1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

180211 EU Libyen

19 Shkurt 2011

Sundimtari i vetëm i Libisë Muamar al Gadafi, për tri dekada rresht konsiderohej nga politika e BE-së si terrorist. Por më pas ai u rehabilitua. Kjo edhe falë pasurive në naftë dhe gaz të vendit të tij.

https://p.dw.com/p/10KVw
Muammar Gaddafi, Herman van Rompuy dhe Ali Bongo në samitin BE-Afrikë në Tripoli, 29 nëntor 2010.Fotografi: picture-alliance/dpa

Muammar al Gaddafi e shleu me para të kaluarën e tij të bezdisshme. Ai pagoi 2,8 miliardë dollarë amerikanë zhdëmtim për viktimat e dy atentateve terroriste në një diskotekë në Berlin dhe një avion në Lockerbie. Në këmbim Kombet e Bashkuara "harruan" të kaluarën terroriste të kryetarit të shtetit në Libi. SHBA u qetësua, kur Gaddafi hoqi dorë edhe nga armët e shfarosjes në masë. Kështu mori fund një armiqësi gati dhjetë vjeçare me sundimtarin e vetëm të gjashtë milionë libianëve: në vitin 2003 u hoqën sanksionet kundër Libisë. Në 2004 sundimtari ekcentrik me uniformat ekzotike priti kryeministrin britanik Tony Blair, presidentin francez Jacques Chirac dhe ish-kancelarin gjerman Gerhard Schröder.

Libyen Muammar Gaddafi Moammar Gadhafi
Udhëheq me dorë të hekurt - sundimtari libian Muammar Gaddafi.Fotografi: picture-alliance/dpa

Nga terrorist në bashkëbisedues

"Ky vend ka ndryshuar politikisht dhe kjo është për t'u përshëndetur. Natyrisht nuk mund të krahasohet me atë që njohim në vendet tona, por drejtimi është ai i duhuri. Unë besoj se bashkësia ndërkombëtare ka një interes për ta afruar ndaj vetes Libinë", u shpreh atëherë ish-kancelari Schröder.

Evropianët ishin dhe janë të interesuar në rezervat e pasura me lëndë të para të Libisë. Koncernet evropiane energjetike kanë investuar në shtetin në shkretëtirë. Muammar al Gaddafi, i cili e siguron pushtetin e tij me pjesëtarë të fisit në ushtri, vizitoi në vitin 2004 BE-në në Bruksel. Ai e kaloi natën në një çadër gjigante, solli me vete truprojat e tij të famshme të përbëra vetëm nga gra dhe u ngriti nervat bashkëbiseduesve me monologë që zgjasnin orë të tëra. Mbështetjen e tij për terroristët Gaddafi e shiste si luftë për liri:

"Ne bëmë detyrën tonë. Stërvitëm luftëtarët e lirisë që ata të mund të fitonin lirinë. Ne besonim se kjo ishte detyra jonë historike."

Ndërthurje interesash ekonomike

Libia ra në ujdi me BE-në për t'u bërë pjesë e partneritetit të vendeve që lagen nga Deti Mesdhe. Veçanërisht italia, ish-fuqia kolonialiste, ka interes të madh tek Libia. Në ish- koloninë e saj punojnë shumë firma italiane. Nga ana tjetër Libia ka aksione në shumë koncerne italiane. Kompania shtetërore libiane e naftës "Tamoil" kishte një rrjet pikash furnizimi në jug të Evropës.

Në vitin 2006 BE dhe Libia lidhën edhe një marrëveshje për ndalimin e varkave me refugjatë ilegalë. Libia ndalon refugjatët nga Afrika dhe merr për këtë 50 milionë euro. Herë pas here Muammar al Gaddafi kërkon miliarda nga BE-ja. Ai kërcënon se në të kundërtën do t'i nisë përmes detit të gjithë refugjatët.

Raportet me BE-në u bënë edhe më të mira, kur në vitin 2007 Gaddafi liroi infermieret bullgare, të cilat mbaheshin pa të drejtë në burg, dhe për këtë mori një zhdëmtim. Bashkëshortja e presidentit francez, Carla Bruni-Sarkozy, i mori infermieret e liruara dhe Nicolas Sarkozy pak javë më vonë lidhi marrëveshje me Gaddafin për investime me një volum prej 10 miliardë eurosh. Vitin e kaluar pushtetmbajtësi libian vizitoi për të disatën herë Italinë. Më parë ishin lidhur marrëveshje miqësie, ndaj të cilave ka pasur edhe kritika, p.sh. nga senatori italian Marco Perduca:

Nicolas Sarkozy mit Moammar Gadhafi in Libyen
Marrëveshje për investime miliardëshe - Gaddafi dhe presidenti francez Sarkozy.Fotografi: AP

Sakrifikim i parimeve demokratike për hir të interesave ekonomike?

"Italia ka ratifikuar një marrëveshje miqësie, për të cilën punohej prej 15 vjetësh, por ku nuk përmenden as një herë të vetme të drejtat e njeriut. Flasim për miliarda euro, të cilat jepen pa projekte për mjedisin, pa plane për të drejtën e punës, pa asnjë kriter. Pra i kemi dhënë një çek të bardhë dikujt, që prej 40 vjetësh shkel të drejtat civile."

Italia merr gaz natyror nga Libia përmes një përcjellësi direkt gazi. Edhe Gjermania është kliente e mirë e Libisë. Rreth 10 për qind e naftës së konsumuar në Gjermani vjen nga Libia. Dhe kryeministri i Italisë, Silvio Berlusconi e lëvdon Gaddafin ku mundet:

"Unë shoh tek kjo figurë drejtuese një mençuri të madhe. Unë pranoj se gjithçka që ai më ka thënë për krizat ndërkombëtare të 15 viteve të fundit, kanë qenë gjithnjë pozicione, që pasqyronin realitetin."

Ministrja e BE-së për politikën e jashtme Catherine Ashton, deri tani ka thënë vetëm një fjali për demonstrimet në Libi: "Ne vëzhgojmë situatën me shumë kujdes dhe i bëjmë thirrje qeverisë të dëgjojë popullin". Kështu deklaroi zëdhënësi i Ashtonit. Që prej vitit 2008, BE negocion me udhëheqjen në Tripoli për një marrëveshje mbi bashkëpunimin në furnizimin me energji, migracionin dhe arsimin. Libia është zhvilluar mirë, tha komisioneri i BE-së për zgjerimin Stefan Füle, gjatë vizitës së tij në Tripoli në tetor të vitit të kaluar.

Autor: Bernd Riegert / Eliana Xhani

Redaktoi: Lindita Arapi