1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nordkorea USA

11 Qershor 2009

Koreja e Veriut vazhdon t`i përmbahet kursit të konfrontimit me bashkësinë ndërkombëtare. Madje të martën (9.6.) qeveria komuniste kërcënoi me përdorimin e armëve bërthamore, në rast se sulmohet "sovraniteti" i vendit.

https://p.dw.com/p/I7YN

Politika e dhjetë viteve të fundit e SHBA-së ndaj Koresë së Veriut ka dështuar. Për këtë s' ka dyshim. Cilësimi i vendit komunist si pjesë e "aksit të së keqes" nuk ndihmoi, po ashtu siç nuk kanë më parë ndihmuar politika e „kulaçit“ dhe më pas taktika e „kërbaçit“. Bisedimet mes gjashtë vendeve dështuan në konfrontimin mes SHBA-së dhe Koresë së Veriut. Ndërkaq, koreanoveriorët po punojnë më tej pa u lodhur për ndërtimin e armëve bërthamore dhe raketambajtëseve.

Nën presidentin Barack Obama, SHBA-ja ndjek tani një politikë tjetër. Ajo konsiston në radhë të parë tek prioriteti i masave diplomatike dhe synimi për të vepruar në bashkësi. Presidenti thekson sa herë që i jepet rasti, se do të reagojë ndaj provokimeve të Penjanit së bashku me OKB-në, dhe se dëshiron të arrihet një zgjidhje me ndihmën e bisedimeve gjashtë palëshe.

Fernschreiber Christina Bergmann

Nëse SHBA reagon gjakftohtë ndaj provokimeve të Penjanit, atëherë shuhet efekti i provave bërthamore dhe i raketave, si dhe i kërcënimeve të ashpra koeranoveriore. Me këtë arrihet diçka, që nuk mund t' ju shkojë aspak për shtat koreanoveriorëve: bashkësia ndërkombëtare bëhet më unike. Këtë Ministrja e Jashtme e SHBA-së, Hillary Clinton e vlerësoi të dielën në televionin ABC, si një zhvillim poizitiv. Ajo tha, se është optimiste se mund të arrihet një rezolutë e OKB-së me sanksione shtesë, me mbështetjen e plotë të Kinës dhe të Rusisë.

Presidenti rus Dimitri Medvjedev dënoi testin atomik të Koresë së Veriut para dy javësh, si një "shkelje të drejtpërdrejtë të së drejtës ndërkombëtare", dhe urdhëroi Shtabin e Përgjithshëm të Moskës, të vëzhgojë vazhdimisht lëvizjet e trupave në vendin fqinjë. Kina protestoi zyrtarisht pas testit atomik të Koresë së Veriut. Gazetat kineze botuan artikuj të shumtë kritikë ndaj Koresë së Veriut.

Pra ka lëvizje në bashkësinë ndërkombëtare. Çdo aksion i njëanshëm unilateral i amerikanëve do ta kthente menjëherë mbrapsht këtë tendencë. Ndaj, për qeverinë e Obama-s është e rëndësishme që të mbetet e qëndrueshme. Kjo bëhet edhe më e vështirë, pasi Koreja e Veriut dënoi me dymbëdhjetë vjet burg të dy gazetaret amerikane për shkak të dyshimeve për spiunazh. Me sa duket synohet që ato të përdoren si peng, për bisedimet me amerikanët lidhur me programin bërthamor. Megjithatë qeveria e SHBA-së thekson, se kërkesa për lirimin e gazetareve është një çështje humanitare dhe nuk ka të bëjë me grindjen politike. Në këtë vlerësim nuk duhet të ketë zyrtarisht ndryshime. Sepse është e qartë se: Koreja e Veriut vazhdon të jetë e pakalkulueshme dhe e dyshimtë. Në një situatë të tillë është edhe më i domosdoshëm qëndrimi i matur i Uashingtonit.

Të dielën ministrja e Jashtme, Hillary Clinton deklaroi edhe se SHBA po mendojnë që bashkë me Kinën t' u presin rrugën transporteve koeranoveriore të armëve. Një masë kjo, që Koreja e Veriut do ta interpretonte si akt agresiv. Por, këto fjalë të fuqishme nga Uashingtoni nuk janë në kundërshtim me strategjinë. Sepse nëqoftëse Koreja e Veriut ka për qëllim të forcojë pozicionin në bisedime përmes provokimeve, edhe pala tjetër duhet që të kundërveprojë. Edhe kjo është pjesë e diplomacisë.

Autor : Christina Bergmann

Redaktoi : Aida Cama