1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Njolla të zeza në petkun historik - A po hapet opinioni publik kinez për zbardhjen e së kaluarës?

Në ç'masë lejohen në Kinë kujtimet dhe diskutimet për historinë? Lista e njollave të errëta të tabuizuara është e gjatë... A po hapet në Kinë rruga për reforma dhe a po hapet opinioni publik për zbardhjen e së kaluarës?

Kina përgatitet të festojë 60 vjetorin e themelimit

Kina përgatitet të festojë 60 vjetorin e themelimit

60 vjet Republikë Popullore e Kinës – me rastin e përvjetorit me 1 tetor kjo temë mbisundon mediat kineze. Historia rrëfehet vetëm nga një aspekt: si histori 60 vjeçare suksesi. Katastrofat përmenden po aq pak sa edhe fushatat e shumta politike. Njëra prej tyre „Hapi i madh përpara“ nga viti 1959 deri 1961 u kushtoi jetën afërsisht 30 milionë kinezëve. Zia më e madhe e bukës e shkaktuar nga njerëzit në historinë e njerëzimit. Si i trajtojnë historianët dhe intelektualët fazat e tabuizuara të historisë? Shkrimtari kritik dhe botuesi Zhou Qing e përshkruan kështu situatën:

Për ndryshime mund të flitet vetëm në sferën private

Pamje nga një mbledhje e Kongresit Popullor

Pamje nga një mbledhje e Kongresit Popullor

„Ndërkohë situata është e tillë në Kinë: Në sferën publike mbisundon kontroll i rreptë. Ndërsa nga ana private ti gëzon liri të mëdha. Në mesin e viteve 1990-të përshembull unë drejtoja një gazetë me emrin "Rrëfime historike'. Ajo kontrollohej me sy prej Argusi nga zyra e shtetit për shtypin dhe për botimet. Meqenëse gjashtëdhjetëvjetori do të festohet në mënyrë pompoze që prej vitit të kaluar është e ndaluar që të shkruhet për fushatat e mëparshme politike. Nuk lejohet as publikimi i librave, prej të cilëve pritet një efekt negativ. Ndryshe është në sferën private. Ka kohë që nuk është ashtu, që ti nuk lejohesh të flasësh për të kaluarën as vetëm brenda katër mureve të shtëpisë tënde."

Sfera "private", për të cilën flet Zhou Qing, po bëhet gjithnjë e më e madhe - falë internetit. Prej kohësh kinezët në qytete megjithë cenzurën diskutojnë lidhur me fushatat si ajo kundër "devijuesve nga ligji" e vitit 1957. Atëherë afro 500 000 vetë u dërguan në burgje, apo në kampe pune. Prej kohësh përvojat negative nga Revolucioni Kulturor shërbejnë në shumë forume diskutimesh si shembuj frikësues, për atë që nuk duhet provuar të bëhet më kurrë. Një revolucion i masës, nga e cila rrodhi diktatura e masës. Diskutime të tilla biles mbështeten në qendrat si Pekini dhe Shangai. Por ka ende kufinj të qartë. Gazetarja kritike Dai Qing:

Mao 'duhet' të mbetet udhëheqësi i madh i popullit kinez

Një polic para portretit të Mao Ce Dunit

Një polic para portretit të Mao Ce Dunit

„Qëndrimi i autoriteteve është fare i qartë. Të gjithë udhëheqësit e mëdhenj janë të paprekshëm. Fushatat katastrofale si Revolucioni Kulturor duhet të shuhen gradualisht nga kujtesa e njerëzve. Portreti i Mao-s qëndron i varur në portën e Tiananmen-it. Mao mbetet udhëheqësi i madh i popullit kinez. Ky është limiti i asaj, që pranohet.“

Poshtë këtij "limiti" që prej mesit të viteve 1990-të formohet një lëvizje e re intelektuale, me qëllim që të kapërcejë tabutë e diktuara nga politika: Lëvizja e Oral History, e frymëzuar nga gazetarët dhe autorët kritikë Dai Qing na Pekini, apo Yang Xianhui nga Tianjini. Po në shumicën e rasteve në kushte të vështira. Edhe autori kritik Zhou Qing nga Xi'an ka përvojat e tij me mbledhjen e rrëfimeve.

Njerëzitë vazhdojnë të kenë frikë të flasin për të kaluarën

Protesta të ujgurëve në Urumqi kundër regjimit kinez

Protesta të ujgurëve (2009) në Urumqi kundër regjimit kinez

„Oral History, kjo është një dritare. Përvoja ime është: Njerëzve u ka hyrë frika në palcë, nga ajo që është përjetuar në 60 vjet. Prej gjysmës së dytë të vitit 2004 unë kam bërë intervista lidhur me „Hapin e madh përpara“ fushatë prej vitit 1959 deri 1961. Konkretisht ishte fjala për raste anormale vdekjeje, si nga uria. Në çdo provincë kam intervistuar nga pesë vetë. Në të gjitha ato vende, ku katastrofa e urisë ka qenë veçanërisht e rëndë, edhe sot nuk guxojnë të flasin lirshëm për të. Përshembull gjeta një sekretar partie nga Henani. Atje janë shuar fshatra të tërë nga zia e bukës. 15 herë kam patur në telefon pjesëtarë të ndryshëm të familjes. Askush nuk guxonte të fliste për të."

Autor: Shi Ming / Angjelina Verbica

Redaktoi: Esat Ahmeti

  • Data 30.09.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JuKg
  • Data 30.09.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JuKg