1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Nuk ka marrëveshje për emrin e Maqedonisë

Ministri i Jashtëm maqedonas Nikola Poposki vizitoi (17.12.) Athinën, por marrëveshje ende nuk ka. Shkupi dhe Athina mbeten në qëndrimet kontradiktore për emrin, por ato kanë edhe interesa të përbashkëta.

Vizita e shefit të diplomacisë greke Nikos Kocias në Shkup, në korrik të këtij viti, ku paraqiti dhjetë kushtet nga katalogu për përmirësimin e raporteve, si dhe vizita e fundit (17.12) e ministrit të Jashtëm maqedonas në Athinë, janë sinjalet e para drejt përmirësimit të klimës mes Shkupit dhe Athinës. Këto raporte mund të jenë edhe shumë më të mira, sikur të mos kishte një problem shumë të madh: të cilin e ka përmendur Poposki edhe në konferencën për shtyp - mosmarrëveshjet rreth emrit.

Greqia konteston emrin Republika e Maqedonisë me konstatimin se ky emër nënkupton pretendime territoriale, për shkak të një province me emrin e njëjtë në veri të Greqisë. Greqia akuzon Maqedoninë edhe për uzurpimin e historisë antike. Ndërsa Maqedonia ka ndryshuar flamurin, ku ka pasur edhe një simbol antik dhe zyrtarisht ka deklaruar se nuk ka pretendime territoriale ndaj Greqisë. Për shkak të mosmarrëveshjeve rreth emrit, Greqia është duke e bllokuar afrimin e Maqedonisë në BE dhe në NATO. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar se Greqia në këtë mënyrë është duke shkelur marrëveshjet ndërkombëtare.

A ka vend për kompromis?

Grindjet rreth emrit kanë qenë në qendër të vëmendjes edhe në takimin mes ministrave. Përparime nuk ka, tha Poposki, sepse "dallimet janë esenciale". Ndërsa ministri i Jashtëm grek tha se të dy palët "po kërkojnë një zgjidhje të ndershme kompromisi, që do të ishte në kundërshtim me irredentizmin dhe nacikonalizmin ekstrem të të dyja palëve." Përparime të mëdha në këtë moment nuk janë pritur, ndonëse Poposki në prag të takimit pati deklaruar se janë pjekur kushtet për marrëveshje. Pozita e partisë Siriza në pushtet është më e butë se ajo e nacionalistëve. Por analistët si Tanis Dokos thonë se në Athinë është krijuar një bindje se "kryeministri Gruevski nuk ka menduar kurrë seriozisht për gjetjen e një kompromisi dhe në këtë mënyrë po cënon interesat afatgjatë të vendit të tij".

Mundësitë për bashkëpunim

Poposki dhe Kocias biseduan edhe për krijimin e mirëbesimit. Të dy palët janë të mendimit se vendet e tyre kanë interesa të përbashkëta strategjike. Kocias pohon se ka hapsirë për bashkëpunim në shumë sektorë - prej ekonomisë e deri tek turizmi dhe kriza e refugjatëve. Të dy vendet duan të bashkëpunojnë për zgjidhjen e krizës me refugjatët, vendosjen e rendit dhe ligjit, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Poposki thotë se barrierat kufitare të krijuara aktualisht mes këtyre dy vendeve janë me karakter të përkohshëm, deri sa të gjendet një zgjidhje e përhershme për refugjatët. Por për mosmarrëveshjet rreth emrit ende nuk ka ndonjë kompromis.