1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

"Nuk është kundër Turqisë"- Netanjahu për bisedime në Athinë

Benjamin Netanjahu është kryeministri i parë izraelit që vizitoi Greqinë. Në bisedat me kryeministrin Jorgos Papandreu u diskutua në radhë të parë gjendja në Lindjen e Mesme, por edhe bashkëpunimi më i ngushtë bilateral.

Benjamin Netanjahu me kryeministrin Jorgos Papandreu

Benjamin Netanjahu me kryeministrin Jorgos Papandreu

Në mes të gushtit, sezoni i pushimeve në Greqi është në pikën e tij kulmore. Në këtë kohë në Athinë nuk zhvillohet politikë, aq më pak vizita shtetërore, me përjashtim të faktit kur dëshirohet që vizita të mos tërheqë shumë vëmendje. Pikërisht kjo dukej se ishte ajo që donte kryeministri grek, Papandreu.

Vetëm tri javë pas vizitës së tij blic në Tel Aviv, ai pret në Athinë në mes të vapës përvëluese kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu. Të dyja vendet duan t'i zgjerojnë marrëdhëniet e tyre me procedura të përshpejtuara dhe me siguri që duhet të kalojë shumë për ta fituar kohën e humbur. Greqia e njohu Izraelin si shtet vetëm në vitin 1993.

Krizë midis Turqisë dhe Izraelit

Krizë midis Turqisë dhe Izraelit

Gjendja e interesave duket e qartë

Pas grindjes së ashpër me Turqinë për shkak të sulmit ndaj flotës ndihmëse për Gazën, Izraeli kërkon miq dhe aleatë të rinj. Kurse Greqia e tronditur nga kriza kërkon burime alternative të ardhurash dhe impulse të reja për ekonominë e saj.

Kryeministri grek, Papandreu lë madje të kuptohet se bëhet fjalë për një "bashkëpunim strategjik" me Izraelin: "Ne kemi rënë dakord për një takim të ministrave të ekonomisë dhe të ministrave të turizmit, në mënyrë që sipërmarrësit nga Greqia dhe Izraeli të vihen në kontakt me njëri-tjetrin. Bëhet fjalë për investime inovative, Izraeli e ka dhënë tashmë një kontribut të madh për inovacionin. Ne duam t'i avancojmë së bashku inovacionet, si për shembull në burimet alternative të energjisë, në bujqësi, por edhe në sektorin e sigurisë. Prandaj ne do të themelojmë një komision të përbashkët, i cili do ta çojë përpara strategjikisht bashkëpunimin tonë."

Jorgos Papandreou dhe Recep Tayyip Erdogan, Athinë- maj 2010

Jorgos Papandreou dhe Recep Tayyip Erdogan, Athinë- maj 2010

Shembull turizmi

Për vitin 2010 parashikohet një rritje e numrit të vizitorëve izraelitë në Greqi me 40 përqind, e ky me sa duket është i vetmi lajm i mirë i verës për degën e turizmit në krizë të vendit. Qeveria Papandreu do të ishte e interesuar të tërhiqte edhe më shumë pushues nga Izraeli në ishujt grekë.

Netanjahu nga ana tjetër ka halle të tjera: në bazë të raporteve të medieve, aviacioni luftarak izraelit kërkon urgjentisht zona të reja stërvitjeje, pasi Turqia e bllokoi hapësirën e saj ajrore për avionët izraelitë. Greqia do të ishte një opsion serioz për izraelitët, që si shpërblim ka mundësi të tregohen të gatshëm për të ofruar teknologji moderne ushtarake.

Megjithatë, Greqia kërkon të shmangë me çdo kusht përshtypjen, se po punon për një front të përbashkët kundër Turqisë. Prandaj Papandreu dha siguri që marrëdhëniet greko-turke dhe marrëdhëniet turko-izraelite nuk janë konkurencë për marrëdhëniet e mira midis Greqisë dhe Izraelit. Kjo sepse paqja dhe zgjidhja e konflikteve presupozon bashkëpunim rajonal.

Autor: Janis Papadimitriu/ Auron Dodi

Redaktoi: Aida Cama