1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Një refugjat pa shpresë është tepër”

20 Qershor 2011

Sipas Komisariatit të Lartë të OKB për Refugjatë nga viti 2000 në Kosovë janë kthyer rreth 22 500 vetë, ndërsa mijëra ende jetojnë të zhvendosur brenda dhe jashtë vendit. Refugjatë në Kosovë ka edhe nga vendet e rajonit.

https://p.dw.com/p/11fhy
Lumi Ibër në Mitrovicë
Lumi Ibër në MitrovicëFotografi: DW/A.Beqiray

Esat Gashi, nga pjesa veriore e Mitrovicës, tash 12 vjet jeton si i zhvendosur në jug të qytetit: “Kom jetu n´pjesën veriore, në pronën time, pesë ari dhe shtëpinë dykatëshe. Që nga paslufta jetoj n´pjesën jugore, me vëllaun. Shtëpia m´u ka djeg gjatë luftës. Ka ba kërkesë një kojshi për mua e për vete me na i ndërtu shtëpitë, mirëpo nuk ka ndërtime në atë rrugë për shkak të sigurisë. Paj bandat serbe sulmojnë! Qe 11-të vjet vetëm një herë jom konë, se s´kam guxu me shku prej tyne”, rrëfen z.Gashi, i cili sa herë ec brigjeve të lumit Ibër, i cili ndan qytetin me kufi, nga larg kundron shtëpinë e tij.

Esat Gashi
Esat GashiFotografi: DW/A.Beqiray

“Qe, ku asht, matanë...Aty me dal, shihet shpia jeme. Por, s´guxoj me shku, se s´ka siguri...”.

Për shkak të dëbimit të dhunshëm gjatë luftës dhe uzurpimit të pronave nga serbët pas përfundimit të saj, rreth 10 mijë shqiptarë të Mitrovicës së veriut edhe 11-të vjet pas luftës jetojnë larg vatrave të veta. Ndërsa të tjerë, për shkak të gjëndjes së rënduar politike dhe ekonomike, ua kanë shitur pronat serbëve në veri për shuma të majme parash. Familja e Artan Qitakut është njëra ndër familjet shqiptare, që kanë shitur pronën në veriun e Mitrovicës:

“Unë vi prej veriut të Mitrovicës. Sa i përket sigurisë, nuk kemi qënë aq të rrezikuar, meqënse kemi banu në lagjen “Tre Rrokaqiejt” e ka pas shumë familje shqiptare. Por për shkak të kushteve ekonomike, kemi ardhe deri te shitja e banesës. Tash jetojme me qira!”

Rreth 10 mijë shqiptarë të veriut jetojnë të zhvendosur brënda vendit

Radoica Tomiq, ministër për Komunitete dhe Kthim
Radoica Tomiq, ministër për Komunitete dhe KthimFotografi: DW/A.Beqiray

Gjatë kremtimit te Ditës botërore të refugjatëve të organizuar nga Zyra e UNHCR-së në Kosovë, ministri i ri për komunitete dhe kthim në qeverine e Kosovës, Radoica Tomiq, në fjalën e tij ndër të tjera tha se: “Nuk është kthim të ndërtosh shtëpi e të blesh orendi. Kthim është kur njeriu është i integruar në rrethin, ku jeton, fëmija i të cilit shoqërohet me moshatarët dhe ai shoqerohet me fqinjtë e vet, pa menduar për sigurine e pasurise së vet”.

Por shqiptarëve të veriut të Kosovës nuk iu është ofruar madje as kaq. Pjesëtarë të komuniteteve RAE vazhdojnë të jetojnë nëpër tenda si të zhvendosur në një kohe, kur qindra shtëpi të reja serbësh anekënd Kosovës rrinë të boshatisura. Lidhur me këtë dhe shqetësime të tjera, ministri Tomiq dhe stafi i tij nuk e panë të arsyeshme të japin intervistë për Dojce Vele-n, megjithëse kërkesa iu ishte bërë me kohë. Si rrjedhoje nga Ministria për Komunitete dhe Kthim e qeverisë së Kosovës nuk arritëm të sigurojmë deklaratë zyrtare, se sa është kthimi i qëndrueshëm 12 vjet pas luftës, s´kemi ndonje shifër për numrin e të zhvendosurve brënda dhe jashtë saj e as kemi të dhëna për projekte të reja kthimi të të zhvendosurve në vatrat e veta.

UNHCR bën thirrje: Zhvendosjet e tejzgjatura duhet të përfundojnë

Jo Hagenauer, shef i misionit të UNHCR-së në Kosovë
Jo Hagenauer, shef i misionit të UNHCR-së në KosovëFotografi: DW/A.Beqiray

Mirëpo Komisariati i Lartë i Kombeve të Bashkuara, zyra në Prishtinë, njofton se që nga viti 2000 deri në fund të muajit maj 2011 në Kosovë janë kthyer rreth 22 500 persona. Vetem gjatë vitit 2010 janë kthyer 2 275 persona. Ndërsa janë afro 18 000 persona të të gjitha komuniteteve të zhvendosur brenda në Kosovë. Jo Hagenauer është shef i misionit të UNHCR-së në Kosovë: “Jashtë Kosovës ende janë mijëra njerëz, të cilët dëshirojnë të kthehen në Kosovë. Brenda në Kosovë janë rreth 18 000 njerëz, të cilët nuk janë kthyer në shtëpitë e tyre. Shumica prej tyre u larguan në vitin 1999. Këta njerëz janë të zhvendosur për 12 vjet rresht dhe kjo situatë e zgjatur duhet të përfundojë. Ne duhet shumë shpejt të gjejmë një zgjidhje, e cila është jetëgjatë, e qëndrueshme dhe dinjitoze”. Ai shprehu qartazi se, “bashkëpunimi është element kyç (çelësi) i suksesit. Ne jemi të bashkuar në krijimin e kushteve të qëndrueshme për zgjidhje afatgjata. Të bashkuar, autoritetet në Kosovë dhe ato në rajon do të arrijnë këtë qëllim”, theksoi z.Jo Hagenauer, shef i UNHCR-së, e cila është prezente në Kosovë që nga viti 1992 dhe krahas mandatit të saj global dhe tradicional, i cili buron nga Konventa e vitit 1951 lidhur me Statusin e Refugjatëve, UNHCR në Kosovë, përmes Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara RKSKB 1244 (1999) ka mandat specifik në mbikqyrjen e kthimit të lirë dhe të sigurt të refugjatëve dhe personave të kthyer.

Refugjatë nga Kosova në rajon dhe nga rajoni në Kosovë

Vullnetarë duke ndihmuar refugjatët
Vullnetarë duke ndihmuar refugjatëtFotografi: DW/A.Beqiray

Sipas kësaj organizate në Kosovë janë 139 refugjatë nga Kroacia, 27 nga Bosnja dhe Hercegovina, 34 nga IRJ e Maqedonisë dhe 26 refugjatë sipas mandatit të UNHCR. Ndërsa një numër i konsiderueshëm i qytetarëve te komunitevete të ndryshme nga Kosova ende qëndrojnë të zhvendosur në Serbi, Mali të Zi dhe në IRJ Maqedoni. E porosia e UNHCR-së do të tingëllonte: “Një familje e shtyrë për të ikur, është shumë... Një fëmijë i rritur në kamp, është shumë...Një refugjat pa shpresë, është tepër...Bej një gjë: Bëhu vullnetar!

Autor: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Angjelina Verbica