1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Nuk do të ketë negociata me talibanët - qeveria afgane ndryshon strategjinë e saj

Qeveria afgane ka humbur shpresat për negociata me kryengritësit. Qeveria në Kabul akuzon Pakistanin fqinj për mosveprim në luftë kundër terrorizmit dhe paralajmëron zgjerimin e partneritetit strategjik me Indinë.

Harta e Pakistanit me Waziristanin

Harta e Pakistanit me Waziristanin

Akuza kundër Pakistanit, afrim me Indinë: deklarata të tilla nga Pallati presidencial afgan me siguri që nuk priten me kënaqësi nga ana tjetër e kufirit, në Islamabad.

Megjithë përpjekjet disavjeçare të Kabulit për marrëdhënie të mira, qeveria e Pakistanit nuk ka ndërmarrë asgjë as kundër strehimoreve e as kundër qendrave të trajnimit të terroristëve në rajonin e saj, u tha pas një takimi të politikanëve afganë me presidentin Karzai në Kabul. 

Pakistani përgjegjës për sulmet spektakolare të rebelëve

Në foto, Zalmai Rassoul

Në foto, Zalmai Rassoul

Kjo e destabilizon gjithë rajonin, sqaroi në të njëjtën kohë në KS të OKB-së ministri i Jashtëm i Afganistanit, Zalmai Rassoul.

"Sulmet e vazhdueshme të cilat burojnë nga strehimoret e terroristëve jashtë kufijve tanë, i zhgënjejnë dhe i zemërojnë shumë afganët, si asnjëherë më parë."

Pakistani ka mbështetur rebelët me qëllim për të dobësuar Afganistanin, thuhet në Kabul. Drejtpërdrejt ose tërthorazi vendi fqinj është përgjegjës për sulmet spektakolare të rebelëve, po ashtu edhe për vrasjen e Burhanuddin Rabbani-t, të cilin qeveria afgane e kishte ngarkuar me fillimin e bisedimeve me rebelët islamikë.

Tani qeveria afgane ka anuluar një takim me përfaqësues të Pakistanit, i paraparë të zhvillohej në fillim të tetorit në Kabul. Po ashtu është anuluar edhe vizita e kryeministrit pakistanez Gilani e planifikuar të zhvillohej në fund të tetorit.  Në të dy takimet, duhej të bisedohej rreth përpjekjeve për negociata me kryengritësit. Njohësit e rrethanave në Afganistan nga fillimi janë shprehur skeptikë rreth këtij plani. Por vrasja e Burhanuddin Rabbanit i dha planit goditjen vendimtare.

Shpresat zhduken -  negociatat me rebelët nuk kanë më asnjë shans

Në foto, presidenti afgan Hamid Karzai

Në foto, presidenti afgan Hamid Karzai

As raundi i bisedimeve nën drejtimin e presidentit Karzai siç duket nuk do t'u japë shans bisedimeve të tilla. Qeveritë e vendeve të cilat kanë ushtarët e tyre në Afganistan shpresonin për mbulimin politik të tërheqjes së planifikuar të trupave përmes një marrëveshjeve me militantët islamikë. Dhe ato shpresonin që kjo do të arrihej deri në konferencën e Afganistanit që do të zhvillojë punimet në fillim të dhjetorit në Bonn të Gjermanisë. Kështu shprehet Martine Van Bijlert nga Rrjeti i Analistëve të Afganistanit:

"Dëshirohet që në këtë konferencë të tregohet diçka. Pa marrë parasysh se çfarë. Ndonjë përparim në sferën politike."

Shpresa tani është zhdukur. Tani çështja është se si Islamabadi do të pranojë lajmin nga Kabulit, se Afganistani dëshiron forcimin e partneritetit strategjik me Indinë, armikun e betuar të Pakistanit.

Fakti që qeveria e Karzait pikërisht tani thekson marrëdhëniet e mira me Nju-Delhin vështirë se do të bindë Islamabadin që të heqë dorë nga mbështetja e grupeve terroriste dhe destabilizimi i Afganistanit.

 

Autor: Sabina Matthay / Esat Ahmeti

Redaktoi: Elert Ajazaj