1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

"No money, no deal" - Mbledhja e ministrave të mjedisit të BE-së

No money - no deal - Pa para s'ka marrëveshje! Këtë fjali përsëriti disa herë Ministri suedez i Mjedisit Andreas Carlgren në takimin (25.7.) me homologët e tij nga BE-ja.

default

Nëse vendet në zhvillimin dhe ato në ekspansion nuk do të marrin në dhjetor në Kopenhagë premtime për financim, ato nuk do ta nënshkruajnë marrëveshjen për klimën. BE-ja e di këtë dhe do të japë para. Por sa se do të paguhet dhe nga kush, kjo është ende e hapur.


Sekretari gjerman i Shtetit për Mjedisin, Matthias Machning, shprehet qartë: "Çdo shifër që përmendim tani ka mundësi të jetë shifra e gabuar. Në stadin aktual të bisedimeve është ende shumë herët për të dalë me një shifër konkrete. Unë besoj se kemi nevojë për një mekanizëm financiar, kemi nevojë të përcaktojmë një volum të përafërt fondesh, që do të ishte në dispozicion dhe do të varet më pas nga negociatat, se sa i lartë do të jetë në total kontributi evropian".


Komisioni Evropian mendon se të gjitha vendet e globit së bashku duhet të venë çdo vit rreth 200 miliardë euro në dispozicion të një fondi për klimën. Me këto para do të financohen projekte për reduktimin e emisionit të dioksidit të karbonit (CO2), në vendet në zhvillim dhe ato në ekspansion.


Veç kësaj BE-ja ka vendosur të derdhë në këtë fond gjysmën e të ardhurave nga tregtia me të drejtat e ndotjes, rreth 20 miliardë euro. Por Evropës do t'i duhet të paguajë edhe më shumë para, megjithëse ministrat e mjedisit të shteteve anëtare ende nuk kanë vendosur se sa do të kontribuojë secili vend. Shumica e tyre kërkon të përcaktohen fillimisht objektivat dhe pastaj të diskutohet për financimin. Por Polonia bën pjesë në grupin e atyre vendeve që duan të dinë paraprakisht qartë se çfarë detyrimesh do të kenë në të ardhmen.


Deri në tetor pritet përcaktimi i pozicionit të përbashkët në BE

Ministri suedez i Mjedisit, Andreas Carlgren, theksoi se të gjitha vendet e BE-së janë shprehur për reduktimin me 30 për qind të emisioneve të CO2-it deri në vitin 2020. Carlgren e vlerësoi miratimin e objektivit për reduktimin me 30 për qind të dioksidit të karbonit, si një sinjal për Kopenhagën. Kryetarët e shteteve dhe të qeverive kishin miratuar reduktimin e emisionit të dioksidit të karbonit me 20 për qind. Por nëse vende të tjera tregohen të gatshme të ulin nivelin e tyre të ndotjes, BE-ja është e gatshme të reduktojë emisionin e gazrave të dëmshme me 30 për qind.

Reduktimi i CO2 në BE deri në 30%

Në qarqet diplomatike u tha se BE-ja duhet të arrijë një marrëveshje, që lejon reduktimin e emisionit të saj të gazit CO2 me 30 për qind. Rezultate të tjera do të ishin vetëm një dështim politik. Veç kësaj reduktimi prej 30 për qind është i nevojshëm në mënyrë që të mos dështojë sistemi i tregtisë me të drejtat e ndotjes. Ky sistem mund të funksionojë vetëm nëse sipërmarrjet do të tregtojnë një numër të caktuar të këtyre çertifikatave. Ndryshe çmimi do të binte shumë, u tha.


Në Kopenhagë kryetarët e shteteve dhe të qeverive të vendeve të globit synojnë të nënshkruajnë një marrëveshje të re për klimën. Ajo synon reduktimin e ngrohjes së globit me 2 për qind dhe parandalimin e katastrofave natyrore.

Autor: Christoph Prößl / Eliana Xhani

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora

  • Data 26.07.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/IxbJ
  • Data 26.07.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/IxbJ