1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Nuk ka alternativë tjetër përveç ndërhyrjes në Siri

Përdorimi i armëve kimike nuk mund të tolerohet. Ndaj presidenti Obama dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të reagojnë, sepse është tejkaluar linja e kuqe. Ndërhyrja ushtarake është e pashmangshme.

Koment

Koment

Ndërkohë nuk ka më asnjë dyshim se gjatë luftës qytetare në Siri janë përdorë armë kimike. Fotot dhe videot e tmerrshme të fëmijëve dhe grave të vrara, si dhe të plagosurve me simptomet neurotoksike, dëshmojnë se atje është përdorë gaz helmues.

Në radhë të parë raportet e organizatës humanitare "Mjekët pa kufi", e cila prej vitesh angazhohet dhe ka kontakte të sigurta në Siri, dëshmojnë për vrasjet e tmerrshme masive në Siri.

"Linja e kuqe" është kapërcyer

Me përdorimin e armëve të ndaluara për shkatërrim në masë, kundër popullatës civile, është shkelur qartë linja e kuqe e definuar prej presidentit amerikan Barack Obama. Sa për të rikujtuar: presidenti amerikan ka deklaruar në gusht të vitit të kaluar para mbarë opinionit botëror se SHBA-ja në Siri nuk do të lejojë përdorimin e armëve të shkatërrimit në masë. Pas qindra të vrarëve dhe mijëra të plagosurve nga këto armë, tani do të shihet se sa vlenë fjala e njeriut më të fuqishëm në botë.

Loay Mudhoon

Loay Mudhoon

Ndaj është shumë e mundur që koalicioni i udhëhequr nga SHBA, në ditët e ardhshme, të veprojë kundër njësive të regjimit të presidentit Assad. Presidenti amerikan nuk ka ndonjë zgjidhje tjetër, jo vetëm për shkaqe morale. Bashkësia ndërkombëtare nuk guxon të lejojë gjëra të tilla kur dihet se sa i paskrupullt është regjimi i Asaddit dhe kur dihet se ai i ka sasitë më të mëdha të arsenalit të armëve kimike në Lindjen e Mesme.

Përmasat e konfliktit mbeten të njëjta

Ndonëse ndërhyrja ushtarake amerikane ndaj regjimit të Assadit duket vetëm çëshje ditësh, shumë çështje mbeten të hapura. Para së gjithash: cilat do të jenë qëllimet konkrete politike të një ndërhyrjeje të kuafizuar ushtarake?

Që tani dihet se bombardimet e përmendura dyditore të pozicioneve ushtarake të Sirisë mund të kenë vetëm një efekt frikësimi. Ajo nuk do ta ndalë gjakderdhjen dhe nuk do të ndryshojë raportet ushtarake dhe sjelljen e palëve në luftën qytetare. Megjithatë shpresohet se ndërhyrja do të dobësojë regjimin e Assadit dhe do ta rrisë gatishmërinë e tij për negociata.

Ndaj diplomacia ndërkombëtare duhet të angazhohet që palët t'i sjellë pranë tavolinës së bisedimeve, natyrisht edhe miqët dhe mbështetësit e Assadit: Kinën, Rusinë dhe Iranin.

Duket paradoksale por pikërisht ndërhyrja ushtarake amerikane ofron një shans të ri për aksione të përbashkëta ndërkombëtare në këtë konflikt. Kjo sepse as Rusia dhe Kina nuk janë të interesuara që të zbuten kriteret për përdorimin e armëve të ndaluara. Ndërkohë që edhe në qoftë se lufta qytetare nuk sjellë rrëzimin e regjimit të Assadit, veprimi i përbashkët i bashkësisë ndërkombëtare mbetet rruga e vetme për t'i dhënë fund tragjedisë në Siri.