1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Nuancë e re: Frankfurter Allgemeine Zeitung për Kosovën

Përplasjet në Veri këtë herë u zhvilluan mes policisë kosovare dhe "Vetëvendosjes". Gjendja në Kosovë është stabilizuar, por e kundërta ka ndodhur në kufirin serbo-kosovar, shkruan analisti gjerman, Michael Martens.

Përplasje në Kosovë mes policisë dhe Vetëvendosjes

Përplasje në Kosovë mes policisë dhe Vetëvendosjes më 14 Janar

Në numrin e sotëm të së përditshmes gjermane Frankfurter Allgemeinen Zeitung, botohet një artikull i korrespondentit të FAZ për Ballkanin, Michael Martens, me titullin "Ndryshim klime në Kosovë".  Gjendja është e stabilizuar në Kosovë që me deklarimin e pavarësisë më 2008-ën, por në zonën kufitare serbo- kosovare tensioni është rritur, konkludon ai.

Bundeswehri në Kosovë

Ushtarët gjermanë nuk e kanë pasur të vështirë në Kosovë. Kampi i ushtrisë gjermane në Prizren ofron të gjitha komoditetet që mund të ofrohen për një mision jashtë vendit. Ndryshe nga Afganistani, Ballkani nuk përbën rrezik për jetën. Që prej fillimit të misionit të ushtrisë gjemane si pjesë e trupës ndërkombëtare  mbrojtëse më 1999-ën, asnjë ushtar gjerman nuk është vrarë nga sulmet.

Por klima ka ndryshuar. Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në Shkurt të vitit 2008 gjendja është stabilizuar ndjeshëm, por në kufirin serbo- kosovar ka ndodhur e kundërta. Që prej vitit të kaluar aty ndodhin vazhdimisht incidente. Një polic shqiptar u vra nga snajperistët serbë. Ushtarët e KFOR-it kanë shpëtuar vetëm me plagosje gjatë përleshjeve me demostruesit serbë, por trupa është duke rënë gjithnjë e më shpesh midis fronteve të një konflikti me të cilin janë lidhur ngushtë interesa politike dhe kriminale. Në thelb bëhet fjalë për kontrollin ekonomik dhe politik të kufirit.

Për bandat serbo- shqiptare, pikat kufitare të pakontrolluara kanë qenë deri në verë të vitit 2011 porta për kontrabandën e benzinës dhe mallrave të tjera. Që kur KFOR-i dhe dogana kosovare përpiqet të vendosë  kontrollin, ky biznes është dëmtuar, prandaj përfituesit e tij janë duke u mbrojtur. Nën moton e mbrojtjes "së interesave serbe", udhëheqësit lokalë të bandave në veri ngrenë barrikada për të detyruar rimarrjen e kontrollit kufitar. Nga kjo vuan kryesisht popullsia normale, e cila në veri të Kosovës është e dominuar nga serbët, por ky është një efekt anësor i dëshiruar nga iniciatorët. Ata duan që të kuptohet sikur KFOR-i dhe autoritetet kosovare janë përgjegjëse për pikat kufitare.

Nuanca e re

Që prej fundjavës konflikti kufitar është pasuruar edhe me një nuancë tjetër. Ditën e shtunë pati sërish përleshje midis mbajtësve të uniformave dhe demostruesve, sërish pati të plagosur nga të dy palët, por kësaj here nuk ishin demostruesit serbë ata që bllokuan trafikun kufitar, por ata shqiptarë. Përballë tyre nuk ishte KFOR-i, por policia shqiptare. Në kufirin rreth 350 km të gjatë midis Kosovës dhe Serbisë, trazira ka pasur vetëm në një segment 80 km të gjatë me 11 pika kalimtare, zonë që është e banuar nga të dy anët e kufirit nga serbë. Në segmentet e tjera ka patur qetësi, sepse në të dy anët e kufirit jetojnë shqiptarë.

Ngjitur me Kosovën ndodhet në Serbi, Lugina e Preshevës, në jugun e të cilës jetojnë gati vetëm shqiptarë. Zonat e tjera janë të banuara nga serbë, në anën serbe, por ato janë shumë rrallë të banuara, dhe veç disa fshatrave gjysëm të zbrazta, pjesa tjetër është shterpë. Firmat serbe i shfrytëzojnë pikat kufitare të këtyre zonave për të futur mallra në Kosovë. Këmbimi tregtar midis dy shteteve nuk është dëmtuar nga kontradiktat politike. Serbia nuk merr mallra nga Kosova, por dërgon shumë atje. Sidomos industria e ndërtimit në Kosovë importon me shumicë nga Serbia.

Mallrat futen me kamionë me targa "NP". Shkurtimi është për Novi Pazarin, një qytet i banuar kryesisht nga myslimanë sllavofolës, në kufirin midis Serbisë dhe Malit të Zi. Ngarja e makinave me targa "myslimane" nga Serbia, bën që të mos ndodhin incidente në Kosovë nga nacionalistët kosovarë apo të rinjtë që hedhin gurë.

"Vetëvendosja" tërheq rishtazi vëmendjen

Nëse gjërat do të ishin në dorën e udhëheqësit opozitar Albin Kurti dhe partisë tij "Vetëvendosja", atëherë në të ardhmen nuk duhet të hyjnë fare mallra serbe në Kosovë. Kurti i bëri thirrje idhtarëve të tij për të organizuar një kundërbllokadë, për të bllokuar pikat kalimtare të kufirit që kanë qenë deri tani të lira. Si kryeministri kosovar Hashim Thaçi, ashtu edhe korpusi i diplomatëve perëndimorë në Prishtinë paralajmëruan për rreziqet e këtij hapi, por Kurti ia arriti qëllimit të tij kryesor, tërheqjes së vëmendjes.

Prej muajsh "Vetëvendosja", e cila kërkon bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe tërheqjen e trupave ndërkombëtare, ka tërhequr pas vetes kosovarët e pakënaqur duke u bërë një nga konkurentët më serioze për pushtetin e Thaçit. Ky dërgoi ditën e shtunë prezencë të madhe policore në Veri, për të penguar idhtarët e Kurtit të përfundonin tek pikat kufitare. Aty ka patur përleshje të dhunshme, për të cilat si policia ashtu edhe Vetëvendosja bëjnë përgjegjëse njëra tjetrën.


Sipas policisë, të paktën dhjetë policë janë plagosur nga hedhja e gurëve, sipas "Vetëvendosjes" shumë demostrues janë plagosur nga dhuna joproporcionale e policëve. "Vetëvendosja" mbajti vetëm një protestë "në mbrojtje të prodhimeve vendase", bëri të ditur partia. "Kjo protestë nuk drejtohet kundër policisë, por kundër Serbisë," tha Kurti, para se t`i kërkonte policëve kosovarë që t`i bashkoheshin. Kësaj here ai bëri fushatë kot, por për ushtrinë gjermane ia vlen të zgjerojë kampin. Ose më mirë, ta ngrejnë atë në veri të Kosovës.  

Autor: Pjesë nga FAZ/Cama

Redaktoi: Lindita ARapi