1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

NSA ka përgjuar edhe ish-kancelarin Schröder

Shërbimi sekret i SHBA nuk ka përgjuar vetëm kancelaren Merkel, por me sa duket që nga 2002 edhe ish-kancelarin Schröder. Këtë e dëshmojnë hulumtime të medieve gjermane. Arsyeja e përgjimit: refuzimi i luftës së Irakut.

Në qarqet qeveritare gjermane prej kohësh dyshohet se Agjencia e Sigurisë Kombëtare (NSA) në SHBA, nuk ka filluar përgjimin e kreut të qeverisë gjermane me kancelaren Angela Merkel, por kishte përgjuar më parë edhe qeverinë mes socialdemokratëve dhe ekologjistëve nën drejtimin e ish-kancelarit Gerhard Schröder. Sipas hulumtimeve të radios gjermane "Norddeutscher Rundfunk" (NDR) dhe gazetës Süddeutsche Zeitung (SZ), NSA ka marrë më së voni në vitin 2002 detyrën për të përgjuar celularin e kancelarit të atëhershëm Gerhard Schröder.

Shkak ishte mospranimi nga kreu i qeverisë gjermane i një lufte në Irak, e cila ishte planifikuar nga qeveria e SHBA-së nën presidentin George W. Bush, dhe që filloi në 2003. Veç kësaj ka pasur shqetësime për një çarje në NATO, shkruan gazeta "Süddeutsche Zeitung". Gazeta i referohet informacioneve nga qarqe të qeverisë amerikane dhe njerëzve të mirëinformuar në NSA. "Kishim arsye të supozonim se Schröder nuk jepte kontribut në suksesin e Aleancës", i tha "Süddeutsche Zeitung" një person që e njeh nga afër çështjen.

Schröder është numri 388

George W. Bush dhe Gerhard Schröder, 2002.

Schröder: "Atëherë nuk na shkonte nëpër mend se mund të përgjoheshim nga shërbimet amerikane."

Siç bëjnë të ditur më tej NDR (Norddeutscher Rundfunk) dhe "Süddeutsche Zeitung", shërbimi sekret e vendosi Schröderin me numrin 388 në një listë, ku gjendeshin personat dhe institucionet e përgjuara. Ish-kancelari deklaroi se përpara zbulimit të përmasave të përgjimit të NSA-së, nuk kishte e kishte përfytyruar një gjë të tillë. "Atëherë nuk na shkonte nëpër mend se mund të përgjoheshim nga shërbimet amerikane. Tani kjo nuk më habit më."

Deputeti ekologjist në Bundestag Hans-Christian Ströbele, i cili para pak kohësh u takua në Moskë me ish-punonjësin e shërbimit sekret NSA, Edward Snowden, i konfirmoi aksionet e përgjimit: "Sipas informacioneve të mia, në 2002/2003 janë përgjuar kancelari Schröder dhe pjesëtarë të tjerë të ish-qeverisë gjermane të socialdemokratëve dhe ekologjistëve."

Dokumenti i Snowden konfirmon dyshimet

Sipas njoftimeve në mediet gjermane, deklaratat mbështeten edhe nga një dokument i Snowden. Dokumenti, i cili është i kohëve të fundit, përmend vitin 2002 si fillimin e aksionit të përgjimit dhe emrin e kancelares Angela Merkel. Deri tani kjo e dhënë ishte interpretuar sikur për herë të parë një celular i kancelares ishte përgjuar para 12 vjetësh. Asokohe Merkel ishte vetëm kryetare e Partisë Kristiandemokrate (CDU).

Njerëz të mirëinformuar të NSA-së, të cilëve iu paraqit një kopje e dokumentit të Snowden, dhanë një interpretim të ri: detyra e programit të përgjimit nuk kishte të bënte me personin por me funksionin. Dokumenti tregon vetëm se që prej vitit 2002 ka qenë në përgjimin kreu i qeverisë gjermane, pavarësisht se kush e ka mbajtur postin. Në listë shënohen emrat e kancelarit apo kancelares aktuale. Sipas këtij interpretimi Merkel duhet të jetë përgjuar që nga viti 2005, si pasuese e Schröderit në post.

Detyra për NSA-në, qoftë për Schöderin qoftë për Merkelin, nuk kufizohej në regjistrimin e lidhjeve telefonike por edhe të fjalës së shkruar dhe të folur. NSA nuk i është përgjigjur kërkesës për t'u prononcuar në lidhje me çështjen. Në janar presidenti Barack Obama siguroi se Merkel nuk do të përgjohet më, gjatë mandatit të tij.