Nuk ka më kohë për Athinën | Evropa | DW | 15.02.2015
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Nuk ka më kohë për Athinën

Qeveria greke me sa duket beson se ende ka kohë për pokerin e saj në grindjen për borxhet. Në të vërtetë shifrat flasin shumë qartë: Që nga marsi Greqisë i mbarojnë paratë.

Brüssel Gipfel Treffen Alexis Tsipras

Do të ndërrojë kurs Alexis Tsipras? Kryeministri grek në samitin e fundit (12 shkurt) në Bruksel

Greqia ka nënvizuar gatishmërinë e saj për një ujdi në grindjen e borxheve me partnerët europianë. Vendi do të bëjë gjithçka është e mundur për të arritur tek një marrëveshje ditën e mërkurë, tha zëdhënësi i qeverisë, për televizionin grek Skai të premten. "Po qe se të hënën nuk kemi asnjë marrëveshje, mendojmë se ende kemi kohë, kështu që nuk do të ketë asnjë problem". Të hënën ministrat e Financave të eurozonës takohen sërish për të negociuar ndihmat për Greqinë. Por duhet thënë se nuk kaq shumë kohë sa beson zëdhënësi i qeverisë në Athinë. Programit aktual të ndihmës i mbaron afati më 28 shkurt. Nëse Athina nuk bën një kërkesë të re për zgjatjen e tij deri në verë, ky vend nga 1 marsi ndodhet pa ombrellën financiare të shpëtimit. Në të njëjtën kohë Athina deri në verë duhet të gjejë një shumë dyshifrore miliardash për të shlyer kreditë. Pa para shtesë kjo është e pamundur.

Brüssel, Eurogruppe Lagarde Varoufakis

Shefja e FMN-së, Lagarde e Varoufakis - Takim i përzemërt, por vetëm për mediat - në tryezën e negociatave buzëqeshja shuhet

Rrjedhje e kapitalit

Deri më tani qeveria e koalicionit të partisë së Majtë me populistët e djathtë e refuzon zgjatjen e programit aktual të kredive. Ajo kërkon si edhe më parë një program të ndërmjetëm financimi për muajt e ardhshëm, fundin e mbikqyrjes nga trojka dhe një falje të borxheve, - që sigurisht Gjermania nuk duhet ta cilësojë si falje borxhesh. Rezultatet e zhvilluara deri më tani të europianëve me qeverinë e re në Greqi i bëjnë më të pasigurtë qytetarët grekë që po tërheqin me shumicë paratë nga bankat greke. Sipas ekspertëve çdo javë tërhiqen deri në 5 miliardë euro nga bankat greke. Kjo gjendje e rrit pa masë trysninë ndaj bankave greke që nuk mund të garantojnë më likuiditetin e nevojshëm për Bankën Qendrore Europiane. Pasi një pjesë e madhe e garancive të bankave greke përbëhet nga obligacione greke pa ndonjë bonitet të lartë si edhe nga obligacione shtetërore, të cilat BQE nuk i pranon më nga java që përfundoi.

Në vend të kësaj bankat greke e sigurojnë likuiditetin përmes kredive të emergjencës (Emergency Liquidity Assistance). BQE i miratoi këto kredi prej 50-60 miliardë në një konferencë telefonike. Nëse gjendja vazhdon kështu falimentimi i Greqisë bëhet realitet që në mars, koha kur duhet kthyer një kredi e FMN-së prej 1,4 miliardë euro, në qershor Greqisë i duhet të kthejë 1,4 miliardë borxhe të vjetra, gjithsej në vitin në vazhdim Athina duhet të kthejë 22,5 miliardë euro.

Brüssel, Eurogruppe

Raundi i ri i përballjes të hënën - Kreu i eurogrupit Dijsselbloem dhe ministri grek i Financave Varoufakis

Ndihmat që mungojnë

Kjo është dilema e qeverisë së Athinës. Barra e borxheve është kaq e lartë, saqë pjesa më e madhe e kredive të ndihmës nuk mbërrin tek qytetari, por përdoret për shlyerjen dhe normat e interesit të borxheve të dikurshme. Deri më tani Greqia është ndihmuar nga vendet e BE-së dhe FMN me rreth 229 miliardë ndihma në kredi. Nga këto për shtetin grek janë shpenzuar 229 miliardë euro, pra për policinë, pensionet, mësuesit, etj. Më shumë se 40 miliardë euro janë përdorur për të paguar vetëm normat e interesit. Për të kthyer kreditë që u mbaron afati, Athina duhet të ketë 80 miliardë euro. Nëse këtyre u shtohen pagesa të prapambetura ndaj FMN-së në vlerë 9 miliardë euro, atëherë bëhet e qartë se rreth 132 miliardë euro kanë rrjedhur vetëm për borxhet. Më shumë se gjysma e ndihmave për Greqinë.

Deri më tani tregjet e kapitalit nuk kanë reaguar shumë ndaj ashpërsimit të krizës së borxheve, sepse ndoshta shumica e investitorëve parashikojnë që në fund të fundit do të gjendet një kompromis, si në krizat e mëparshme.

Shokim afatshkurtër

Në një analizë të bankës gjermane "Commerzbank" thuhet se nëse Greqia rikthehet tek dhrahmia, kjo do t'i trondiste vetëm për pak kohë tregjet financiare. "Obligacionet federale dhjetëvjeçare do të humbisnin shumë nga vlera e tyre. Nga ana tjetër do të rriteshin përqindjet e rrezikut për obligacionet italiane dhe spanjolle deri në 200 pikë, sepse premtimi i përjeteshëm i eurozonës se asnjë vend nuk do të dalë nga unioni nuk do të besohej më dhe disa investitorë do t'i trembeshin përsëritjes së skenarit grek."

Por ekonomistët e Commerzbank nuk i tremben më një destabilizimi të sistemit bankar europian. "Bankat e huaja i kanë reduktuar pretendimet ndaj Greqisë që nga koha krizës së vitit 2011 në mënyrë masive, nga 300 miliardë në rreth 50 miliardë dollarë. Një pjesë e madhe është siguruar nga garancitë e huaja. Humbjet e mundshme për sistemin bankat parashikohet të jenë përballueshme."