1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Nuk ka ardhur koha që Mali i Zi të prononcohet për Kosovën

Ende nuk ka ardhur koha që Mali i Zi të deklarohet për pavarësinë e Kosovës, thotë në një intervistë për DW, presidenti i këtij vendi, Filip Vujanoviq.

Presidenti malazez Filip Vujanovic

Presidenti malazez Filip Vujanovic

Deutsche Welle: Kur do ta njohë Mali i Zi pavarësinë e Kosovës?

Filip Vujanoviq: Atëherë kur të vlerësojë se është momenti më i volitshëm për interesat e Malit të Zi dhe kur të vlerësojë se nuk mund të cënohen interesat mes bashkësive etnike në vend, në veçanti mes serbëve dhe shqiptarëve në Mal të Zi. Ne duhet të ruajmë harmoninë e këtyre raporteve, duhet të sigurojmë që këto raporte të mos cënojnë stabilitetin e Malit të Zi dhe duhet të kemi kujdes që prononcimi ynë për këtë çështje të mos cënojë raportet me Beogradin apo Prishtinën.

Deutsche Welle: A do të cënohej stabiliteti i Malit të Zi, në qoftë se tani njihet pavarësia e Kosovës?

Filip Vujanoviq: Jam i bindur se nuk është momenti që Mali i Zi të deklarohet për statusin e Kosovës dhe duhet të presim edhe ca kohë. Për këtë çështje nuk janë deklaruar ende as të gjitha vendet e BE dhe NATO-s. Pozita jonë është shumë e ndjeshme. Prandaj të gjitha vendet e BE dhe NATO-s, duhet të kenë mirëkuptim për pozitën tonë.

Deutsche Welle: A ka pasur presione prej vendeve të BE, apo atyre të rajonit, që Mali i Zi ta njeh pavarësinë e Kosovës?

Filip Vujanoviq: Mua askush nuk ma ka sugjeruar një gjë të tillë, ndonëse kam pasur takime të shumta. Natyrisht që të gjithë janë interesuar për qëndrimet tona, por të gjithëve u kam thënë se kjo është një cështje e ndjeshme për Malin e Zi. Deri më tani askush nuk ka bërë presione të tilla. Pavarësinë e Kosovës nuk e kanë njohur të gjitha shtetet e BE, prandaj nuk është në rregull që të bëhet presion ndaj shteteve jashtëBE-së.

Deutsche Welle: A ka mbetur ndonjë cështje e hapur në raportet mes Serbisë dhe Malit të Zi, prej shpalljes së pavarësisë?

Filip Vujanoviq: Nuk ka asnjë çështje të hapur. Kemi nënshkruar marrëveshje të shumta që kanë të bëjnë me të drejtat e qytetarëve, çështjen e pensionëve dhe të punës, shëndetësisë, arsimit. E vetmja çëshje që statusore që na pret dhe duhet të merremi vesh është ajo e nënshtetësisë, por duhet të presim formimin e qeverisë së re në Beograd. Nëse më pyesni mua se cilat çështje janë më urgjente, do të përsërisja fjalët e presidentit Boris Tadiq: Më e rëndësishmja është që të flasim për çështjet ekonomike dhe të merremi vesh për projektet prioritare ekonomike. Ndër to është edhe meremtimi i hekurudhës Beograd - Tivar, që ëshët një prej linjave më të rëndësishme për raportet mes Serbisë dhe Malit të Zi, por edhe për tërë rajonin. Për rregullimin e kësja hekurudhe kanë treguar interes edhe shtetet tjera, si Hungaria, Rumania dhe Italia. Projekti duhet përfunduar sa më parë në mënyrë që të konkurrojmë dhe të marrim para prej fondeve të BE. Duhet të rregullojmë edhe aksin rrugor prej Podgoricës në Beograd, sepse kjo rrugë mund të jetë shumë më e shpjetë dhe më e sigurt.

Deutsche Welle: Po a keni frikë nga mundësia e krijimit të një qeverie nacionaliste në Beograd dhe si do të ndikonte një qeveri e tillë në raportet mes Malit të Zi dhe Serbisë?

Filip Vujanoviq: Natyrisht që do të ishte mirë që brenda Serbisë të organizohet një pushtet i cili synon integrimet, një kualitet më të mirë të jetës në Serbi dhe raporte të mira me shtetet fqinje, në veçanti me Malin e Zi. Më gëzojnë të gjithë ata që thonë se ky bashkëpunim është prioritet. E tillë është Partia Demokratike e presidentit Boris Tadiq, të cilëve u kam uruar fitoren në zgjedhjet e kaluara në Serbi.

  • Data 11.06.2008
  • Autor Intervistën e zhvilloi Vesna Rajkoviq
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/EHxW
  • Data 11.06.2008
  • Autor Intervistën e zhvilloi Vesna Rajkoviq
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/EHxW