1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

NRS-Import

Norvegjia kursen në një fond gjigand fitimet nga nafta

Kush nuk do t'i donte ato- burime prej të cilave vërshon naftë? Vetëm se mirëqënia në shumë vende që nxjerrin naftë shpesh mungon. Ndryshe është puna në Norvegji, ku mendohet në mënyrë më afatgjatë.

Muzeumi i naftës dhe gazit në Stavanger, Norvegji

Muzeumi i naftës dhe gazit në Stavanger, Norvegji

Ai që kërkon të dijë se pse është kaq e pasur Norvegjia, ai duhet të vizitojë njëherë muzeun e naftës në Stavanger. Këtu mund të mësosh historinë e një kombi të varfër peshkatarësh, i cili në vitet '60 gjeti si të thuash në derën e shtëpisë naftë dhe gaz dhe problemi më i madh i të cilit sot është si të veprojë me mirëqënien, thotë drejtori i muzeut të naftës, Finn Krog: "Ne duhet ta administrojmë pasurinë me mençuri dhe largpamësi. Dhe neve na nevojitet më shumë këmbëngulje në shfrytëzimin e burimeve. Prandaj kemi ngritur një fond bankar nafte, duke futur aty disa mijëra miliarda krona. Ky është një hap për të ardhmen, për të treguar kujdes, në mënyrë që të mos shpenzojmë shumë nga pasuria jonë. Mua kjo më duket e drejtë dhe besoj se personat përgjegjës deri tani kanë vepruar në mënyrë të zgjuar në këtë drejtim." Mbi 300 miliardë EURO ka mbledhur deri tani fondi i naftës i Norvegjisë, shumica e parave investohen në tregjet ndërkombëtare financiare, vetëm një pjesë e vogël investohet në atdhe. Të gjitha të ardhurat nga nafta derdhen në fonde, gjë që u shërben dy qëllimeve: që të ruajë aftësinë për të paguar të vendit, në rast se nafta nuk do të vërshojë një ditë më si tani, ose po të bien çmimet, dhe për të lënë një rezervë edhe për brezat që do të vijnë. Vetëm me një pjesë të fitimit nxiten investimet shtetërore ose sistemi i pensioneve, pa qenë të nevojshme rritje të ndjeshme taksash- të tilla norvegjezët paguajnë mjaft. Për administrimin e fondit është përgjegjëse Norges Bank, Banka e Norvegjisë, por asaj nuk i lejohet ta investojë Fondin si dëshiron: bizneset u nënshtrohen një detyrimi për të qenë të pastra dhe këtë e mbikqyr një Këshill Kombëtar i Etikës. Ky Këshill përshembull arriti që shtatë vjet më parë ta detyrojën Fondin t'i shesë pjesët që kishte blerë në shtatë koncerne, të cilat prodhonin pjesë të armëve bërthamore. Fondi i naftës është padyshim i orientuar nga fitimi, po paratë nuk duhet të bien erë. Vetëm "ari i zi" nuk është ai që përbën pasurinë e Norvegjisë, mendon kryeekonomisti i Svedbank, Harald Andreassen:"Ne jemi një komb i pasur dhe kemi një treg pune që funksionon mirë. Jo për shkak të naftës, por sepse ne përdorim teknologji të reja, kemi lënë pas reforma rrënjësore, sepse ekonomia u modernizua dhe racionalizua. Nëse nesër nuk do të kishte më naftë të Detit të Veriut, fondi i naftës nuk do të rritej më dhe ky do të ishte një shok për industrinë e furnizimeve, megjithatë Norvegjia do t'ia dilte shumë mirë mbanë". Por nafta vazhdon të vërshojë dhe fondi rritet fuqishëm. Për shumë politikanë të vendit ai është më tepër një tundim, se sa një siguri. Rregullisht para zgjedhjeve dëgjohen kërkesa për ta shfrytëzuar këtë fond. Por edhe ndaj politikanëve bujarë me dhurata vigjilon Këshilli i Etikës, i cili në rast nevoje vendos si do të veprohet.
  • Data 28.01.2008
  • Autor Albrecht Brajtshuh / Stockholm
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CxIK
  • Data 28.01.2008
  • Autor Albrecht Brajtshuh / Stockholm
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CxIK