1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Nowak: "Ndalimi i torturës është absolut!"

Në më shumë se gjysmën e gjithë vendeve të botës tortura është një problem masiv, thotë Manfred Nowak, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare dhe të Drejtave të Njeriut në Universitetin e Vjenës.

Sipas Amnesty International në 141 vende të botës ka pasur në pesë vitet e fundit tortura ose keqtrajtime. Kjo shifër nuk e habit Manfred Nowak, i cili ka qenë në emër të OKB-së për inspektim në shumë vende të botës. Sipas tij "në më shumë se gjysmën e vendeve të botës tortura është me të vërtetë një problem i madh që shkon përtej rasteve të veçanta, është pjesërisht shumë e përhapur dhe aplikohet sistematikisht."

Manfred Nowak

Manfred Nowak

"Format më të zakonshme të torturës kryhen nga policia për t'i detyruar të arrestuarit të rrëfejnë. Shpesh here në radhët e policëve mungon vetëdija se ata po bëjnë një padrejtësi, sepse policët nuk janë të përgatitur mirë, paguhen keq dhe nuk kanë metoda më të mira të marrjes në pyetje, vetëm se thjesht të arrestojnë personin e parë, që u duket i dyshimtë, që më pas e torturojnë deri sa të pranojë që ka vjedhur, ka vrarë, apo ka grabitur. Kjo gjithashtu ka të bëjë me faktin se në shumë vende të botës sistemi i drejtësisë nuk është me të vërtetë i zhvilluar", sqaron Manfred Nowak, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare dhe i të Drejtave të Njeriut në Universitetin e Vjenës.

Shërbimet sekrete dhe tortura

Nga viti 2004 deri 2010 ai ishte raportues special i OKB-së për torturën dhe gjatë veprimtarisë së tij ka vënë re edhe se "sektori tjetër ku përdoret tortura, janë sidomos pas 11 shtatorit 2001, shërbimet e fshehta. Në këtë mes tortura nuk përdoret për të detyruar njerëzit të pranojnë ndonjë faj, por për të nxjerrë informacione me interes për shërbimin sekret përkatës." Edhe pse nga ana sasiore ky sektor është shumë më i vogël, ai përbën shumë shqetësim për Manfred Nowak. Sipas tij kjo lidhet me faktin se në këto raste u arrit një lloj pranimi i torturës nën justifikimin se përmes informacioneve të marra prej përdorimit të torturës mund të shmanget në të ardhmen një sulm terrorist dhe prandaj tortura është e keqja më e vogël." Nën këtë pretekst ka pasur përpjekje për ta relativizuar ndalimin absolut të torturës. Kjo gjë u mbështet në veçanti nga qeveria e dikurshme amerikane nën George W. Bush dhe një gjë e tillë i ka shkaktuar një dëm të vazhdueshëm ndalimit absolut të torturës në mbarë botën, mendon Nowak. Shumë shtete thonë se nëse amerikanët torturojmë për një të ashtuquajtur qëllim të mirë, atëherë edhe ne kemi të drejtë ta bëjmë këtë.

Thikë me dy presa

Në Evropë tortura është ndaluar gradualisht në kuadrin e procedurës penale për rastin e një krimi, por në sektorin e shërbimeve sekrete përmes torturës mund të merren informacione, që mund të jenë të dobishme, thotë ish-raportuesi special i OKB-së për torturën. Por megjithatë askush nuk mund të jetë 100% i sigurt, nëse këto informacione janë të sakta. "Rrezik informacione të tilla përbëjnë sidomos në rastet, kur në bazë të tyre merren vendime politike, si p.sh. në luftën e Irakut 2002. Megjithatë nuk mund të argumentojmë dhe të themi se tortura nuk ka asnjëherë efekt. Tortura ndonjëherë mund të jetë efikase", thotë Manfred Nowak, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare dhe i të Drejtave të Njeriut në Universitetin e Vjenës. Megjithatë sipas tij ndalimi i torturës është absolut dhe duhet të vlejë si në kohë lufe edhe paqje dhe sikurse është sanksionuar edhe në të Drejtën Ndërkombëtare Civile, ku thuhet se edhe në kohë lufte nuk lejohet tortura.

Përkeqësim i situatës

Në dhjetë apo njëzetë vitet e fundit ka pasur në parim një përkeqësim të gjendjes, sa i përket përdorimit të torturës, edhe pse krahasimet me periudhat e mëparshme janë të vështira, mendon Nowak. P.sh. në vitet 70-të ka pasur tortura sistematike në të gjitha vendet e Amerikës Latine, sot gjendja ka ndryshuar, sikurse edhe pas vitit 1989 në Bashkimin Sovjetik dhe vendet e tjetra të Evropës Lindore.

Por nën Putinin gjendja ka ndryshuar sërish. Madje edhe në vende demokratike, sidomos në SHBA, ka pasur shtim të torturës. P.sh. në vitin 2010 janë konstatuar 66 vende, ku në luftë kundër terrorit është përdorur tortura, në Evropë, Amerikën e Veriut, Afrikë dhe Azi.

Më shumë ndërgjegjësim

Problemi është se në rastin e torturës pak njerëz nxirren përpara përgjegjësisë, sepse si rregull policia heton kundër vetes dhe "kjo për fat të keq vlen si në rastin e diktaturave edhe për shumë demokraci", thotë Nowak. Prandaj sipas tij nevojitet më tepër ndërgjegjësim që tortura nuk është një delikt i vogël, por një nga shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut, një krim që duhet të dënohet. "Për fat të keq kjo ndërgjegje nuk ekziston në shumicën e shteteve të botës dhe këtu bëjnë pjesë edhe demokracitë e zhvilluara perëndimore", thekson Manfred Nowak, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare dhe i të Drejtave të Njeriut në Universitetin e Vjenës.