1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

NSA merr tek Google dhe Yahoo miliona të dhëna të përdoruesve

Shërbimi sekret amerikan, sipas një njoftimi të mediave, ka përgjuar te Google dhe Yahoo e-maile nga mbarë bota duke patur hyrje në llogaritë e qindra mijëra përdoruesve. Krerët e NSA-së e kundërshtojnë atë.

Shërbimi i fshehtë amerikan NSA sipas një njoftimi gazete ka hyrë fshehurazi në linjat e ofruesve të internetit Google dhe Yahoo. Në këtë mënyrë agjencia e spiunazhit është në gjendje të kapë të dhënat në llogaritë e qindra milionë përdoruesve, ndër to edhe amerikanë, njofton "Washington Post", duke iu referuar dokumenteve të informantit dhe ish-punonjësit të NSA, Edward Snowden.

Më shumë se 180 milionë dataset-e në një muaj

Gazeta njofton se në dokumentet e NSA thuhet se prej 9 janarit të këtij viti ajo dërgon çdo ditë të dhëna nga rrjetet e Google dhe Yahoo në qendrat e të dhënave në selinë e NSA-së. Është fjala për të dhënat e dërguesve dhe marrësve deri te përmbajtjet si tekste, regjistrime tonike dhe video, shkruan gazeta.

Qendra e NSA-së, Fort Meade.

Qendra e NSA-së, Fort Meade.



NSA së bashku me shërbimin sekret britanik GCHQ veprojnë me një mjet "jashtëzakonisht agresiv" të quajtur "muskuloz", që zbërthen të dhënat. Ai ndryshon nga programi i përgjimit "Prism", i miratuar nga një gjykatë e fshehtë, që u mundëson autoriteteve amerikane hyrje direkte në komunikimin në internet nëpërmjet ofruesve të ndryshëm.

Deri tani nuk ka qenë e njohur se NSA vepron në mënyrë rutinore edhe kundër sipërmarrjeve amerikane, si "Washington Post". Këtu ajo përdor lidhjet me qendrat e të dhënave jashtë Shteteve të Bashkuara, gjë që nga ana ligjore është më e lehtë. Google i ka këto qendra të dhënash në Irlandë, Finlandë, Belgjikë, Kili apo Singapur.

NSA kundërshton akuzat

Shërbimi i fshehtë amerikan i kundërshtoi akuzat: "Ne nuk kemi hyrje në serverat e Google dhe Yahoo etj", tha shefi i NSA-së Keith Alexander në një konferencë për sigurinë e internetit në Uashington. NSA, tha ai, siguron vendim gjykate, dhe nuk janë miliona, është fjala për mijëra. Dhe gati të gjitha drejtohen kundër terrorizmit dhe gjërave të tilla."

Zëdhënësja e NSA-së, Vanee Vines, deklaroi se shërbimi ka shumë mundësi, për të plotësuar misionin e tij. "Pohimi, se ne thithim sasi të mëdha të dhënash të qytetarëve amerikanë në këtë lloj mënyre, nuk është i vërtetë.“

Qendër e të dhënave të Google në Finlandë

Qendër e të dhënave të Google në Finlandë

Përgjohet edhe Papa?

Ndërkohë revista javore italiane "Panorama" njofton për një sulm përgjimi të NSA në Vatikan. Sipas revistës shërbimi sekret amerikan në fund të vitit 2012 brenda një muaji ka përgjuar gjithsej 43 milionë telefonata në Itali, duke përfshirë lidhjet me shtetin papal. Në mars të këtij viti duhet të jenë përgjuar gjithashtu bisedat në lidhje me konklavën. Sipas raportit është përgjuar gjithashtu edhe shtëpia, ku ka jetuar kardinali Jorge Bergoglio para zgjedhjes së tij si papë. Zëdhënësja e NSA Vines e hodhi ndërkohë poshtë njoftimin si "të rremë". Vatikani nuk është objektiv i shërbimit sekret, tha ajo.