1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Nuk ekziston një e vërtetë e rënies së murit të Berlinit në librat shkollore

Rënia e murit të Berlinit në tekstet shkollore të vendeve të ndryshme të Europës është pjesë e ekspozitës "Feedback 1989", të hapur në Tiranë në kuadër të Tetorit Gjerman. Po sa të vërteta mësojnë nxënësit në shkolla?

default

"Feedback 1989" në Shqipëri

Reflektimi i rënies së murit të Berlinit në tekstet shkollore të vendeve të ndryshme të Europës është pjesë e ekspozitës "Feedback 1989", të hapur në Tiranë në kuadër të Tetorit Gjerman. Po sa të vërteta mësojnë nxënësit në shkolla?

Tekste historie nga shumë vende të Europës qëndrojnë në bangat e një klase të improvizuar në hollin e hotelit Dajti në Tiranë. Qindra fëmijë, nxënës të shkollave të Tiranës, ulen pasditeve në këto banga, kur ekspozita është e hapur. Ata shfletojnë tekstet që nuk i kuptojnë, lexojnë fletët shpjeguese në shqip të vendosura pranë tyre dhe mundohen të përfytyrojnë ato që tregojnë librat e eksozuar për rënien e murin të Berlinit.

Beatrice Minda, artiste nga Berlini dhe një nga organizatoret e ekspozitës shpjegon konceptin që frymëzoi idenë e paraqitjes së këtyre teksteve, si pjesë e ekspozitës ”Feedback 1989”.

“Tema e ekspozitës në librat nga 11 vende të Europës, jo vetëm ish-komuniste por edhe nga Franca, Austria, Gjermania ... është një zgjedhje artistike për të parë se çfarë shkruan çdo vend për 1989-ën. Është shumë interesante të kuptosh sesi pasqyrimi i atij viti në tekstet e historisë ndryshon shumë nga një vend në tjetrin. Në Gjermani, për shembull, janë të rëndësishme të tjera gjëra nga ato në Bullgari, Francë apo në Mal të Zi. Kjo të jep përshtypjen se nuk ka vetëm një, por disa të vërteta historike. Me këtë instalacion librash duam të themi që nuk ka një histori europiane të vetme por shumë histori europiane. Kur e sheh këtë fakt të mishëruar edhe në këto tekste historie kjo mund të sjellë më shumë tolerancë ndaj njerëzve. Shpresoj të jetë kështu” thotë Beatrice Minda.


Historia në Shqipëri e murit të Berlinit

Ausstellung feedback 1989 Flash-Galerie

Jona Kacidhja, një 20 vjeçare nga Tirana lindi në vitin 1989, pak ditë para rënies muri së Berlinit. Ajo që prindërit e saj përjetuan në regjimin komunist për atë është thjesht një histori. Edhe për vitin 1989, nga historia që ka mësuar në shkollë, në vitet e fëmijërisë dhe adoleshencës, ajo nuk di shumë. “ Ajo që di është se rënia e murit të Berlinit bëri të mundur bashkimin e dy Gjermanive, që ishin të ndara prej shumë kohësh” thotë Jona.

Ndërsa Nikolin Bujari, ishte pesë vjeç kur ra muri i Berlinit. Ai është artist dhe pas 20 vitesh sjell në ekspozitën “Feedback 1989” si vepra artistike dy parulla të kohës së diktaturës komuniste: njëra “ Shqipëria shkëmb graniti” ishte një imazh vizual i asaj kohe, i pranishëm në të gjitha mjediset publike, madje në tekstet shkollore. Tjetra “ E duam Shqipërinë si gjithë Europa” ishte dhe mbetet simboli i aspiratave europiane që hapi rënia e murit të Berlinit edhe për Shqipërinë, që përjetoi diktaturën më të egër komuniste në Europë.

Muret e Shqipërisë


“20 vjet pas shembjes së murit të Berlinit dhe 18 vjet pas përmbysjes së regjimit komunist në Shqipëri kjo aspiratë, kjo ëndërr, nuk është realizuar dhë për fat të keq janë zvogëluar hapësirat, janë ndërtuar mure të rinj. Shqipëria ka mbetur e fundit për proceset e lirisësë lëvizjes për të cilat flitet kaq shumë. Ajo çfarë studentët e Lëvizjes së Dhjetorit, që dhanë të parët sinjalin e përmbysjes së regjimit komunist edhe në me parullën “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, nuk është realizuar ende”, tregon Nikolin Bujari simbolikën e paraqitjes si vepër artistike të kësaj parulle.

Kuratorja e ekspozitës, berlinezja Juli August thotë se” Megjithë ndryshimet e shumta dhe proceset demokratike të cilave u hapi rrugën rënia e Muritttë Berlinit, ende ka një mur ndarës në Europë. Ai nuk është “ Muri mbrojtës antifashist i komunistëve” por politika e vizave e BE, që ndalon qytetarët e Shqipërisë të përfitojnë ng arritja më e madhe që solli rrëzimi i Murit të Berlinit: Lëvizja e lirë dhe e pakufizuar e çdo individi”.

Zgjedhja e Tiranës për të realizuar projektin europian ”Feedback 1989 “, në 20 vjetorin e rënies së murit të Berlinit, nuk është rastësi por një apel për të rrëzuar murin e ri që ndan shqiptarët nga Europa.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Bahri Cani

  • Data 07.11.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KQYQ
  • Data 07.11.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KQYQ