1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pressefreiheit - Menschenrechte 2011

16 Qershor 2011

Për t’i vënë në dukje shkeljet e të drejtave të njeriut para së gjithash nevojitet liria e shtypit. Ajo garanton po ashtu që publikisht të diskutohen edhe mangësitë.

https://p.dw.com/p/11bxb
Aksion i "Reporterë pa Kufij" në mbrojtje të lirisë së shtypit.
Aksion i "Reporterë pa Kufij" në mbrojtje të lirisë së shtypit.Fotografi: Reporter ohne Grenzen

„Nuk ka liri pa lirinë e shtypit“, është kryefjala e njohur për të gjithë. Autokratët dhe diktatorët torturojnë shtypin dhe gazetarët në mënyrë që të ruajnë pushtetin e tyre. Në mënyrë që vetëm e vërteta dhe mendimi i tyre të mbërrijnë tek opinioni publik. Sepse ku nuk ka shtyp të lirë, nuk mund të zhvillohen as strukturat demokratike, pasi nuk ka luftë të mendimeve midis alternativave politike midis qeverisë dhe opozitës, nuk ka hapësirë për shoqërinë civile dhe organizatat e saj joqeveritare, që ato të kenë ndikim në politikën zyrtare.

Nuk ka liri pa lirinë e shtypit – për shkak se liritë, të cilat nuk mbrohen nga një shtyp kritik nuk kanë shumë vlerë: atëherë qeveritë kufizojnë të drejtat personale pa e kuptuar të tjerët. Autokratët ndalojnë demonstratat si për shembull në Siri duke hequr edhe të drejtën, që kundër këtij ndalimi të protestohet. Autoritetet shkelin të drejtën për respektimin e integritet fizik të njerëzve si për shembull në provincat kineze përmes industrive shkatërruese të ambientit, ndërsa lajmet e tilla nuk arrijnë asnjëherë kryeqytetin Pekin.

Televizioni mediumi më me ndikim

Liria e shtypit është termi tradicional për të drejtën e njeriut „për të informuar dhe për t'u informuar“. Por ngjarjet e fundit në Iran ashtu si dhe në rajonet arabe ku shpërthyen kryengritjet, tregojnë se kjo liri sot përfshin shumë më tepër se vetëm mbrojtjen e mediave të shkruara. Mediumet më me ndikim, që kanë thyer bllokadën informative të dinastive sunduese dhe të autokratëve janë televizioni satelitor i Al Xhazirës, televizioni Al Arabija dhe të tjerat. Ato kanë arritur t'i shfaqin njerzëve përtej kufinjve kombëtarë një realitet krejt tjetër nga ai që ofrojnë kanalet televizive kombëtare të kontrolluara nga shteti.

Gazeta në Egjipt pas rrëzimit të Mubarakut.
Mediet luajtën rol të rëndësishëm në kryengritjet e "Pranverës Arabe".Fotografi: DW

Tek brezat e rinj, që kanë inicuar demonstratat në Tunizi, Egjipt dhe Libi, kanë ngritur barrikadat dhe shkaktuar kryengritjen, komunikimi pa mediumet e reja sociale në internet si Facebook apo Twitter është pothuajse i pamundur. Angazhimi qytetar dhe shoqëria civile sot nuk kanë nevojë vetëm për lirinë e shtypit por për „lirinë e shtypit“ në një kuptim shumë më të gjerë.

Censura sot më lehtë e kapërcyeshme

Sepse pikërisht shumëllojshmëria dhe ekzistenca për krah njëra - tjetrës mes medieve të vjetra dhe të reja i hapin angazhimit qytetar mundësi të reja: çdokush pavarësisht moshës, njohurive teknike, preferencave dhe mundësive për qasje në përdorimin e medieve, të shfrytëzojë mediumin e tij, në mënyrë që të marrë pjesë në proceset demokratike – apo për të kërkuar procese të tilla në vend.

Nëse regjimi ashtu si në Egjipt një ditë paralizon të gjithë telefonat mobilë, atëherë informon televizioni satelitor. Dhe nëse ditën tjetër në Kairo nuk arrin sinjali televiziv i Al Xhazirës atëherë demonstruesit komunikojnë me njëri-tjetrin përmes Twitter në Sheshin Tahrir. Në fund regjimit të Mubarakut nuk i mbeti tjetër përveç tërheqjes pasi shumica e udhëheqjes ushtarake nuk ishte e gatshme të përdorte dhunën kundër demonstruesve.

E nevojshme mbështetja kundër kundërshtarëve të fuqishëm

Ndryshe është gjendja në Libi. Aty ku Gadafi me mercenarët e tij nuk i druhet dhunës brutale dhe luftës së hapur kundër popullsisë kryengritëse, liria e medias nuk mjafton për zbatimin e lirive të tjera demokratike. Lufta për lirinë e medies, shtypit dhe informacionit është një përballje me kundërshtarë të fuqishëm: të atillë që kanë armë, burgje, tortura administrative dhe gjyqtarë të bindur.

Këtu puna qëndron ndryshe, këtu kërkohet këmbëngulje dhe durim. Këtu duhet të ndihmohen viktimat individuale, të burgosurit dhe të kërcënuarit. Këtu kërkohet mbështetja e lëvizjeve të lirisë dhe e medieve. Dhe të vihen në punë të gjitha levat për t'i vënë në presion armiqtë e lirisë, si në rrafshin ndërkombëtar ashtu dhe në vendin e tyre, aty ku është e mundur.

Autor: Michael Rediske / Esat Ahmeti
Redaktoi: E. Xhani