1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një e mbijetuar e Aushvicit na dhuron kujtimet

1 Shkurt 2018

"Urrejtja është helm", thotë Anita Lasker-Wallfisch. Ajo e ka mbijetuar Aushvicin dhe flet në ceremoninë përkujtimore të Bundestagut për viktimat e nazizmit. Për herë të parë në sallë ishte edhe AfD.

https://p.dw.com/p/2rsGX
Berlin Holocaust Gedenkstunde im Bundestag | Anita Lasker-Wallfisch
Fotografi: picture-alliance/dpa/W. Kumm

Gjermania, thotë Anita Lasker-Wallfisch, është sjellë "pas Luftës në mënyrë shembullore": "Asgjë nuk u mohua". Zonja e moshuar me flokë të bardha ka ardhur nga Anglia në Berlin, për të folur në Bundestag në orën përkujtimore për viktimat e nacionalsocializmit për Gjermaninë politike. Në moshë të re ajo e mbijetoi Aushvicin dhe Bergen-Belsenin, mizoritë e nazizmit. Dhe tani ajo tregon. 92 vjeçarja nuk e lexon thjesht fjalimin e saj, ajo tregon.

Nga njëra anë është fëmijëra në Bratislavë, aty janë edhe vështirësitë në rritje, mundimet ndaj hebrejve. Por, thotë ajo, i ati Alfons Lasker kishte thënë se punët nuk do të venë kaq keq. Vite më vonë prindërit vdesin në vrasjet masive të nazistëve. Anita dhe e motra Renata u dërguan në Aushvic. "Në shumë raste njerëzit i hidhnin të gjallë në furrat e ndezura. Edhe këtë e kam parë. Kur nuk vdisje direkt sapo vije në dhomat e gazit, gjithsesi nuk mbijetoje gjatë në Aushvic". Dy vajzat mbetën gjallë rastësisht. Anita Lasker-Wallfischin e shpëtoi muzika. Ajo luante violonçel në orkestrën e vajzave të kampit.

Për një moment politika ndalet

Fjalimi është prekës, emocionues. Lasker-Wallfisch pas Holocaustit nuk donte ta shkelte më kurrë tokën gjermane. Por pastaj vendosi ndryshe. Duke u mbajtur në krahun e Presidentit Federal Frank-Walter Steinmeier ajo hyn me hapa të ngadaltë në sallën plenare. Dhe tregon në gjuhën e saj të nënës.

Berlin Holocaust Gedenkstunde im Bundestag | Frank-Walter Steinmeier und Anita Lasker-Wallfisch
Fotografi: Reuters/H. Hanschke

"Ditën e përkujtimit të viktimave të nacionalsocializmit", në vitin 1996 Presidenti i atëhershëm Roman Herzog e caktoi në 27 janar, në përvjetorin e çlirimit të kampit të asgjësimit të Aushvicit nga Ushtria e Kuqe. Kjo ditë është gjithmonë një moment kur politika ndalet. Flamujt në gjysëmshtizë në Rajshtag, atmosferë e qetë në sallë.

Herën e 23-të kur kujtohet ky përvjetor megjithatë disa gjëra janë ndryshe. Që prej zgjedhjeve të Bundestagut në vjeshtë, në Bundestag ndodhet edhe partia populiste e djathtë AfD. Anëtarë të kësaj partie janë edhe njerëz që minimizojnë rëndësinë e përkujtimit të Holokaustit dhe për të cilët është e mjaftueshme që vetëm të kujtohen vrasjet në masë të nacionalsocialistëve. Edhe anëtarët e kësaj partie ndodhen - thuajse pa mungesa - në sallë.

Wolfgang Schäuble dënon urrejtjen ndaj të huajve

Në fillim të ceremonisë përkujtimore flet Presidenti i Bundestagut Wolfgang Schäuble. Për një çerek ore të mirë. "Te Aushvici merr fund çdo siguri", thotë ai disa herë. Dhe në fund të fjalës së tij shprehet edhe për armiqësinë e re kundër të huajve në Gjermani: "Çdo ditë te ne sulmohen njerëz, sepse kanë pamje tjetër dhe flasin ndryshe, sepse duken si të huaj dhe duhet të mbeten të huaj. Shumica e madhe e njerëzve në vendin tonë nuk është kundër të huajve, aq më pak është e dhunshme". Por shkak për t'u shqetësuar ka.
Schäuble paralajmëron për rrezikun e tyre që duan të përçajnë: "Ai që flet për popullin dhe ka parasysh me këtë vetëm një pjesë të caktuar të tij", ai përjashton të tjerët. Dhjetë herë të mira e ndërpresin atë duartrokitjet e deputetëve. Thuajse gjithmonë duartroket edhe AfD. Por kur Schäuble thotë këtë fjali, nga kampi i "Alternativës për Gjermaninë" nuk duartroket askush.

Deutschland Bundestag - 55 Jahre Élysée-Vertrag
Fotografi: picture-alliance/dpa/B. von Jutrczenka

Kjo skenë njerëzore


E njëjta skenë përsëritet kur Lasker-Wallfisch flet për temën e refugjatëve dhe kujton mjerimin e aq shumë vetëve që nuk arrin të dilnin nga Gjermania naziste: "Për ne atëherë kufijtë u mbyllën në mënyrë hermetike dhe nuk u hapën, si këtu, në saj të këtij gjesti të pabesueshëm bujar, të guximshëm, njerëzor, që u bë këtu." Këtu duartrokasin të gjitha grupet parlamentare - me përjashtim të AfD-së. "Urrejtja është thjesht helm. Dhe në fund njeriu helmon veten", thotë Lasker-Wallfisch në fjalitë e fundit të fjalimit të saj. Ajo ka parasysh kohën e atëhershme dhe kohën e sotme. Në fund të fjalës së saj ajo thotë vetëm: "Thank you". Atëherë në këmbë ngrihen të gjithë deputetët - ngrihen në këmbë - pas një momenti ngurrimi - edhe deputetët e AfD-së. Dhe të gjithë, edhe dëgjuesit në tribunën e vizitorëve duartrokasin për minuta të tëra për një fjalim të madh. Kur e mbështetur në shkopin e saj ajo del nga salla plenare, 92 vjeçarja nuk ka më nevojë të mbështetet në krahun e dikujt.
 

Strack Christoph Kommentarbild App
Christoph Strack Gazetar, autor dhe korrespondent i lartë që shkruan për çështjet fetare.@Strack_C