1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

NSA/BND: Çfarë di dhe dinte Merkel?

Në skandalin e përgjimeve të NSA-së ka vazhdimisht zbulime të reja. Mosbesimi ndaj Merkelit është shtuar në opinion. Shefi i zyrës së Kancelares do përgjigjet sërish në komisionin e kontrollit parlamentar.

default

Kancelarja Angela Merkel

Prej dy muajsh kjo është tema kryesore në Gjermani: zbulimet e informatorit Edward Snowden. Sipas pretendimeve të specialistit të informatikës, ish punëdhënësi i tij, shërbimi i fshehtë amerikan NSA, përgjon sistematikisht internetin në të gjithë botën. Gjermania duket se ka qenë veçanërisht në shënjestër të spiunëve.

Pak pas publikimit të akuzave, Presidenti amerikan Barack Obama vizitoi Berlinin në mes të qershorit dhe mbajti një fjalim të pritur me shumë kureshtje para Portës së Brandenburgut. Fjalimi kishte të bënte shumë me demokracinë dhe lirinë, të cilat duhen mbrojtur. Për zbulimet e shumëdiskutuara rreth përgjimeve, Obama foli vetëm pasi u pyet konkretisht në një konferencë të përbashkët për shtyp me Kancelaren Angela Merkel. Mesazhi i tij: gjithçka ka qenë e ligjshme.

Kancelarja gjermane tregoi mirëkuptim për shqetësimet e qytetarëve në lidhje me përgjimet e pakontrolluara. Ajo ka diskutuar gjerë e gjatë për këtë me Presidentin Obama. Në bisedë nuk janë eliminuar të gjitha diferencat në opinion dhe për to do të vazhdojnë bisedimet, tha Merkel atëherë.

Vazhdimisht zbulime të reja

Gjithnjë e më shpërthyese u bënë zbulimet për programet e përgjimit me emra të mistershëm si "Prism" dhe "XKeyscore",, nga informacione të reja të medieve kombëtare dhe ndërkombëtare. Papritur në qendër të kritikave u vu Shërbimi Informativ Gjerman (BND) përgjegjës për shërbimin informativ jashtë vendit. Ai thuhet se i ka përcjellë në masë të madhe informacione kolegëve të NSA-së. Disa herë u mblodh instanca parlamentare e kontrollit për mbikqyrjen e shërbimeve të fshehta (PKGr), në të cilën bëjnë pjesë deputetë nga të gjitha partitë e përfaqësuara në Bundestag.

Kanzleramtsminister

Ronald Pofalla duke folur për bashkëpunimin e BND me NSA

Para plot dy javësh para komisionit doli shefi i kancelarisë Ronald Pofalla (CDU). Ai është përgjegjës për shërbimet sekrete në kancelari. Pas mbledhjes së PKGr-së Pofalla deklaroi para gazetarëve, se shërbimet sekrete gjermane punojnë "në përputhje me ligjin" dhe mbrojtja e të dhënave respektohet "njëqind për qind".

Shqetësim të ri shkaktuan në fillim të gushtit njoftimet se BND vetëm në dhjetor 2012 i ka përcjellë shërbimit partner amerikan NSA, 500 milionë paketa të dhënash. Shifrat vijnë përsëri nga informatori Edward Snowden, i cili ndërkohë ka marë azil në Rusi.

Zv/zëdhënësi i qeverisë minimizon

Kancelarja Merkel, e cila aktualisht ndodhet me pushime, njoftoi përmes zv/zëdhënësit të qeverisë Georg Streiter, se nuk ka pasur miliona shkelje të së drejtës kushtetuese nga shërbimet e fshehta gjermane. Ata respektojnë veç kësaj edhe rregullat për mbrojtjen e të dhënave. Ky është aspekti më i rëndësishëm. Kështu ishte shprehur edhe shefi i zyrës së kancelares Pofalla, para instancës së kontrollit parlamentar PKGr.

Zëdhënësi i qeverisë Streiter shton se "aspekti i dytë i rëndësishëm" është që përcjellja e të dhënave personale të shtetasve gjermanë bëhet "mbi baza ligjore dhe vetëm në raste individuale". Edhe kjo deklaratë dy muaj pas zbulimeve të Snowden ishte për opozitën gjermane shumë pak. Kjo vlen edhe për informacionin e dhënë nga Streiter se në vitin 2012 janë përcjellë "vetëm dy paketa të dhënash, që kanë të bëjnë me një person të vetëm".

Shumica nuk ka besim tek Merkeli

Qeveria Merkel ende nuk ka deklaruar në mënyrë përfundimtare nëse edhe shërbimi i fshehtë amerikan NSA respekton ligjin gjerman. Për këtë "nuk ka të dhëna të palës gjermane", tha zëdhënësi Streiter. Qeveria gjermane u ka kërkuar informacion amerikanëve. Përgjigje nuk ka ende. Se çfarë pyetjesh konkrete u janë drejtuar aleatëve, Streiter nuk e tha. Është pikërisht kjo lloj politike informimi që zemëron pjesë të mëdha të opinionit publik në Gjermani. Sipas sondazheve shumica e popullsisë nuk ka besim tek Angela Merkel në skandalin e përgjimeve.

Në shënjestër është vënë tani edhe kryetari i grupit parlamentar të socialdemokratëve në opozitë, Frank-Walter Steinmeier. Në qeverinë e drejtuar nga ish Kancelari Gerhard Schröder ai ka qenë shef i kancelarisë dhe kështu edhe koordinator për shërbimet e fshehta. Gjatë kohës që ai ka qenë në këtë post është lidhur në 2002 një marrëveshje mes BND-së dhe NSA-së për bashkëpunim më të ngushtë në luftën kundër terrorizmit, pas atentateve të 11 shtatorit në SHBA.

Për çfarë ka rënë dakord me amerikanët Steinmeier?

Frank-Walter Steinmeier / SPD / Sozialdemokraten / SPD-Fraktionschef / **ohne 16:7-Format**

Frank-Walter Steinmeier, kryetar i grupit parlamentar i SPD në Bundestag

Akuzat në drejtim të Angela Merkelit dhe qeverisë së saj, tani drejtohen edhe kundër SPD-së dhe ekologjistëve. Steinmeier, i cili ka qenë ministër i Jashtëm në qeverinë e koalicionit të gjerë drejtuar nga Merkel nga 2005 deri 2009, i kundërshton akuzat.

Ajo që ishte e nevojshme në 2002 nuk ka të bëjë aspak me "mbledhjen thuajse të rregullt, të plotë dhe të gjeneralizuar të të dhënave private", që duket se është bërë nën qeverinë e Merkelit. Megjithatë gjermanët dinë po aq pak edhe për marrëveshjen për bashkëpunim të shërbimeve të fshehta gjermane dhe amerikane, të lidhur në kohën e Steinmeier.

Opinioni publik pret më shumë transparencë nga takimi i radhës i komisionit të kontrollit parlamentar këtë të hënë (12.08.2013). Shefi i kancelarisë Pofalla do të japë informacione të reja.