1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Nomadë të punës në Evropë

Që kur kriza ka arritur para së gjithash Evropën Juglindore, gjithnjë e më shumë njerëz nga vendet e reja të BE kërkojnë punë jashtë vendit. Interesi i tyre drejtohet para së gjithash në vendet gjermanofone.

Flamuri i Zvicrës

Flamuri i Zvicrës

Maja Majçrzak është me origjinë nga Polonia. Që prej festës së fundit të Krishtlindjeve ajo punon si mësuese skijimi në qendrën luksoze të skijimit St. Moritz. Ajo është një nga nomadet e reja të punës të Evropës: e shkolluar, e gatshme për aventura dhe u përshtatet situatave. Përpara se të vinte në Zvicër, mësuesja e anglishtes punoi për pesë vjet në një shkollë gjuhësh të huaja në Milano. Kur në Itali arriti kriza ekonomike, ajo vendosi të vazhdojë rrugën. "Zvicra më tërhiqte, sepse ndodhet në mes të Evropës dhe ofron mundësi të jashtëzakonshme të mira fitimi", thotë Maja, që flet disa gjuhë.

Njohuritë e gjuhëve të huaja ua lehtësojnë shumë migrantëve nga Evropa Lindore qasjen për në tregun e punës në Zvicër. "Po të ishte fjala vetëm për skijim, do të kishim pasur mjaft njerëz edhe nga Italia dhe Gjermania," thotë Franco Moro, drejtor i shkollës zvicerane të skive St.Moritz. "Përsa u përket evropianolindorëve, vërtet që kanë shpesh deficite në mënyrën e të konceptuarit të shërbimeve, por nga ana tjetër shumë prej tyre flasin rusisht -- dhe ky është një kualifikim shumë i rëndësishëm."

Liri lëvizjeje me kufizime

Që prej vitit 2011, për emigrantët e punës nga vendet e BE është lehtësuar ardhja në Zvicër, për shkak të një marrëveshjeje bilaterale me BE. Liberalizimi erdhi në të njëjtën kohë me hapjen e plotë të tregut të punës brenda BE në të njëjtin vit. Një vit më vonë, Zvicra i rivendosi kuotat për qëndrime afatgjata. Por nëse ato mbarojnë, mund të kërkohet edhe më tej një vizë për qëndrim deri në një vit në Zvicër.

Maja Majchrzak

Maja Majchrzak

Megjithë këto kufizime, shpërngulja e evropianolindorëve dhe evropianoqendrorëve për në Zvicër nuk ka të ndalur. Fajin për këtë e ka kriza financiare dhe ekonomike në pjesën tjetër të Evropës. "Franga e fortë zvicerane natyrisht që e bën më tërheqëse Zvicrën", deklaron Herbert Brücker nga "Instituti i Studimeve të Punës dhe Profesioneve" në Nürnberg. Studimet më të fundit tregojnë që evropianolindorët, që kërkojnë punë, përbëjnë vetëm 20 përqind të migracionit aktual të punës. Akoma më shumë lëvizje vjen nga Polonia, Çekia dhe Hungaria. "Ata preferojnë që ta hedhin vështrimin më tepër në vende si Gjermania, ose Zvicra", thotë Brücker.

Shanset në turizëm

Kërkesën e ndiejnë edhe hotelet dhe gastronomitë, të cilat nuk janë përballur kurrë me kaq shumë aplikime nga evropianolindorët. Vërtet që deri tani ata përfaqësojnë një minoritet, por pjesa e tyre është në rritje të vazhdueshme. Sepse ajo që vlen për hotelet, vlen edhe për shkollat e skijimit: kërkohet personel, që di shumë gjuhë. "E para në perspektivë kjo është e drejtë, sepse është në rritje edhe numri i turistëve nga vendet e reja të BE," thotë Michael Wagner, pronar i një hoteli në Pontresina në afërsi të St.Moritzit. Këtu pronari i hotelit ka të punësuar në sezonin e dimrit deri 60 vetë, më shumë se 80 përqind e tyre janë të huaj, midis tyre edhe sllovakë dhe hungarezë. "Shpesh këta janë të rinj me arsim të mirë dhe që përshtaten shumë lehtë me kushtet - pikërisht ajo që kërkojmë."

Rrugës drejt Veriut

Kristina Malikova .

Kristina Malikova

Njëra prej tyre është Kristina Malekova. Ajo punon në hotelin "Te Rosaçët", si punonjëse shërbimi për të dytin vit me radhë. Gruaja, që ka studiuar filozofi, nuk gjeti punë për të qenë në vendin e saj. Fillimisht ajo donte të shkonte në Turqi, ose në Greqi, por pastaj erdhi kriza dhe ajo vendosi që të kërkojë punë në Zvicër. "Këtu pagesa dhe atmosfera e punës janë të shkëlqyera", thotë sllovakja.

Niveli i lartë i pagave dhe monedha e fortë në mes të krizës së euros e bëjnë Zvicrën një nga vendet më tërheqëse të Evropës. Por ajo është një treg relativisht i vogël pune, ndaj pritet që shumë nomadë pune, që largohen tani nga jugu i Evropës, të shpërngulen më tej në drejtim të Veriut. Për shembull drejt Gjermanisë. Numri i migrantëve për në Gjermani është shtuar që tani në mënyrë të konsiderueshme. Dhe një fund i këtij zhvillimi nuk duket.

Autor: Rosalia Romaniec/ Auron Dodi

Redaktoi: Angjelina Verbica