1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

200910 D Westerwelle UNO

21 Shtator 2010

Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle udhëton të martën (21.09) në Nju Jork për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Ai do të lobojë për kandidaturën gjermane për një vend-jo të përhershëm në KS.

https://p.dw.com/p/PHkv
Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle
Ministri i Jashtëm gjerman, Guido WesterwelleFotografi: Marcin Antosiewicz

Kur në shtator fillon punimet e përvitshme Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, Nju Jorku zien. Delegacione nga 192 vende të botës marrin udhën drejt selisë qendrore të Kombeve të Bashkuara, sirenat e policisë dëgjohen gjithkund, rrëmuja është e madhe. Qetësi e përqëndrim ka vetëm në sallën e Asamblesë së Përgjithshme me 1800 vende, salla më e madhe e kompleksit të ndërtesave të OKB-së. Në këtë sallë zhvillon punimet "parlamenti i kombeve", po në këtë sallë i jepet çdo vendi anëtar kohë për të folur, sado e vogël të jetë ajo. E kush flet në këtë sallë, atë e dëgjon bota - një nder i veçantë.

Çarmatimi - temë e rëndësishme për Gjermaninë në Asamble

Kur ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle të shtunën të diskutojë politikën gjermane të Kombeve të Bashkuara, ka lënë pas vetes ndërkohë një sërë bisedimesh e takimesh: Asambleja e Përgjithshme është një forum komunikimi, si të thuash një shesh tregu i diplomacisë. Nuk ka temë që nuk vihet në tryezën e bisedimeve, qoftë Këshilli NATO-Rusi (22 shtator), bisedimet e paqes në Lindjen e Afërt, apo edhe jozyrtarisht bisedimet në dhomat e hoteleve të Nju Jorkut.

Pamje nga mbledhjet e Këshillit të Sigurimit
Pamje nga mbledhjet e Këshillit të Sigurimit

Para udhëtimit për në Nju Jork, ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle tha se për të e rëndësishme është tema e çarmatimit. "Së bashku me Australinë dhe Japoninë, Gjermania do të bëjë pjesë tek shtetet themeluese të një grupi vendesh që do të kërkojnë përparime në temën e çarmatimit dhe mospërhapjen e armëve të shkatërrimit në masë."

Gjermania synon një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit nga 2011-ta

Një temë tjetër e rëndësishme për Westerwellen do të jetë aplikimi i Gjermanisë për një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit. Në 12 tetor, 192 ambasadorët e OKB-së do të vendosin nëse Gjermania nga viti 2011 për dy vite do të ulet në instancën më të rëndësishme të politikës ndërkombëtare të sigurisë."Shanset janë të mira, edhe pse deri në fund na duhet të punojmë shumë, sepse ka sigurisht aplikues të tjerë shumë të mirë, të njohur, të suksesshëm dhe të rëndësishëm."

Ambasadori gjerman Peter Wittig në OKB
Ambasadori gjerman Peter Wittig në OKBFotografi: DW

Konkurrentët janë Kanadaja dhe Portugalia, të dyja vendet, aktorë me imazh të mirë në OKB. Çdo votë është e rëndësishme, po qe se Gjermania do t'ia dalë ndaj konkurrencës- prandaj edhe udhëtimi i ministrit të Jashtëm gjerman është edhe një udhëtim lobimi.

Si kontribuesi i tretë më i madh për OKB-në dhe si anëtar i angazhuar i OKB-së, Gjermania ka me se ta ngrejë zërin. Për shembull ambasadori gjerman në OKB aktualisht drejton Komisionin për konsolidimin e paqes të OKB-së, i cili koordinon ndihmën e OKB-së në vendet pas fazës së konfliktit.

Shpresa për vend jo të përhershëm në KS

Jo vetëm në Ministrinë e Jashtme gjermane por edhe në Shoqatën Gjermane të Kombeve të Bashkuara ka shpresa që aplikimi të dalë me sukses. Sekretarja e Përgjithshme, Beate Wagner veçse kritikon se politika e koalicionit konservatoro-liberal për OKB nuk ka konture të qarta: "Nuk shoh ndonjë përkushtim të veçantë për Kombet e Bashkuara. Sigurisht është një situatë e vështirë. Në fund të vitit të shkuar dështoi përpjekja për të arritur një marrëveshje të re për klimën Kyoto II. Në këtë fushë qeveria gjermane ka marrë iniciativa, ajo ka qenë mikpritëse e konferencave në Bon. Por në aspekte të tjera, si në fushën e zhvillimit do ta shihja angazhimin e Gjermanisë si të pamjaftueshëm."

Wagner kritikon faktin që Gjermania nuk bën pjesë tek shtetet që japin kontribut të lartë për programin e OKB-së për zhvillimin (UNDP). Edhe kontributi gjerman për misionet e paqes si ato në Afrikë mund të jetë më i lartë. Por e rëndësishme është që pas kancelares, vetë ministri i Jashtëm udhëton personalisht në Nju Jork - vitin e kaluar këto udhëtime u anulluan për shkak të fushatës zgjedhore.

Autor: Nina Werkhäuser/Lindita Arapi

Redaktoi: Elert Ajazaj