës. Qendra në Kiev kërkon të dorëzojë një pjesë të pushtetit dhe të forcojë kompentencat për rajonet, kryesisht në lindje. Në gjithë Ukrainën duhet të mbahen zgjedhje demokratike: në nivel rajonal dhe për parlamentin në Kiev. Në veçanti në lindje Poroshenko synon të krijojë vende të reja pune. Pa vonesë do të fillojë rindërtimi i infrastrukturës së shkatërruar gjatë luftimeve në krahinat Donjeck dhe Luhansk.

Por çfarë dobie kanë plane të tilla kur luftëtarët e paligjshëm nuk interesohen aspak për shanset politike dhe ekonomike të rajonit? Nga Rusia kanë hyrë ndërkohë mijëra luftëtarë. Kremlini nuk pranon ta konfirmojë këtë por pamjet e mercenarëve të huaj të regjistruara nga kamerat ndërkombëtare kanë bërë xhiron e botës. Këta njerëz nuk janë kryengritës vendas të cilët duan më shumë të drejta. Ata kanë ardhur në Ukrainë për të luftuar, për të destabilizuar vendin.

Politika cinike e Moskës me Ukrainën

Planet e paqes nga Kievi nuk do t'u bëjnë përshtypje këtyre forcave. Vetëm Kremlini mund të ushtronte ndikim tek ata pasi është i lidhur me ta. Ai mund të ndihmonte në sigurimin ushtarak të kufirit ruso-ukrainas, ashtu siç planifikohet nga Poroshenko, për të penguar depërtimin e luftëtarëve të tjerë të armatosur rëndë. Por ai nuk e bën këtë. Përkundrazi, mijëra ushtarë rusë janë stacionuar në kufi. Ata mund të hynin në çdo moment me dhunë në Ukrainë, nëse Kremlini jep urdhrin. Veç kësaj, një ditë pas shpalljes së armëpushimit të njëanshëm nga Poroshenko, Putin jep urdhër që trupat në Rusinë qendrore të vendosen në gjendje gatishmërie për luftë.

Mënyra si Putini dhe politikanë të tjerë të lartë rusë e akuzojnë udhëheqjen ukrainase për mungesë gatishmërie për paqe, është cinike. Por ata vetë nuk bëjnë asgjë për paqen. Shefi i Kremlinit, Putin, telefonon vërtet me Poroshenkon. Ai flet edhe me kancelaren gjermane Merkel dhe presidentin francez Hollande për zgjidhje politike. Por kjo është e gjitha.

Plani i Poroshenkos për paqe është një hap i drejtë. Por pa mbështetje ruse nuk do të ketë sukses. Lufta mund të marrë fund vetëm kur të gjitha palët të jenë gati për një zgjidhje politike. Por për momentin nuk duket se kjo do të ndodhë.