1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

'Njerëzit e zakonshëm kuptohen në Kosovë më parë sesa intelektualët dhe të zgjuarit'

Disi mënjanë dhe në hijen e negociatave të rëndësishme politike për Kosovën, si zakonisht mbeten ata që quhen ndryshe "qytetarët e zakonshëm" dhe sidomos ata që janë zhvendosur nga Kosova pas vitit 1999.

Dragan Preleviq, kryetar i Shoqatës së personave të zhvendosur nga Kosova në Vojvodinë, e cila ka rreth 6.000 anëtarë, për negociatat thotë: "Nga negociatat nuk pres asgjë tjetër, përveçse deklarata të pakuptimta ..." Preleviq shkon shpesh në Kosovë për të marrë ndihma humanitare edhe pse nga shtëpia e tij në Prishtinë siç thotë ai, nuk ka mbetur gur pa u lëvizur nga vendi: "Unë shkoj në Kosovë çdo 15-20 ditë , kështu që unë jam i pranishëm atje poshtë. Kur jam atje poshtë është shumë bukur. Unë ndihem i qetë kur shkoj atje, është si një kurë morale dhe për shpirtin tim. Unë do të isha shumë i lumtur që të kthehem dhe të vdes në Kosovë, por nuk ka kushte..."

Edhe Goran Goluboviq thotë se do të kthehej në Kosovë, por për këtë mungojnë kushtet. Sipas tij që nga viti 1999 deri më sot shoqata ka arritur të kthejë vetëm nëntë familje të zhvendosura në Kosovë: "Dëshira dhe vullneti im është që të kthehem. Por duhet të jemi real për të kuptuar se si është situata e tanishme në Kosovë. Së pari, nuk ka asnjë lloj sigurie. Eshtë folur për kthimin ndërsa ne nga viti 1999 përmes shoqatës kemi arritur të kthejmë vetëm nëntë familje, e kjo është baraz me zero. Atyre njerëzve nuk kemi arritur t'iu sigurojmë siguri."

Sava Ristiq nga fshati Milloshevë i komunës së Obliqit thotë se ai do të kthehej me kusht që atij t'i garantohej siguria: "Unë patjetër që do të kthehesha në fshatin tim, sepse nuk e kam shitur pronën time, e as nuk e kam ndërmend për ta shitur atë, as të çregjistrohem nga Kosova." Ristiq shton se shqiptarët në vendin e tij tani ankohen pse serbët u larguan: "Vajtojnë tani me ne edhe shqiptarët dhe kërkojnë që të kthehemi, por ata nuk guxojnë nga udhëheqësit e tyre. Pra, nuk është shkatërruar vetëm jetesa e popullsisë serbe. Sepse ne megjithatë kemi jetuar dhe punuar me shqiptarët, ne njihemi mes vete, ne njerëzit e zakonshëm. Ne kemi shkuar në shtëpitë e njëri-tjetrit, ne tek ata dhe ata tek ne. Do të thotë që dëmet në popull janë shkatuar nga udhëheqja si te njëra ashtu dhe te pala tjetër."

Pamje nga dialogu në Bruksel

Pamje nga dialogu në Bruksel

Si në shtet tjetër

Sava Ristiq mendon se serbët do të kthehen në Kosovë nëse atyre u garantohet siguria: "Njerëzit duan që t'u kthehet siguria. Asgjë tjetër, as ndihma materiale, vetëm të kthehet siguria e njerëzve atëherë besoj që në Kosovë do të ktheheshin 70-80 për qind e njerzëve."

Por Dragan Preleviq nuk është i këtij mendimi:"Unë mendoj se nuk mund të ketë kthim me këtë politikë që po udhëhiqet tani.“

Goran Goluboviqi është edhe më pesimist: „Më besoni që 90 për qind e të zhvendosurve nuk do të kthehen më kurrë në Kosovë. Ka kaluar një kohë e gjatë, kanë kaluar 14 vjet që prej përfundimit të luftës, njerëzitë i janë përshtatur mjedisit të ri."

Po si e ndjen veten Sava Ristiq në Vojvodinë ku kanë jetuar paraardhësit e tij para se të shkonin në Kosovë: "Ndodhesh në shtetin tënd dhe nuk je në shtetin tënd."

Ndërsa Dragan Preleviq sqaron:"Këtu ndihem si jashtë vendit, si në një shtet tjetër".

Ndërkaq Goran Goluboviq thekson: "Zemra më ka mbetur poshtë, dhe do të mbetet gjithmonë atje, kjo nuk mund të fshihet thjesht me gomë, kështu do të mbetet edhe për gjeneratën e ardhshme."

Lejoni njerëzit e zakonshëm të mirren vesh me njëri-tjetrin

Dhe sa ata e duan vatrën e tyre, më së miri ilustrohet nga ajo që flet Sava Ristiqi: "Unë po ju them dhe pohoj se ka dëshmi që Kosova është më e pasur sesa Vojvodina dhe Serbia, ajo është më e pasur edhe se Zvicra, vetëm duhet të jetë dikush që di për ta udhëhequr atë. Sepse atje keni bujqësinë dhe minierat, tokën, pyjet dhe klimën. Sidomos Metohija, ajo është Kalifornia e dytë".

Sava Ristiq ka edhe një mesazh për negociatorët serbë dhe shqiptarë:"Lejoni njerëzit e zakonshëm, ata do të merren më parë vesh sesa intelektualët dhe të zgjuarit".

Autor: Dinko Gruhonjiq / Esat Ahmeti

Redaktoi: Auron Dodi