1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

"Njerëzit kishin rrallë rëndësi" - Konflikti kufitar mes Pakistanit dhe Afganistanit ushqen krizën

Aktualisht çështja e ndarjes së Pakistanit dhe Afganistanit preokupon shumë ekspertë. Arsyeja është një konflikt i vjetër kufitar mes dy vendeve. Pa zgjidhur këtë konflikt nuk do të ketë paqe në Azinë Jugore.

Kufiri midi Pakistanit dhe Afganistanit mbetet burim problemesh

Kufiri midi Pakistanit dhe Afganistanit mbetet burim problemesh

Provinca pakistaneze e Veriperëndimit është gati dy herë më e madhe se sipërfaqja e Belgjikës. Aty jetojnë rreth 22 milionë vetë, shumë nga ata janë pashtunë. Ky rajon, të cilin afganët e quajnë Pashtunistan (vendi i Pashtunëve) konsiderohet strehë e kryeterroristëve Mullah Omar dhe Osama bin Laden. Këtu talibanët po fitojnë gjithnjë e më shumë pushtet dhe rëndësi. Aktualisht ata po rrezikojnë jo vetëm procesin e paqes në Afganistan, por edhe unitetin shtetëror të Pakistanit. Kabuli dhe Islamabadi fajësojnë njëri-tjetrin për zhvillimet e gabuara në këtë rajon. Eksperti i Pakistanit dhe gazetari Rahimmullah Samandar bën të dyja shtetet përgjegjëse për pavërtetësi.

"Marrëdhënia e dyanshme ndërmjet Pakistanit dhe Afganistanit ka qenë gjithmonë e karakterizuar nga mosbesimi. Zyrtarisht flitet për dialog dhe bashkëpunim, por në fshehtësi punohet shpesh për të kundërtën."

Konflikti mes dy vendeve filloi në vitin 1947, kur u pagëzua shteti i ri pakistanez. Arsyeja: Afganistani refuzoi të njihte kufirin mes dy shteteve, i cili në shekullin e 19-të u vendos arbitrarisht në zonat pashtune nga fuqia e atëhershme koloniale Anglia. Qeveria e atëhershme afgane ndërmori përpjekje për mobilizimin e pashtunëve në anën tjetër të vijës së demarkacionit kundër Islamabadit. Por kjo nuk u realizua siç donte qeveria afgane. Eksperti Samandar:

"Njerëzit në të dyja anët e kufirit e kanë vuajtur në kurrizin e tyre grindjen për vijën e demarkacionit."

Për njerëzit në këtë rajon pushtetmbajtësit nuk u kujdesën, ata më shumë janë përdorur. Anglezët i përdorën ata si bastion kundër perandorisë së carit, Kabuli si kërcënim për Pakistanin, dhe Pakistani nga ana e tij për të dobësuar Afganistanin. Plani pakistanez doli me sukses kur Ushtria e Kuqe marshoi në Afganistan. Provinca e Veriperëndimit u bë kështu sheshpushim për luftëtarët afganë dhe refugjatët. Nën presidentin Zia ul-Haq nisi procesi i islamizimit të Pakistanit. U hapën mijëra shkolla kurani dhe në zonën kufitare me Afganistanin u stacionuan mijëra "luftëtarë të shenjtë" nga vendet arabe, të cilët u mbështetën nga Perëndimi për të luftuar kundër kërcënimit të kuq. Njëri prej tyre ishte edhe Osama bin Laden. Pakistani ndiqte edhe synimin të zëvendësonte kryetarët e fiseve në këto zona me luftëtarë të rinj fanatikë dhe mullahë.

"Vetëm në dy vitet e fundit janë vrarë rreth 250 udhëheqës fisesh me influencë. Ata nuk janë më dhe nuk kontrollojnë zonat e tyre."

Kështu shprehet eksperti afgan, Ahamd Siadi. Në fund të viteve 80-të, Bashkimi Sovjetik u tërhoq nga Afganistani. Pakistanit i erdhi ora. Grupet muxhahedine afgane, të cilët qëndronin nën influencën pakistaneze, duhej ta kthenin vendin e shkatërruar në një aleat të bindur të Pakistanit. Por në vend të kësaj, grupacionet muxhahedine nisën luftën kundër njëri-tjetrit. Në mesin e viteve 90-të një formacion i ri ushtarak, talibanët, marshuan nga rajonet kufitare në Afganistan. Mullah Omari pushtoi Kabulin dhe shpalli "emiratin islamik" Afganistanin. Pakistani ishte i pari shtet krahas Arabisë Saudite që e njohu regjimin e talibanëve.

Dëbimi i talebanëve e prishi llogarinë e Pakistanit

Por prapë situata u zhvillua ndryshe nga sa shpresonte Pakistani. SHBA e rrëzuan nga pushteti Al-Kaidën dhe talibanët pas sulmeve të 11 shtatorit. Por shumë prej tyre u tërhoqën në provincën e Veriperëndimit për t'u mobilizuar sërish. Qëllimi i tyre është të shpallin shtete islamike sipas konceptimit të tyre për fenë, jo vetëm në Afganistan, por edhe Pakistan, dhe në shtete të tjera "të skllavëruara nga Perëndimi" siç mendojnë ata. Studiuesi i shkencave politike Sayfudin Sayhin sheh vetëm një rrugë për të dalë nga një gjendje e tillë:

"Konflikti kufitar mes dy shteteve duhet të zgjidhet politikisht. Njerëzit në këtë rajon duhet që në plan afatgjatë të kenë shanse për zhvillim, arsimim dhe normalitet. Përndryshe nuk do të ketë kurrë paqe."

  • Data 30.07.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OYUa
  • Data 30.07.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OYUa