1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Njohja e Kosovës – një vetëvrasje politike?

Analistët serbë rreth vizitës së kancelares së Gjermanisë Angela Merkel në Beograd

default

Takimi mes kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit serb Boris Tadiç në Beograd (23.08.2011)

Sipas profesorit Aleksander Fatiç nga Qendra për Studime Sigurie në Beograd mesazhi i Angela Merkelit nuk përmbante asnjë surprizë. Kancelarja gjermane sipas tij diti ta shfrytëzojë vizitën e saj në Beograd për të bërë presion ndaj Serbisë e për ta lëvizur atë drejt kompromiseve për çështjen e Kosovës. Por kërkesat gjermane nuk u mirëpritën nga të gjithë në Serbi.

Sipas Fatiçit BE-ja nuk duhet të nxjerrë gjithmonë parakushte të reja për pranimin e Serbisë: Nuk ka kaluar shumë kohë që kur Serbia dorëzoi në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës kreun ushtarak të serbëve të Bosnjës, gjeneralin Ratko Mladiç, duke plotësuar kështu kushtin kryesor. «Tani kanë dalë kushti tjetër për procesin e integrimit evropian e ai është: Ju duhet të njihni Kosovën», kritikon Fatiç.

Njohja e Kosovës – një vetëvrasje politike?

Për të vizita e Merkelit në Beograd kishte një mesazh të qartë: «Qasja e Serbisë në BE nuk mund të bëhet pa kaluar nga njohja e Kosovës. Por kjo njohje do të ishte për qeverisësit në Beograd e njëjtë me vetëvrasjen politike», thotë Fatiçi më tej.

Tek e fundit Serbia ndodhet para zgjedhjeve dhe as kushtetuta e as opinioni publik nuk do ta lejonin këtë njohje. Nuk është çudi që presidenti i Serbisë Boris Tadiç e quan të papranueshme njohjen e Kosovës. Fatiçi thotë se për Tadiçin pyetja «Kosova apo BE-ja?» është një dilemë e gabuar. Presidenti serb është për zgjidhje pragmatike prej së cilës asnjë pale nuk do t'i merrej fytyra, përfundon Fatiç.

Beogradi duhet të lëvizë

Politologja Jelena Miliç nga Qendra për Studime Euro-Atlantike i përshëndeti fjalët e qarta të Merkelit në Beograd. Kancelarja i tha Serbisë pa ekuivok se çfarë pritet në të ardhmen në raport me Kosovën. Njëkohësisht Merkel e bëri të qartë se veprimet unilaterale nga ana e Prishtinës janë të papranueshme, thotë Miliç.

Merkeli nuk kërkon asgjë tjetër nga Beogradi veçse plotësimin e kritereve të Kopenhagës për anëtarësim, të cilat duhet t'i përmbushë çdo kandidat. Politologja Miliç e konsideron këtë detyrë të Serbisë. Udhëheqja politike e vendit tani duhet të vendosë se cila është rruga që ajo do të përshkojë. BE-ja e ka treguar tashmë vullnetin e saj të mirë, ajo është e interesuar që të ketë një zgjidhje të drejtë në rajon: «Tani e kanë radhën politikanët serbë», thotë Miliç.

Autor: Ivica Petrovic/ Anila Shuka

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora

 

DW.COM